Pishmanet politike të Donika Kadajt

Aktuale

Pishmanet politike të Donika Kadajt

Më: 14 mars 2018 Në ora: 17:22
Donika Kadaj Bujupi

Deputetja Donika Kadaj Bujupi është rikthyer aty ku kishte qenë në fillim, në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Për dallim nga koha kur e la AAK-në, tash kjo parti e ndan pushtetin me Partinë Demokratike të Kosovës, të cilën ajo e kishte bërë përgjegjëse për krimin dhe korrupsionin.

Madje, një nga arsyet e dorëheqjes nga AAK-ja kishte qenë edhe heqja e vijave të kuqe për PDK-në.

“Kur të gjithë ishim konsistentë në dërgimin e PDK-së në opozitë s’ka pasur mosmarrëveshje. Mendoj se mosmarrëveshjet u thelluan më vonë kur dy nga partitë filluan të deklarojnë që s’kanë vija të kuqe për askënd, që nënkupton as për PDK-në. Kjo dëmtoi procesin dhe kauzën”, kishte thënë Kadaj-Bujupi.

Ajo tash do të jetë pjesë e koalicionit qeverisës në të cilën bënë pjesë edhe PDK-ja, të cilën ajo e kishte bërë përgjegjëse për të këqijat që po kalonte Kosova.

“PDK-ja dhe LDK-ja janë përgjegjësit kryesorë për dështimet e mëdha në vend, papunësinë, mungesën e perspektivës, dështimet në arsim e shëndetësi e deri tek kapja e shtetit, krimi dhe korrupsioni. Me LVV-në i qëndroj besnike kauzës dhe qëllimit për ta luftuar të keqen që nënkupton rrëzimin e këtij pushteti dhe për të ndërtuar pastaj qëndrueshëm kapitullin e ri për vendin”, kishte thënë Kadaj Bujupi në një intervistë për mediat vendore.

Ish-deputetja e AAK’së kishte thënë se nuk e sheh si transfer largimin e saj nga AAK’ja, por si vazhdim të bindjeve të saj politike.

“Në momentin kur filluan hamendjet unë vendosa ta vazhdojë rrugën time politike aty ku kishte më shumë konsistim dhe këmbëngulje për të kundërshtuar dy marrëveshjet e dëmshme për vendin”, ka thënë Kadaj- Bujupi.

Donika Kadaj Bujupi deri sot ishte deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa nga sot ajo është rikthyer në grupin parlamentar të AAK-së.

Grupi i ri parlamentar i Kadaj-Bujupi aktualisht është duke e përkrahur propozimin e qeverisë për kalimin e Marrëveshjes së Demarkacionit.

E Vetëvendosje, prej nga është votuar Kadaj-Bujupi për këtë mandat në Kuvend, janë shprehur kundër formatit të ligjit që është propozuar nga qeveria Haradinaj.

23 Muaj më parë, Donika Kadaj Bujupi befasoi të gjithë, kur la AAK-në, për t’iu bashkangjitur Vetëvendosjes.

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, të 17 prillit 2016, Donika Kadaj ishte anëtarësuar në Vetëvendosje, e në fjalimin e parë, ajo kishte thumbuar ish partinë e saj, që sot përsëri është partia e saj.

“Më lejoni që ta përmbyll këtë fjalë me thënien: Po të më jepej mundësia të zgjedhja në mes të paqes dhe drejtësisë, do të zgjedhja drejtësinë. Të dashur miq, në rrethanat e krijuara, unë u përcaktova për drejtësinë dhe mu për këtë sot jam këtu në mesin tuaj”, kishte thënë Donika Kadaj Bujupi.

“Me Lëvizjen e cila nuk u tundua asnjëherë për pushtet por mbajti zotimin dhe përkushtimin për shtet”, kishte thënë po atë ditë, Kadaj Bujupi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat