Deputetët e opozitës akuzojnë Qeverinë për dështim në tema të mëdha

Aktuale

Deputetët e opozitës akuzojnë Qeverinë për dështim në tema të mëdha

Më: 14 mars 2018 Në ora: 12:56
Seanca e Kuvendit

Seanca e sotme filloi me pikat që nuk janë mbajtur dje për shkak se Kuvendi nuk pat kuorum.

Pika e parë që kishte të bëjë me rekomandimet e opozitës në lidhje me vendimin e Qeverisë për pagat e kabinetit qeveritar nuk mori votat e deputetëve.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli vendosi që të kalojë në pikën e dytë e që është debati për vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave për kryeministrin dhe kabinetin e tij.

Shefi i deputetëve të LDK-së Avdullah Hoti duke arsyetuar kërkesën për debat parlamentar tha se raporti për 100 ditët e punës së Qeverisë është dorëzuar me pompozitet në Kuvend dhe kanë pritur nga kryeministri për të prezantuar punën e tij.

Sipas Hotit, koalicioni është formuar për punë të mëdha, siç është themelimi i shpejtë i Forcave të Armatosura të Kosovës, zotimi se kufiri me Malin e Zi do të vendosej në Çakorr dhe Kullë, heqja e vizave për 90 ditë, rritja e pagave për 30 përqind, rritja e pensioneve për 25 përqind, ulja e importeve me Serbinë, rifunkisionalizimi i Trepçës, gjetja e zgjidhjes për pensionistë minator brenda 90 ditëve, vendosja nga  Kosova për të gjitha çështjet, e jo me ndikimin e Beogradit, llogaridhënie, etj.

Hoti: Të gjitha kanë mbetur fraza të thata

“Të gjitha këto kanë mbetur vetëm fraza të thata të fushatës. Në vend të realizimit të punëve të mëdha, kryeministri është përkujdesur që të emërojë 5 zëvendëskryeministra, 21 zëvendësministra dhe mbi 70 zëvendësministra në gjithë Qeverinë. E ka urdhëruar ministrin e Arsimit të shkarkojë bordin e AKK-së dhe i kemi debatuar pasojat e kësaj në Kuvend. E ka dyfishuar pagën për vete dhe për vartësit e tij, por që u detyrua ta pezulloj këtë vendim nga presioni i opozitës dhe nga vendimi i Agjencisë Antikorrupsion. Vendosi të fal 58 milion të hyra të parapara për buxhet, por prapë u detyrua ta anuloj këtë vendim. U përfshi direkt kryeministri në shpronësimin në Hade dhe Shipitullë, në janar 2018 importet nga Serbia u rritën për 50 përqind krahasuar me janarin 2017, bordi i Trepçës nuk u funksionalizuar. Me 5 qershor 2017 Haradinaj dhe Veseli dhe Rrahman Jasharaj nënshkruan memorandum, por premtimet nuk po i realizo jnë dhe sindikata e arsimit po i shton masat sindikale. E kemi parë një minim të madh në natën e 22 dhjetorit 2017 ku miqtë tanë ndërkombëtar e bënë të qartë se do ta izolonin Kosovës në rast se ndërmerrej aventura për shfuqizimin e ligjit për dhomat e specializuara. Vendim tjetër i madh i kësaj shumice parlamentare është ligji për Amnisti i cili së shpejti do të vijë këtu në Kuvend, shkarkimi jo ligjor i bordeve që janë në kompetencë të Kuvendit të Kosovës”, tha Hoti.

Pasi Hoti e kreu fjalën e tij në foltore doli kryeministri Ramush Haradinaj. Ai tha se sa i përket demarkacionit është një temë që e ka rënduar Kosovën e po e rëndon edhe sot. Ai pranoi se se nuk kanë pasur marrëveshje me Listën Serbe dhe ende nuk e kanë një dakordim për këtë cështje.

Por debati eskaloi kur u përmend ushtria. Haradinaj akuzoi LDK-në për mos formimin e ushtrisë së Kosovës.

Ai tha se për këtë ka dëshmi dhe njerëz të gjallë, madje edhe nga ambasada amerikane.

Haradinaj: LDK është fajtore për mos formimin e ushtrisë

“Janë në ambasada amerikane i kanë edhe transkriptat  e takimeve mundeni me i pyet ndonjëherë ashtu, unë nuk jam duke rrejtur dhe kanë me ju tregua a është ashtu a nuk është. Na kanë ofruar me na e dhënë ushtrinë 2014 kemi pasur vetëm një mandat.. kanë pasur me marrë veç një përqind votë më shumë na kanë quajtur neve tradhtarë që po ju japim një mandat për katër vjet na keni lënë pa ushtri. Sot e atëherë, vetni amerikanët nëse nuk më besoni mua shkoni pyetni në ambasadë të Amerikës i gjeni transkiptet. E di se disa prej juve keni komunikim vetë, vetni ashtu, e keni lënë Kosovës pa ushtri që 10 vjet, duhet me ju ardhë. Keni shit patriotizëm atëherë e di qysh. Më mirë ish kanë me pas ushtrinë, ish krye ai mandati, katër vjet u kanë, vetëm një herë, vetëm katër vjet. Atë që po besojmë se e kemi  garantin kryesor për gjithçka, qata e ke pas garant. Por, keni shkuar atje keni thënë qysh e fitojmë 1 përqind më shumë votë tu dal na patriotë tu i qit tradhtar këta të tjerët . E keni bërë,  qe ku jemi sot, po duhet me e riparua atë dëm që e keni bërë, LDK-ja e keni bërë këtë dëm, nuk jua kisha thënë sikur të ishit sjell  pak ma kujdesshëm, por kur po i hapni temat hajde t’i hapim deri në fund.”, tha Haradinaj.

Reagimet nga deputetët e LDK-së kanë qenë të ashpra sa që në një moment kryeministri Ramush Haradinaj i ka thënë deputetit Arben Gashi se po gënjen. Akuzat e Haradinaj i kanë mohuar deputetët e LDK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat