Abdixhiku: Qeveria të largohet nëse demarkacioni s’kalon të martën

Aktuale

Abdixhiku: Qeveria të largohet nëse demarkacioni s’kalon të martën

Më: 15 mars 2018 Në ora: 23:41
Lumir Abdixhiku

Lumir Abdixhiku, deputet i LDK-së në Kuvendin e Kosovës, thotë se po presin nga shumica që të sigurojë votat nga radhët e veta për demarkacionin.

“Gjithsesi na vjen mirë që një kauzë po shkon drejt fundit, dhe do të donim që të martën të kryhet kjo që na ka mbajtur peng në këto tri vite”, ka thënë Abdixhiku në Interaktiv.

Ai ka thënë se “si duket njerëzit e AAK-së kanë problem të lexojnë marrëveshjet e arritura”, duke aluduar në debatin në mes të kësaj partie dhe LDK-së rreth asaj nëse duhet të përfshihet “Raporti Bulliqi” në Ligj.

“Ligji tashmë është procedurë shtetërore, sepse ka kaluar si dokument në të gjitha procedurat e Kuvendit, e nuk është më çështje e LDK-së. Çdo përpjekje tjetër për ta ndryshuar atë është tentim për të blerë kohë”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka përsëritur qëndrimin se Kosova është para dy alternativave, të ratifikojë marrëveshjen e demarkacionit dhe të hapen mundësitë për procedura për liberalizim të vizave për kosovarët, e në të kundërtën Qeveria duhet të dorëhiqet, ngase me këtë kauzë, sipas tij, kishte ardhur në krye të shtetit.

“Në fakt, unë mendoj se kjo Qeveri duhet të bie për shumë arsye”, ka thënë Abdixhiku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat