Ministri Hasani premton mbështetje për kompaninë "EuroMaks"

Aktuale

Ministri Hasani premton mbështetje për kompaninë "EuroMaks"

Më: 12 mars 2018 Në ora: 16:28
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani ka vizituar fabrikën “EuroMaks” në Pejë, e cila është djegur më 2 shkurt të këtij viti, ku ka shprehur gatishmërinë për t’i dalë në ndihmë këtij biznesi vendor.

Ai me këtë rast ka parë nga afër gjendjen në të cilën aktualisht ndodhet objekti i cili prodhon pelet, e që dëmi i shkaktuar llogaritet të jetë rreth gjysmë milion euro, teksa ka shprehur keqardhje për atë që ka ndodhur.

Hasani: Do të përkrahim prodhimet vendore

"Sot kemi dalë në vizitë në Pejë, në Euromaks. Fatkeqësisht, po e shohim çfarë gjendje ka krijuar zjarri. Ne shprehim keqardhje që ka ndodhur kjo fatkeqësi. Ju e dini se nga fillimi i mandatit ne jemi zotuar se do të përkrahim prodhimet vendore. Këtu kemi të bëjmë me një fabrikë që ka prodhuar pelet. Ne, sot, jemi këtu në vizitë për ta shqyrtuar mundësinë dhe për të parë gjendjen aktuale se si është. Besoj se gjatë ditëve në vijim do t'i shohim të gjitha mundësitë për t'i dalë në ndihmë kësaj kompanie", u shpreh ai.

Dëmi i cili llogaritet të jetë rreth gjysmë milion euro, sipas Bajramit është një shumë e lartë për buxhetin e Kosovës, porse u shpreh se janë të gatshëm për të ndihmuar konform mundësive.

Hasani: Jemi përkrah kompanisë

"Unë inkurajoj menaxherin dhe pronarin e kësaj kompanie që të vazhdojnë me mundësitë që kanë ta rimëkëmbin. Besoj se do t'i ndihmojmë ne si ministri dhe si qeveri sadopak. Por, mbetet ta analizojmë për shkak të pamundësive buxhetore, kështu që ne do të jemi përkrah tyre për çfarëdo që kanë nevojë", tha ministri Hasani.

Ndërsa Blerim Muriqi, menaxher i kompanisë EuroMaks, përkundër dëmeve të mëdha të shkaktuara nga zjarri, është shprehur optimist se do të gjejnë zgjidhje për t’u rimëkëmbur, pasi që siç tha ai, vizita e ministrit Hasani është dëshmi që biznesi vendor po trajtohet në nivel të përgjegjësisë.

Ai bëri të ditur se situata aktuale në të cilën ndodhet aktualisht kompania e peletit, kërkon angazhim të madh.

Muriqi: Kjo gjendje kërkon goxha impenjim

"Kjo është një gjendje e cila kërkon goxha impenjim, meqenëse ka ardhur si gjendje ne presim nga kushdo, ministri, qeveria të na japin ndihmë sado që këta e kanë kapacitetin e vet, sepse ne e dimë që mundësitë janë të limituara. Nuk është buxhet për të cilin kishim me fol me terma shumë optimistë, megjithatë ardhja e ministrit është një mundësi që biznesi vendor po trajtohet në nivel të përgjegjësisë pushtetare. Shpresojmë që të gjejmë zgjidhje adapt mundësive që të ecim përpara, atje ku kemi qenë, të ndërtojmë diçka të suksesshme për ne, meqenëse kemi të bëjmë me biznesin dhe fuqitë punëtore, të cilat do të sistemojnë", tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat