OAK: Presidenti Thaçi të mos e dekretojë Ligjin për Shoqëritë Tregtare

Aktuale

OAK: Presidenti Thaçi të mos e dekretojë Ligjin për Shoqëritë Tregtare

Më: 15 mars 2018 Në ora: 17:25
OAK

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) i ka bërë sot thirrje presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që të mos e dekretojë Ligjin për Shoqëritë Tregtare, përkitazi nenin 34 pika 2, ku i obligon bizneset private që të kenë 40 për qind gra në borde.

Në një komunikatë për media thuhet se Oda e Afarizmit të Kosovës edhe në diskutimet publike është angazhuar që Ligji për Shoqëritë Tregtare të jetë ligj modern dhe sipas kërkesave të biznesit, por ka kundërshtuar fuqishëm tendencën që përmes ligjeve të ndërhyhet në menaxhimin e bizneseve private.

Për më tepër, Oda e Afarizmit të Kosovës i bën thirrje ligjvënësve që të jenë më aktivë dhe bashkëpunues me biznesin me qëllim që Kosova të jetë vend ku zhvillohet biznesi privat dhe krijohen vende të reja të punës.

“OAK angazhohet që vendi ynë të ketë një legjislacion modern dhe stimulues për biznesin vendor dhe ndërkombëtar, si e vetmja rrugë që dërgon kah prosperiteti dhe zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm, prandaj, neni 34 pika 2 është jo i drejtë, jo evropian dhe ndërhyrës në menaxhimin e bizneseve private”, thuhet në komunikatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat