Letra e plotë e djalit të Ramiz Hoxhës: Pyetjet që kurrë nuk mora përgjigje nga gjyqtari për vrasjen e babait tim

Aktuale

Letra e plotë e djalit të Ramiz Hoxhës: Pyetjet që kurrë nuk mora përgjigje nga gjyqtari për vrasjen e babait tim

Më: 11 mars 2018 Në ora: 14:35
FADIL HOXHA

Para ngritjes se aktakuzës, pra gjatë hetimeve, kam pasur besim shumë të fortë që do të gjinden vrasësit dhe urdhërdhënësit e vrasjes se Ramiz Hoxhës! Por më të filluar gjykimi, shpresat e mia më humbën, duke e parë procesin e gjykimit.

Së pari do t’ia filloj me gjykatësin, Nikollë Komani!

Prej fillimit të gjykimit ka pasur sjellje arrogante, me ka kufizuar në pyetjet e mia për dëshmitarët (p.sh. Jo ky është koment, nuk ki të drejtë me komentu, kjo është vërejtje…etj), saqë kah mesi i gjykimit kam kërkuar prej mllefit tim që të ndërpritet gjykimi, sepse e pashë se nuk do të ketë gjë dhe nuk është e interesuar gjykata për gjetjen e fajtorëve të veprës.

Ishin disa pyetje, p.sh. për Jakup Krasniqin, çka ka folur në Hagë dhe nuk lejonte gjykatësi t’ia lexoj dhe t’ia bëj pyetjen me pretekst se ky qenka koment. Pa e lexuar deklaratën e tij në Hagë, nuk kam mundur t’i bëj pyetje… Ashtu ka ndodhur edhe me Naim Malokun, për një takim me mua në vitin 2000…etj.

Fatmir Limaj në çdo deklaratë (në Hagë, dëshminë para Prokurores, në emisionin Drejtësia në Kosovë) e ka potencuar se vrasjen e ka marrë përsipër Shtabi i UÇK-së, ndërsa anëtarët e shtabit nuk e dinë, nuk kanë dëgjuar, nuk është komunikata e tyre…, katastrofë.

Si është e mundur prej gjykatës që asnjë pyetje konkrete t’ia bëj për anëtarët e Shtabit të UÇK-së.

Pastaj, ata thoshin se Drejtoria Politike Ushtarake dhe Gjykata Ushtarake është formuar në dhjetor 1998. Asnjë argument zyrtar, të shkruar, për këtë nuk e dhanë anëtarët e Shtabit, dhe as që i pyeti gjykatësi (përveç meje) të paktën që të dihet zyrtarisht kur ka ndodhë kjo. Mirëpo të gjithë erdhën me duar në xhepa dhe shkuan, dhe nuk kemi marrë përgjigje.

Ka qenë një gjykim sikur të kishin një normativë ta kryejnë sa më shpejtë, pa rezultat. Pastaj në fjalën hyrëse të deponuar në gjykatë kam kërkuar:

– Kërkesë Gjykatës dhe gjykatësit të nderuar, z. Nikollë Komani!

Ju lutemi, ne familjarët duam përgjigje:

– Kush e vrau babanë tonë, Ramiz Hoxha?

– Cili ishte motivi i vrasjes?

– Kush e shpalli tradhtare (kolaboracionist)?

– Cila ishte vepra e tradhtisë se tij?

– Cilat ideale i tradhtoi ai?

– Kush e cilësoi tradhti veprën e tij?

– Me cilin verdikt gjykate u dënua për tradhti babai ynë?

– Cili është gjyqi, kur dhe ku u bë ai gjyq?

– Kush ishte Komandant i Policisë Ushtarake i nënzonës operative të Pashtrikut, në atë kohë, që e ka marrë përsipër ekzekutimin e Ramiz Hoxhës?

– Kush ishin hartuesit, përpiluesit e Komunikatës nr. 4 , të Drejtorisë së Policisë Ushtarake të UÇK-së?

Ju lutemi, që të përdorni autoritetin dhe të kërkoni sqarim nga gazetat Kosova Sot, Koha Ditore dhe Zëri i Kosovës kush ua dërgoi për botim Komunikatën nr. 4 të daëse 05.11.98!

Kastrati dhe Desku deshën ta formojnë njëfar policie. U arrestuan nga Policia Ushtarake e UÇK-së, dy funksionarë të LDK-së!

Asnjë përgjigje nuk kam marrë, dhe as që është munduar të na përgjigjet. Atëherë pse është Gjykata? Kam shumë vërejtje, por besoj se janë të mjaftueshme.

DESHMITARET:

Ejup Hoxha, komplet e ka ndërruar dëshminë e tanishme. Si nuk e pyeti gjykatësi, për deklaratën e dhënë në UNMIK, në vitin 2000, që ka qenë me valide, edhe përkundër situatës së atëhershme e ka dhënë si ka qenë ngjarja ( besoj se ka qenë edhe e incizuar) ndërsa tani…, nuk di, nuk me kujtohet. Arsyeja e ndërrimit, mbetet mister! Ta kam dërguar edhe një foto para një viti.

Muhamet Hoxha, pjesërisht.

Jakup Krasniqi, na mbante këshilla se si nuk duhet të luajmë me luftën. Kur u pyet për deklaratat në Hagë, na tha se ato nuk duhet të përdoren këtu sepse e paska mbrojt luftën çlirimtare dhe z. Limaj, andaj nuk duhet te merren ato deklarata, sepse i ka përdorur për Hagë. Hipokrizi!

Të tjerët dëshmitarë nuk kishin qenë në Kosovë, pra në Shqipëri dhe nuk kishin lexuar komunikata dhe as nuk kishin pasur shtab në atë kohë..!!!! Përveç z. Rexhep Selimit, që njëfarë mënyre ka shprehur ngushëllime të sinqerta dhe e bëri demantimin e komunikatës…(vonë, por me mirë vonë së kurrë).

Mendoj se kjo është në pika të shkurta.

E falënderojmë shumë prokuroren e rastit zonjën Drita Hajdarin, për mundimin e sinqertë të saj që të gjinden vrasësit, por sipas mendimit tim, ky verdikt ka dalë për shkak të joprofesionalizmit, arrogancës, shpejtësisë, kufizimit të pyetjeve në Gjykatë, që për shkaqe të panjohura për mua nuk mund t’i kuptoj.

Mendimi im personal – Nuk ka gjykatë në Kosovë, që merret me krimet e luftës.

Autori i shkrimit është djali i Ramiz Hoxhës, i vrarë në vitin 1998 në Bellanicë të Malishevës, të cilën e kishte marrë përsipër Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat