Rafuna tregon arsyen pse Ministria e Financave e ka bllokuar Projektligjin për arsimtarët e viteve të ’90-ta

Aktuale

Rafuna tregon arsyen pse Ministria e Financave e ka bllokuar Projektligjin për arsimtarët e viteve të ’90-ta

Më: 11 mars 2018 Në ora: 20:00
Lulzim Rafuna, këshilltari i ministrit të Financave, Bedri Hamza

Lulzim Rafuna, këshilltari i ministrit të Financave, Bedri Hamza, ka kërkuar nga mësuesit që të mos hyjnë nesër në grevë, pasi që, sipas tij, çështja e kërkesave të tyre për statusin e arsimtarëve të viteve të ’90-ta do të zgjidhet së shpejti.

Rafuna tha se problemi kryesor me Projektligjin është që të qartësohet mënyra e financimit të tij. Ai tha se nuk mund të kalojë një projektligj përderisa nuk dihet se si mund të financohet.

Ai tha se Ministria e Financave nuk ka para rezervë për të mbulluar këto shpenzime, meqenëse në miratimin e buxhetit nuk ishte parë ky Projektligj.

“Ministri Hamza ka taku kryetarin e SBASHK-ut, bashkë me stafin e tij. Ministri është për ta përcjell Projektligjin tutje. Kërkesa e vetme është që të respektohen procedurat ligjore. Duhet të dihet se buxheti prej nga vjen. Nuk mund të kalojë një projektligj që ka paqartësi për prejardhjen e buxhetit. Ky projektligj nuk është paraparë kur është miratuar buxheti. Ministria e Financave nuk ka buxhet rezervë. Para se ta aprovojmë ligjin, duhet ta dimë se prej nga vinë financat. Kërkesa e vetme e ministrit Hamza ka qenë që të përfillen procedurat ligjore”, tha Rafuna në një intervistë në RTK.

Ai kërkoi nga mësuesit që të mos hyjnë në greve, pasi sipas tij nevojitet pak kohë për zgjidhjen e kësaj çështjeje, duke thënë se zgjidhja është afër.

“Kërkesa ime është është që mësuesit të mos hyjnë në grevë. Qeverisë i duhet pak kohë që ta bëj një zgjidhje. Nuk është e drejtë që fëmijët tanë të humbin mësimin për një çështje të viteve të 90-ta”, tha ai.

SBASHK-u tashmë ka mbajtur disa takime me zytarë qeveritarë, por kërkesat e tyre deri tash kanë mbetur të parealizuara. Pak ditë më herët, SBASHK akuzoi ministrin e Financave nga PDK, Bedri Hamza për bllokim të këtij projektligji, i cili shpaguan financiarisht arsimtarët që kishin punuar pa para në kushtet e okupimit serb. Kryeministri Haradinaj ka thënë se po angazhohet personalisht për zgjidhjen e kësaj çështjeje. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat