“Skandaloze dhe e turpshme, përgjigja e Haradinajt ndaj Kurtit”

Aktuale

“Skandaloze dhe e turpshme, përgjigja e Haradinajt ndaj Kurtit”

Nga: A.Zh Më: 10 mars 2018 Në ora: 17:23
Albin Kurti, Ramush Haradinaj

Opinionisti Prof. Dr. Binak Maxharraj, ka komentuar propozimin e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, drejtuar kryeministrit Ramush Haradinaj, për zgjidhjen e çështjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

Kurti ka thënë se së pari duhet të bëhet korrigjimi e pastaj të ratifikohet marrëveshja. E Haradinaj i është përgjigjur atij se Kosova nuk humb tokë me ratifikimin e kësaj marrëveshje.

Por, Maxharraj e ka quajtur të tmerrshme dhe skandaloze këtë përgjigje të Haradinajt, përcjell Bota sot.

Në një reagim të dërguar në “Bota sot”, Maxharraj ka thënë se Haradinaj ka harruar se bashkë me Kurtin, ishin kundërshtuesit më të mëdhenj të marrëveshjes, të nënshkruar nga Hashim Thaçi në Vjenë.

Sipas tij, tani për Haradinajn, nuk është e rëndësishme humbja e territorit, mirëpo pozita e kryeministrit.

Më poshtë reagimi i plotë i Maxharrajt:

E tmerrshme, skandaloze kur pozita ta ndryshon mendjen

Kryeministri i Kosovës Ramush Harajdinaj i përgjigjet letrës së Albin Kurtit

"Kosova nuk humb territor me ratifikimin e marrëveshjes” kurse Albin Kurti i përgjigjet prapë:

“Nëse korrigjimi i marrëveshjes nuk bëhet para ratifikimit-korrigjimi vdes”

E tmerrshme, skandaloze, bile edhe e turpshme kjo përgjigje nga Kryeministri, i cili vetëm pasi u bë Kryeministër ndrroi mendje.

Por, sikur Kryeministri paska harruar se ai bashkë me Albin Kurtin ishin kundërshtuesit më të mëdhenj të Marrëveshjes "MEHA" të nënshkruar nga Hashim Thaçi në Vjenë. Ramushi paska harruar se ai me Albin Kurtin nuk lanë gur pa luajt vetëm e vetëm që Kosova mos të humbë territor. Për tri vite, ata së bashku u rebeluan në kundërshtim të kësaj marrëveshje. Protestuan në çdo qytet dhe mjedis të Kosovës ku morën pjesë vetëm në Prishtinë mbi 100 mijë veta, ku u mblodhën mbi 200 mijë nënshkrime që kjo marrëveshje të mos kalojë. Bile vet Kryeministri i tashëm i mori ato librat me plotë nënshkrime dhe gati se në mënyrë të dhunshme i futi në Kuvendin e Kosovës.

Tashti kur Ramush Harajdinaj flet në atë stilin: "e kapërceva gardhin,,," i ndërroi, i hangri, i shkeli qëndrimet dhe parimet me të dy këmbët, sepse njeriu është njeri kur i mbron qëndrimet e parimet e veta. Tashti për kryeministrin Harajdinaj nuk është më e rëndësishme humbja e territorit, humbja e Çakorrit, tashti për të qenka më e rëndësishme pozita, por edhe ruajtja e fytyrës së Hashim Thaçit për këtë gabim kardinal të tij me ç’rast ia fali një pjesë të truallit tonë.

Po mirë e kanë pas të moçmit kur thojshin: "jepja njeriut pushtetin dhe e njeh se kush është" thënie kjo shumë e mençur e popullit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat