Serbët në panik nga ‘plani i Amerikës’ për Kosovën, çfarë do t’iu sjellë Mitchell të mërkurën?

Aktuale

Serbët në panik nga ‘plani i Amerikës’ për Kosovën, çfarë do t’iu sjellë Mitchell të mërkurën?

Më: 12 mars 2018 Në ora: 08:12
ilustrim

Mediat beogradase raportuan se Shtetet e Bashkuara janë duke përgatitur një ofensivë të re diplomatike për Kosovën të ashtuquajtur ‘Pakoja e Kosovës’, e cila propozon kompetenca të gjera ekzekutive.

‘Novosti’ thotë se Amerika e ka një plan me katër pika për raportet Kosovë-Serbi.

Sipas burimeve të tyre, Amerika është e pakënaqur me Brukselin, dhe mënyrën se si ata po e monitorojnë dialogun ndërmjet dy vendeve.

Dokumenti SHBA-ve do t’ia mundësonte Kosovës anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, kurse Kosova do ta formonte Asociacionin, transmeton lajmi.net.

Ky plan thuhet se mund t’i jepet presidentit serb, Aleksandar Vuçiq të mërkurën gjatë vizitës së ndihmës-sekretarit amerikan Wess Mitchell.

Nëse Beogradi refuzon planin e Uashingtonit, raportohet se Serbisë do t’i mohohet qasja në BE dhe do të humbasin investimet e drejtpërdrejta të vendeve të BE-së.

Analisti politik, Dragomir Angjelkoviq ka thënë për ‘Sputnik’ se nëse vërtet ekziston ky plan, atëherë është një përpjekje për të kapitulluar Serbinë.

“Kjo e modifikon planin e Ahtisarit, ku ne do të marrim më pak dhe do të japim më shumë, kjo do të ishte e pakuptueshme”, është shprehur ai.

Angjelkoviq ka theksuar se Perëndimi ishte më i fortë se tani 13 vite më parë, duke aluduar në atë se Serbia nuk duhet të ketë frikë.

“Në 2005 dhe 2006 Amerika ishte shumë më e fortë ushtarakisht dhe ekonomikisht sesa është sot, dhe tani Rusia ushtarakisht dhe politikisht qëndron në të njëjtin nivel me SHBA-të, ndërkohë në anën tjetër Kina ka tejkaluar ekonominë amerikane. Pra, në kohën kur Perëndimi ka dominuar ne nuk e kemi pranuar do të ishte e paarsyeshme tani që po dobësohet fuqia e tyre të pranojmë”.

Sipas tij, pyetja është nëse Bashkimi Evropian do të mbijetojë duke shtuar se nëse vazhdon të jetë ai që ishte 20 vjet më parë do të ishte e paarsyeshme që Serbia të heqë dorë nga interesat e tyre kombëtare.

“Unë mendoj se Vuçiq do ta kundërshtojë këtë sepse është thënë disa herë se i pranueshëm është vetëm kompromisi i ndërsjellët dhe kjo nuk është kompromis. Gjithashtu, unë jam i bindur se e kemi mbështetjen e Rusisë dhe në këtë rast. Në qoftë se kjo është vërtetë një projekt nga Amerika ne atëherë duhet të shkojmë për një mbështetje më të fortë nga Pekini dhe Moska, po ashtu t’ia dërgojmë edhe vendeve evropiane pikëpamjen e tij se në qoftë se ky është një kusht për euro-integrim atëherë nuk kemi arsye të vazhdojmë në këtë mënyrë”, ka thënë Angjelkoviq.

Analisti ka përfunduar duke thënë se më këtë pako SHBA do të hapte një front të ri në Serbi, por do të ishte në front me rusët pasi është shprehur i bindur se Rusia do e mbështes Serbinë.

Për ‘pakon amerikane’ reaguan ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, drejtori i Zyrës për Kosovë, Marko Gjuriq dhe zyrtarë tjerë serbë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat