Kryesia formalizon grupin e ri parlamentar, VV kërkon dorëheqjen e Aida Dërgutit

Aktuale

Kryesia formalizon grupin e ri parlamentar, VV kërkon dorëheqjen e Aida Dërgutit

Më: 14 mars 2018 Në ora: 17:57
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

(E plotësuar) - Kryesia e Kuvendit edhe zyrtarisht ka miratuar formimin e grupit të ri parlamentar, i cili do ta mbajë emrin Grupi i Deputetëve të Pavarur, me Dardan Sejdiun shef të tij. Në këtë mbledhje, përfaqësuesja e VV-së Albulena Haxhiu ka kërkuar nga Aida Dërguti që të jap dorëheqje nga pozita e nënkryetares, që mbanë si përfaqësuese e Vetëvendosjes, meqë tash nuk përfaqëson këtë parti.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, duke i uruar deputetët e grupit të ri parlamentar, ka shprehur besimin në bashkëpunimin korrekt dhe përmbylljen e shpejt të ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi.

Veseli: Jemi në fillimin e fundit të ratifikimit të demarkacionit

“Koha është që të përfundoj drama e shënimit të kufirit me një vend partner të NATO-s, me një vend që ka aspirata shumë të qarta drejt BE-së, aspirata të cilat i kemi të përbashkëta. Gjithë ata që janë për orientim euroatlantik janë të gatshëm dhe duhet të jenë të gatshëm ta votojnë forcimin e sovranitetit dhe hapjen e perspektivës euroatlantike të vendit tonë. Edhe ashtu jemi vonuar shumë, por shpresoj se jemi në fillimin e fundit të kësaj drame dhe do të kemi vendimmarrje. Ju e dini që nga fillimi kam thirrur për konsensus dhe do të mundohemi të kemi konsensus dhe do të ishte shumë e mirëseardhur që deputetët e VV-së, GDP-së ashtu si kolegët e partive të tjera, keni parasysh edhe nga aspekti i opozitës janë për ta votuar shënimin e kufirit”, tha Vesli.

Ndërsa, deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu tha as mbledhjes së kryesisë se në emër të LVV-së ka kërkuar që nënkryetarja e Kuvendit Aida Dërguti të jap dorëheqje, sepse më nuk përfaqëson LVV-në. Por nëse nuk jep dorëheqje vet, atëherë Haxhiu theksoi se do të kërkojnë shkarkimin e saj.

Haxhiu: Nëse Aida nuk jep dorëheqje, do të kërkojmë shkarkimin e saj

“Në emër të grupit parlamentar unë sot kërkova që zonja Dërguti që është anëtare kryesisë që deri tani e ka përfaqësuar LVV-në të dorëhiqet, sepse nuk e përfaqëson më LVV-në, ose ne qysh nesër do të vazhdojmë me procedurat për shkarkimin e saj që do duhej ta bënte Kuvendi i Kosovës. Për mua mbetet e pakuptimtë që të vazhdojë të mbetet anëtare e kryesisë, për sa kohë nuk përfaqëson Vetëvendosjen, nuk përfaqëson vullnetin politik të deputetëve të LVV-së dhe po të kishte moral në politikë sigurisht që Dërguti do duhej të dorëhiqej nga kjo pozitë që mbanë në emër të VV-së dhe me votat e qytetarëve që kanë votuar VV-në. Unë sot nuk pash ende në sqarim, se pse ende nuk është dorëhequr nga detyra që ka, por nëse nuk dorëhiqet ne do të kërkojmë shkarkimin e saj”, tha Haxhiu.

Për herë të parë, foli edhe shefi i Grupit të Deputetëve të Pavarur, Dardan Sejdiu, i cili tha se tani edhe formalisht do të jenë grup i ri parlamentar, i cili do të flas për politika që lidhen me ekonomi dhe mirëqenie të qytetarëve. Sepse sipas tij, ajo që kanë parë në Kuvend deri tash, është që kanë trajtuar tema tepër përgjithësuese e popullsitë.

Sejdiu: Sot formalizuam grupin e ri parlamentar

“Sot kemi dorëzuar kërkesë pranë kryesisë së Kuvendit për të formuar grupin e ri parlamentar në Kuvendin e Kosovës. Një grup prej 12 deputetëve të pavarur të organizuar në grup parlamentar dhe synimi ynë është që në Kuvend si grup të flasim për tema e të shtyjmë përpara agjendë që merret me mirëqenien e qytetarëve, me zhvillimin ekonomik, në fakt të merret me temat e përditshme të qytetarëve. Janë 12 deputetë që janë pjesë e grupit parlamentar të pavarur dhe prej sot në mbledhjen e kryesisë kemi formalizuar edhe aspektin procedural dhe teknik dhe që nga nesër ky grup do të jetë i organizuar nën ombrellën e grupit të deputetëve të pavarur”, theksoi Sejdiu.

I pyetur për dorëheqjen e nënkryetares Aida Dërguti, Sejdiu tha se seanca është ajo që vendos për këtë.

Grupi i Deputetëve të Pavarur, nga nesër do të veprojë edhe zyrtarisht i ndarë nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Veseli: Jemi në fund të dramës për Demarkacionin

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli pas mbledhjes së Kryesisë tha se u mblodhën sonte për të zyrtarizuar Grupin e ri Parlamentar.

 12 deputetë që ishin në Lëvizjen Vetëvendosje që nga sot kanë formuar grupin parlamentar.

Veseli tha se do të ishte shumë e mirëseardhur nga deputetët e pavarur që ta votonin demarkacionin.

“Jemi në fundin e kësaj drame. Tash është fundi”, tha Veseli pas mbledhjes së Kryesisë.

Mbledhja e Kryesisë (Drejtpërdrejt)

Sipas njoftimit e vetmja pikë e rendit të ditës është: Njoftim për formimin e grupit të ri parlamentar, “Grupi i Deputetëve të Pavarur.

Kryesia mblidhet në orën 18:00

Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet në orën 18:00.

Sipas njoftimit e vetmja pikë e rendit të ditës është:  Njoftim për formimin e grupit të ri parlamentar, “Grupi i Deputetëve të Pavarur”.

Gjatë ditës Grupi i Deputetëve të Pavarur që kanë qenë deri sot në Lëvizjen Vetëvendosje edhe zyrtarisht kanë formuar Grup të vetin parlamentar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat