Buriq: Me Serbinë të arrihet marrëveshje juridikisht e pranueshme

Aktuale

Buriq: Me Serbinë të arrihet marrëveshje juridikisht e pranueshme

Më: 14 mars 2018 Në ora: 11:37
Behgjet Pacolli ka mbajtur konferencë të përbashkët me Marija Pejçinoviq-Buriq

(E plotësuar) - Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme e Kroacisë, Marija Pejçinoviq-Buriq, ka deklaruar se Kosova dhe Serbia duhet që në fund të dialogut të arrijnë marrëveshje juridikisht të pranueshme për të dyja palët.

Ajo këto komente i bëri pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacollin, ku kanë diskutuar për marrëdhëniet mes dy shteteve, si dhe për  fushat e bashkëpunimit bilateral, rajonal dhe ekonomik.

Duke folur për hapat që duhet të ndërmerren në mes Kosovës dhe Serbisë, në rrugën e tyre drejt BE-së, Buriq theksoi se nëse marrëveshja është sipërfaqësore, atëherë nuk do të mund të thuhet se ka marrëveshje.

Buriq: Nëse marrëveshja është sipërfaqësore, atëherë nuk ka marrëveshje

“Në raport me këtë çështje në mes Kosovës dhe Serbisë, së pari duhet që zgjidhja të bëhet ndërmjet të gjitha palëve të dialogut. Kornizën të cilën e kemi vendosur në Bashkimin Evropian është që të arrihet një marrëveshje juridikisht e pranueshme. Nëse do të ekzistonte një ide fikse, ky dialog do të duhet të ishte i pranueshëm për të dyja shtetet, duhet të jetë së pari hapësira që dy shtetet të gjejnë një marrëveshje, atëherë Be do të ndihmojë në fund. Nëse marrëveshja është sipërfaqësore, atëherë nuk ka marrëveshje. Duhet të jetë një marrëveshje e cila është e pranueshme nga të dyja anët”, tha ajo.

Kryediplomatja kroate tha se mbesin të hapur për të ndihmuar Kosovën që të anëtarësohet në Interpol dhe UNESCO, si dhe në integrimin e saj në rrugën drejt BE-së, derisa shtoi se anëtarësimi i Kosovës si shtet në këto organizata ndërkombëtare do ta forcojë Kosovën si shtet.

Buriq: Liberalizimi i vizave ndihmon në zhvillimin e potencialeve ekonomike për Kosovën

“Kufizimet fizike të cilat vijnë nga mos-liberalizimi i vizave pamundësojnë këta të rinj por edhe ekonomitë që potencialin e tyre ta zhvillojnë deri në fund. Në këtë kuptim po mundohemi që të gjitha çështjet që po i merr Qeveria e Kosovës të kryhen dhe shpresoj që së shpejti do të ndodhë, në mënyrë që të hapet ajo hapësira për zhvillimin e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Sa i përket hyrjes në NATO, kriteri është i ngjashëm, ekziston edhe dialogu me Serbinë, siç është parakusht për Serbinë, për hyrjen e saj, po ashtu edhe për Kosovën për statusin e mëtutjeshëm në rrugën e saj evropiane. Dhe në këtë drejtim mendoj se është shumë e rëndësishme që të punohet në këtë çështje”, tha ajo.

Mes tjerash, Buriq bëri të ditur se ka marrë premtime nga homologu i saj Behgjet Pacolli që do të ndihmojë integrimin e komunitetit kroat në Kosovë.

Ndërsa, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli theksoi se Kroacia ka qenë gjithmonë zë për Kosovën dhe se si e tillë  asnjëherë nuk ka harruar ta përmend atë në takimet që ka pasur deri më tash.

Pacolli: Sot kam marrë dëshmi se edhe më tutje Kroacia do të qëndrojë pranë nesh

"Sot kam marrë dëshmi se edhe më tutje Kroacia do të qëndrojë pranë nesh. Biseduam për bashkëpunimin bilateral, rajonal dhe ekonomik. Ne e shohim të arsyeshme që në Kosovë të vijnë edhe më shumë njerëz të biznesit. Kosova është e hapur për partnerët nga Kroacia duke e ditur se ata mund të ofrojnë shumëçka nga eksperienca e tyre dhe në Kosovë mund të kenë partnerë shumë adekuat, i cili ofron hapësirë dhe fuqi punëtore proaktive. Kombinimi është jashtëzakonisht i mirë", tha Pacolli.

Ndër të tjera, edhe Pacolli pohoi se Kroacia do të vazhdojë të ndihmojë Kosovën në rrugën drejt lëvizjes së lirë, sidomos me Bosnje dhe Hercegovinën.

Pacolli: Kroacia do të na ndihmojë për lëvizje të lirë me Bosnjë e Hercegovinën

“Kroacia do të jetë edhe më tutje zëri i Kosovës, sidomos në marrëdhëniet me Bosnjën e Hercegovinën. Sigurisht, ministrja më ka premtuar se do të ndërmjetësojë që të krijojmë kushte më të mira për lëvizjen e qytetarëve të dy vendeve, duke e ditur se ne kemi lëvizje të lirë me Serbinë dhe nuk kemi me Bosnje e Hercegovinën. Ne kemi shumë familje boshnjake këtu në Kosovë, të cilët kanë gjysmën e familjes në Bosnje dhe janë të privuar nga lëvizja e lirë”, tha ai.

***

Zv.kryeministri dhe ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka mbajtur konferencë të përbashkët me homologen e tij nga Kroacia, Marija Pejçinoviq-Buriq.

Pacolli tha se është biseduar për problemet që na interesojnë të dyja palëve dhe është ardhur në konkludim që 2 shtetet tona do të vazhdojnë të bashkëpunojnë.

“Kroacia e ndihmon Kosovën në të gjitha problemet rajonale dhe evropiane. Biseduam për bashkëpunim bilateral rajonal dhe ekonomik. Ne e shohim të arsyeshme që në Kosovë të vijnë edhe më tepër njerëz të biznesit dhe Kosova është e hapur për partnerët nga Kroacia sepse ata mund të ofrojnë shumë për Kosovën”, tha Pacolli.

Ndërkaq, ministrja kroate, sa i përket dialogut me Serbinë, tha se qëndrimi i BE-së është më i rëndësishëm dhe është në hapësirën teknike e që mund të hapet edhe në atë politike.

“Së pari, mundësia e vetme është të vazhdohet dialogu dhe të zgjidhet. Në fund duhet të arrihet një marrëveshje që juridikisht është e zbatueshme. Ky dialog nuk do të duhej të ndodhte fare por meqë ekziston, atëherë mes dy palëve duhet të arrihet një marrëveshje”, tha Pajçinoviq-Buriq.

Ndërkaq Pacolli tha se është i bindur se demarkacioni do të kalojë.

“Sigurisht nuk po shkon krejt sipas planit dhe kam shpresuar shumë se do të ndodhte dje seanca por nuk ndodhi. Shpresoj dhe dua të besoj që çdo moment është i mirë për miratimin e këtij dokumenti të rëndësishëm për qytetarët e Kosovës”, deklaroi Pacolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat