Djali i Ramiz Hoxhës akuzon gjyqtarin për anshmëri

Aktuale

Djali i Ramiz Hoxhës akuzon gjyqtarin për anshmëri

Më: 11 mars 2018 Në ora: 12:48
Fatmir Limaj

Rreth një vit e gjysmë pas ngritjes së aktakuzës ndaj Fatmir Limajt për krime lufte, më 9 mars të këtij viti, ai u shpall i pafajshëm nga Gjykata Themelore e Gjakovës.

Limaj akuzohej për vrasjen e dy civilëve, Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit në Bellanicë të Malishevës më 2 tetor 1998.

Por djali i Ramiz Hoxhës, Fadili, nuk është i kënaqur me procesin gjyqësor për zbardhjen e vrasjes së babait të tij.

Vërejtja e tij konkrete është në gjyqtarin e rastit, Nikollë Komani. Për të thotë se ka pasur sjellje arrogante dhe e kufizonte në pyetjet ndaj dëshmitarëve.

“Prej fillimit të gjykimit ka pasur sjellje arrogante, me ka kufizuar në pyetjet e mia për dëshmitarët (p.sh. Jo ky është koment, nuk ki të drejtë me komentu, kjo është vërejtje…etj), saqë kah mesi i gjykimit kam kërkuar prej mllefit tim që të ndërpritet gjykimi, sepse e pashë se nuk do të ketë gjë dhe nuk është e interesuar gjykata për gjetjen e fajtorëve të veprës”, ka thënë Fadili, shkruan Insajderi.

Madje ai thotë se nuk u lejua t’i bënte pyetje as jakup Krasniqit.

“Ishin disa pyetje, p.sh. për Jakup Krasniqin, çka ka folur në Hagë dhe nuk lejonte gjykatësi t’ia lexoj dhe t’ia bëj pyetjen me pretekst se ky qenka koment. Pa e lexuar deklaratën e tij në Hagë, nuk kam mundur t’i bëj pyetje… Ashtu ka ndodhur edhe me Naim Malokun, për një takim me mua në vitin 2000…etj.”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Limaj vazhdimisht ka thënë se vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit e kishte marrë përsipër Shtabi i UÇK-së, kurse anëtarët e këtij shtabi nuk dinë asgjë.

“Limaj në çdo deklaratë (në Hagë, dëshminë para Prokurores, në emisionin Drejtësia në Kosovë) e ka potencuar se vrasjen e ka marrë përsipër Shtabi i UÇK-së, ndërsa anëtarët e shtabit nuk e dinë, nuk kanë dëgjuar, nuk është komunikata e tyre…, katastrofë”, ka thënë tutje Fadili, shkruan Insajderi.

“Si është e mundur prej gjykatës që asnjë pyetje konkrete t’ia bëj për anëtarët e Shtabit të UÇK-së”, pyet Fadili.

Sipas tij, anëtarët e Shtabit thonë se Policia Ushtarake është themeluar në dhjetor të vitit 1998, kurse vrasje e Ramizit ka ndodhur në tetor të atij viti. Por Fadili thotë se asnjë dëshmi nuk u soll për këtë gjë.

“Pastaj, ata thoshin se Drejtoria Politike Ushtarake dhe Gjykata Ushtarake është formuar në dhjetor 1998. Asnjë argument zyrtar, të shkruar, për këtë nuk e dhanë anëtarët e Shtabit, dhe as që i pyeti gjykatësi (përveç meje) të paktën që të dihet zyrtarisht kur ka ndodhë kjo. Mirëpo të gjithë erdhën me duar në xhepa dhe shkuan, dhe nuk kemi marrë përgjigje”, vazhdon deklaratën e tij Fadili.

Madje ai thotë se ka parashtruar një varg pyetjes ndaj gjykatësit për të cilat asnjëherë nuk ka marrë përgjigje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat