Përleshje fizike në Kuvendin e Kosovës - Bota Sot
Përleshje fizike në Kuvendin e Kosovës

Aktuale

E diel, 22 prill 2018

Përleshje fizike në Kuvendin e Kosovës

Më: 16 mars 2018 Në ora: 10:30

(E plotësuar) - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti pas përfundimit të seancës, ka thënë se sot ishte dita ku është diskutuar për Astrit Deharin dhe nëse siç tha ai “partia shtet”, dëshirojnë që të flasin për te, “atëherë le ta organizojmë një seancë të veçantë për mua”.

Kurti ka thënë se ende pa u kryer hetimet, “e thonin fjalën vetëvrasje, është e qartë se ata kanë dashur t’i mbyllin hetimet, duke kërcyer në një konstatim të fundit, për t’i mbyllur hetimet”.

Kurti: Filluan që të japin cilësime dhe kualifikime për mua

“Edhe ministrja edhe deputetët e tjerë, posaçërisht kryetari i Kuvendit, filluan që të japin cilësime dhe kualifikime për mua, por sot është dita kur u diskutua për Astrit Deharin dhe vdekjen e tij. Nëse këta njerëz të kësaj partie shtet, të këtij regjimi, dëshirojnë që të diskutojnë për karakterin tim, për të kaluarën time, atëherë le ta organizojmë një seancë të veçantë për mua”, ka thënë Kurti.

Kurteshi: Hoxha me fjalët e saj më bindi se ka dorë në vrasjen e Deharit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi në interpelancën për vdekjen e dyshimtë të Astrit Deharit ka thënë se ish-ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha me fjalimin e saj e ka bindur se ka pasur dorë në vrasjen e Deharit.

Hoxha ka mbajtur përgjegjës kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe këtë parti për vdekjen e Astrit Deharit. Vetëvendosje ka kërkuar shkarkimin e ministres Hoxha.

“Ministrja po më bind se ka gisht të drejtpërdrejtë në vrasjen e Astrit Deharit. Kjo ministre nuk i bën nder Qeverisë. Një ministër i Qeverisë nuk ka hapësirë të fol sa të dojë sepse këtu kanë hapësirë deputetët. Me fjalime të tilla mund të paraqitet para kryeministrit. Gjyqësori ka vërtetuar me të gjitha faktet materiale se aktivistët e Vetëvendosjes nuk kanë dorë në sulmin ndaj Kuvendit. Dehari është mbyllur në burg. Duam të dimë kush e ka montuar këtë rast”, ka deklaruar Kurteshi.

Kurteshi ka shtuar se janë bërë ndërhyrje të drejtpërdrejta nga drejtësia në hetimet në rastin Dehari.

“Astrit Dehari ka vdekur i pafajshëm në burg, a e ka mbytur dikush apo ka bërë vetëvrasje duhet të dihet por ai ka vdekur në duart e shtetit. Vetëm një hetim ndërkombëtar që do të tregonte se kush është fajtor do të sillte drejtësi në këtë vend. Kjo drejtësi është duke vdekur sepse e keni ngulfatur”, ka thënë Kurteshi.

Ja kush e kush u përfshi në përplasjen PDK-VV

E tëra nisi kur ministrja Dhurata Hoxha gjatë fjalimit të saj tha se Vetëvendosje është e ndikuar nga Rusia.

Ministrja e Integrimeve e cila në kohën kur ka vdekur Astrit Dehari ka qenë ministre e Drejtësisë është penguar të flas nga deputetët e VV-së të cilët madje e kanë quajtur kriminele.

Kjo detyroi kryesuesin Xhavit Haliti që të japë 5 minuta pushim.

Nga ky çast filloi edhe përplasja në mes të deputetëve të VV-së dhe atyre të PDK-së që janë shumë afër me ulëse.

Liburn Aliu dhe Sali Zyba ishin të gatshëm të përleshen me deputetët e partisë.

E të gatshëm për t’u përleshur ishin edhe deputetët e PDK-së, sidomos Nezir Çoçaj. Për të mos kaluar në përleshje fizike kanë ndërhyrë deputetët tjerë, madje edhe të LDK-së, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli por edhe kryeministri Ramush Haradinaj. Të gatshëm për të intervenuar u panë edhe sigurimi i Kuvendit të cilët vetëm prisnin urdhrat.

Kuvendi nuk e voton rezolutën e Kurtit për vdekjen e Deharit

Kuvendi i Kosovës nuk ka mundur të marrë vendim për rezolutën e kërkuar nga Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje në lidhje me vdekjen e Astrit Deharit.

Në sallë kanë qenë vetëm 53 deputetë, 23 kanë votuar për, 27 kundër dhe 3 abstenime.

Kërkuesi i interpelancës dhe i rezolutës, Albin Kurti ka thënë se nuk mund të arrihet te e vërteta pa e kërkuar përgjegjësinë.

Ai ka lexuar 8 pika të raportit të dy mjekëve ligjorë të familjes, Besim Ymaj dhe Besim Latifaj, të cilët sipas Kurtit flasin për vdekje të dhunshme, në thirrjen e tij për ta votuar mocionin.

Propozimi i Kurtit për një rezolutë për ta miratuar pas përfundimit të interpelancës ishte kjo:

“Pika e parë realizimi i pa vonesë i hetimit të pavarur ndërkombëtarë, si dhe bashkëpunimi pa pengesa nga institucionet ligjzbatuese të institucioneve të Kosovës. Pika e dytë, shkarkimi i menjëhershëm brenda PK-së përgjegjës për rastin në mënyrë që t’i hapet rrugë hetimit të plotë dhe pa pengesa. Pika e tretë, shkarkimi i ministres në kabinetin qeveritar, Dhurata Hoxha si ministre nën udhëheqjen e së cilës dështoi përmbushja e detyrës zyrtare në lidhje me mbarëvajtjen e institucioneve korrektuese dhe pengën në hetime të pavarura”, tha Kurti.

***

Mocioni me tri pikave i Lëvizjes Vetëvendosje, lidhur me vdekjen e aktivistit Astrit Dehari nuk ka marrë votat e kërkuara, pasi, ishin vetëm 58 deputetë që votuan, nga 61 sa do të duhej.

Kjo për shkak se nuk kanë votuar deputetët e LDK-së.

Në pikën e parë të mocionit kërkohej realizimi i pa vonesë i hetimit të pavarur ndërkombëtarë, si dhe bashkëpunimi pa pengesa nga institucionet ligjzbatuese të institucioneve të Kosovës.

Pika e dytë, shkarkimi i menjëhershëm brenda PK-së përgjegjës për rastin në mënyrë që t’i hapet rrugë hetimit të plotë dhe pa pengesa.

Pika e tretë, shkarkimi i ministres në kabinetin qeveritar, Dhurata Hoxha si ministre nën udhëheqjen e së cilës dështoi përmbushja e detyrës zyrtare në lidhje me mbarëvajtjen e institucioneve korrektuese dhe pengën në hetime të pavarura.

Seanca është ndërprerë. Ndërsa, mocioni do të hedhet në votim në seancën e radhës është shtyrë më 21 mars. 

* * * *

Në momentin që ministrja Dhurata Hoxha, ka dal për në foltoren, deputetët e Vetëvendosje kanë bërë zhurmë duke trokitur, duke e quajtur kriminele, derisa ajo i ka thënë se po tregojnë kulturën e tyre.

Kryesuesi ka dhënë pauzën por deputetët e VV dhe PDK, kanë filluar të shtyhen në mes veten.

Aty veç që nuk kanë filluar të rrahën, e për t’i qetësuar ka hy edhe kryeministri Haradinaj.

* * * *

Ministren e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxhën nuk e lënë të flasin deputetët e VV-së dhe GPD-së.

Ata posa doli ajo në foltore kanë trokitur mbi tavolina duke e quajtuar ‘kriminele’, ‘kriminele’. Për këtë kryesuesi Xhavit Haliti u detyrua të japë 5 minuta pushim.

* * * *

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veslei ka deklaruar se pajtohet me Albin Kurtin që politika e ka dërguar Astrit Deharin në vdekje, por është një politik e pafytyrë që me çdo kusht e kërkon pushtetin dhe të cilën e promovon Albin Kurti.

Ai në interpelancën për vdekjen e Astrit Deharit, ka thënë se të gjithë e duan të vërtetën se çka ka ndodhur.

 “Duhet të dihet a ka vënu duar shteti mbi të apo ka përgjegjësi politike. Nuk ka çmim, nuk ka shpenzim, nuk ka veprim që nuk do ta përkrahim për të shkuar te e vërteta. Me Albinin veç me një çështje pajtohem politika e ka quar në vdekje, e kam frikën që është një politikë e pafytyrë dhe që e donë pushtetin me çdo kusht, një politikë që më së paku i duhet Kosovës dhe që je duke e promovuar ti Albin”, tha Veseli.

Sipas tij, në momentin që po flitet në foltoren shpesh herë po orientohemi nga akuza pa bazë por pushteti nuk të duhet kur e humb etiken dhe qëllimin që angazhohet.

Kurti-Veselit: Ju përveç që jeni gënjeshtarë jeni edhe tradhtarë

Kryetari i VV-së Albin Kurti tha nëse dikush nuk është i korruptuar në Kosovë, atëherë janë ata.

Duke reaguar ndaj fjalës së kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli Kurti përmendi edhe të qenurit në opozitë dhe jetesën me qira.

Të paktën sipas Kurtit ata(VV) nuk e kanë shitur vendin e tyre dhe nuk gënjejnë.

***

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është përfshirë në debatin për vdekjen e aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, që po mbahet në Kuvendin e Kosovës. Ai i është drejtuar deputetëve që të mos e gjykojnë vdekjen e Deharit derisa të flas drejtësia.

“Duhet një dozë e kujdesit mos me i gjyku pa i gjyku drejtësia. Se nese nuk është ajo që po e thuani atëherë jemi duke e bërë prap një krim”, tha Haradinaj.

Tutje ai ka përmenduar edhe vëllain e tij duke thënë se ka familjar të vrarë dhe se kur ndodhin këso rastesh vijnë shumë dyshime, por sipas tij duhet lënë gjithmonë një dozë të kujdesit.

“Vëllau im se ka pas rastin me ju bë hetim ndërkombëtar. Unë dyshoj në disa adresa”, tha Haradinaj.

Ai shtoi se nëse po e quajnë hetim ndërkombëtar a duhet mi besu dikujt. Nxjerrja e konkluzave para se të flas drejtësia nuk duhet të ndodhë, thotë kryeministri.

“Po ju lus mos e çoni deri në fund, nëse dyshoj që dikush ka bë një punë nuk mundet me qenë pa e konstatu deri në fund”, tha Haradinaj.

***

Ka filluar të mbahet interpelanca e kryeministrit Ramush Haradinaj, rreth rastit të vdekjes së ish aktivistit të Vetëvendosjes Astrit Dehari, në burgun e Prizrenit më 5 nëntor 2016.

Propozuesi i interpelancës, kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti, foli gjerë e gjatë për mënyrën e vdekjes së Astrit Dehari, derisa tha se ai nuk vdiq nga medikamentet, siç deklaroi me nguti shefi i Policisë në Prizren, Nexhmi Hoxha.

Ai akuzoi shtetin e Kosovës se arrestoi një qytetar të pafajshëm, derisa, gënjeu kur u arrestua ai.

Kurti: Shteti ka gënjyer pse Astriti ka vdekur

“Në qelinë A3 me 5 nëntor 2016 ka vdekur një qytetar i pafajshëm, i pa dënuar, i pa gjykuar, i pa aktakuzë, e i pa intervistuar. Shteti ka gënjyer kur Astriti është arrestuar, shteti ka gënjyer pse Astriti ka vdekur. Astriti nuk ka vdekur me medikamente të tepruara, ekspertiza ligjore ka konstatuar se për 11 lloje të medikamenteve janë zhvilluar teste dhe në asnjërën prej tyre Astriti nuk ka dalë pozitiv. Njëmbëdhjetë lloje të medikamenteve, kurrfarë medikamenti në të, trup plotësisht i shëndoshë fizikisht e  psiqikisht. Raporti i autopsisë konstatoj se shkaku i vdekjes është asfiksia mekanike, bllokimi i rrugëve të frymëmarrjes nga mjete të forta, një shishe e plastikës”, tha Kurti.

Kurti akuzoi edhe ish kryeprokurorin e Prizrenit, Sylë Hoxha për siç tha ai, konstatimin se Astriti ishte vetëvrarë ende pa u bërë e pa u kryer hetimet. 

Sipas tij, qëllimi i tyre ishte i qartë të mbyllen hetimet sa më parë, praktikisht të mos bëhen fare ato, derisa askush deri me tani nuk ka dhënë përgjegjësi për deklarata të rreme.

Kreu i VV-së ka kërkuar edhe nga Veseli që të tregoj se për çka e kishte fjalën kur vetëm pak ditë para vdekjes së astritit kishte deklaruar “kujdes së po e vrani vetën”.

Kurti: Mbi Astritin është kryer krimi prej ditës kur është arrestuar e deri kur vdiq

“Drejtësia i nxjerrë jashtë shoqërisë kriminelët dhe i  fut brenda në burg. Mirëpo në Kosovë drejtësia në Kosovë, drejtësia dhe sistemi prej burgut të gjyqësia, prej qeveria të prokuroria dhe policia janë bërë edhe vet ato vende krimi. Mbi Astrit Deharin është kryer krimi prej ditës kur është arrestuar e deri atëherë kur vdiq me 5 nëntor. Atë ditë pra me 5 nëntor 2016 Astriti ngelet katër minuta e gjysmë në qelinë A3 të burgut të Prizrenit pasi që ishte gjetur aty, për katër minuta njeriu vdesë katër herë”, theksoi Kurti.

Kurti ka propozuar edhe një rezolutë për ta miratuar pas përfundimit të interpelancës.

Kurti: Propozoi këto pika të mocionit

“Pika e parë realizimi i pa vonesë i hetimit të pavarur ndërkombëtarë, si dhe bashkëpunimi pa pengesa nga institucionet ligjzbatuese të institucioneve të Kosovës. Pika e dytë, shkarkimi i menjëhershëm brenda PK-së përgjegjës për rastin në mënyrë që t’i hapet rrugë hetimit të plotë dhe pa pengesa. Pika e tretë, shkarkimi i ministres në kabinetin qeveritar, Dhurata Hoxha si ministre nën udhëheqjen e së cilës dështoi përmbushja e detyrës zyrtare në lidhje me mbarëvajtjen e institucioneve korrektuese dhe pengën në hetime të pavarura”, tha Kurti.

Kurti shtoi se në një shtet demokratik në burg njeriu e humb lirinë por do të duhej ta fitonte sigurinë.

Haradinaj: Vdekja e Deharit ishte e dhimbshme për të gjithë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur sot para deputetëve të Kuvendit të Kosovës për vdekjen e aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari.

Ai ka thënë se kjo ishte një ngjarje e dhimbshme shumë për të gjithë.

Haradinaj ka ofruar përkrahje të Qeverisë lidhur me të vërtetën e këtij rasti.

Ja fjalimi i Haradinajt:

Vërtet ishte një ngjarje që i ka prek zemrat dhe ndjenjat e gjithë njerëzve jo vetëm në Kosovë por tërë atyre që dëgjuan. Tragjedia bëhet edhe më e madhe për familjen, e cila ka plot implikime e dimensione e që e nxit një diskutim Kujdesin më të madh duhet ta bëjmë të gjithë që ta ruajmë këtë ngjarje me dimensionet që i ka Është më se e arsyeshme dhe e kuptueshme dyshimi i familjarëve e kolegëve të Astritit dhe ide që e kemi humbur dikë të dashur Kjo ndarje e tillë është ndoshta edhe pa shkaktar apo fajtor Askush nuk duhet të preket nga kjo ngjarje, as ata që atë kohë ishin në pushtet e as ata që janë tani. Shumë e kanë atë logjikë që edhe personat që kanë humbur në luftë janë akoma gjallë. Kam pasur bisedë me kabinetin qeveritar për këtë temë, ka pasur vullnet që të plotësohen kërkesat e familjes Është e mundur të ndodh edhe një hetim për vdekjen e Astriti dhe ne kemi pranuar edhe të pranojmë ekipin e forenzikës të zgjedhur nga familja e Deharit. Qeveria do ti mbuloj të gjitha shpenzimet për këtë rast. E pranoj se kemi defekte ne shërbimin korrektues, kemi disa probleme edhe është shumë e rëndësishme me ja vnu mendjen” ka thënë Haradinaj.

***

Seanca e Kuvendit të Kosovës, po vazhdon dhe është paraparë interpelanca e kryeministrit Ramush Haradinaj lidhur me vdekjen e aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari.

Kuvendi në pushim, pasdite pritet interpelanca e kryeministrit

Pyetje parlamentare dhe deklarimet jashtë rendit të ditës karakterizoi pjesën e parë të seancës plenare të Kuvendit të Kosovës.

Seanca nisi me deklarimin e deputetit të LDK-së Lumir Abdixhiku i cili kërkoi i komision hetimor, për shpenzimin e parave të buxhetit nga Qeveria e Kosovës.

Këto pretendime u hodhën poshtë nga pozita, ndërsa fajlimi i deputetit Frashër Krasniqi shkaktoi përplasje në mes të Dardan Molliqajt dhe Kujtim Shalës së LDK-së.

Molliqaj madje pati një diskutim të gjatë me kryetarin Kadri Veselit para ulëses së të cilit qëndroi disa minuta.

Në debat u përfshi edhe deputetja e PDK-së Ganimete Musliu.

Pyetje për ministrat e Qeverisë pati nga deputetët e këta të fundit të gatshëm për të dhënë përgjigje.

Pyetje u drejtuan edhe në drejtim të kryeministrit Ramush Haradinaj.

Ky i fundit nuk e pati idenë sa këshilltarë i ka ndërsa arsyetoi mbajtjen e një minutë heshtje për serbin e vrarë  Oliver Ivanoviq.

Haradinaj po ashtu u bëri ftesë deputetëve të VV-së dhe të GPD-së që të martën ta votojnë demarkacionin.

Punimet e Kuvendit do të vazhdojnë në orën 14:45 ku pritet që të  fillojë interpelanca e kryeministrit Ramush Haradinaj, lidhur me vdekjen e aktivistit Astrit Dehari në burgun e Prizrenit. Kjo kërkesë është bërë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje. Në rend dite janë edhe disa pika tjera.

Deputetja pyet kryeministrin pse u nderua Ivanoviqi

Pasi qeveria nderoi me një minutë heshtje ish-politikanin e serbëve të Kosovës Oliver Ivanoviqin më 22 janar ditën kur ai u vra, deputetja Arbërie Nagavci kërkoi të dijë pse Ivanoviq u nderua atë ditë.

“Kem pasë një ngjarje tragjike që e ka shoku Kosovën- vrasjen e një kandidati për kryetar komune. Sikur ai të ishte i dënuar me vendim të prerë nuk kish mujt me konkurru”, tha Haradinaj.

Qeveria në atë mbledhje një minutë heshtje mbajti edhe për Jonuz Musliun, politikanin shqiptar nga Lugina e Preshevës që vdiq po atë ditë.

Deputetja Nagavci pyeti pse u nderuan në të njëjtën ditë dy persona të ndryshëm, i akuzuari për krime lufte Ivanoviq dhe politikani që ishte pjesë e UÇPMB-së. “Nuk besoj që është ndonjë shkelje e ndjenjës shqiptare, e traditës”, tha Haradinaj duke folur për minutat e heshtjes.

Haradinaj deklaroi se nuk është bërë analogji ndaj këtyre dy personave.

***

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Shqipërisë, si në kohën e kryeministrit Thaçi, si në atë të Isa Mustafës, por edhe tash kur ai është kryeministër, kanë ngecur dhe nuk po zbatohen.

Kreu i ekzekutivit theksoi se duhet një vlerësim i brendshëm, jo vetëm të Kosovës, por edhe të Shqipërisë së pse po ngecë zbatimi.

Këto komente, Haradinaj i bëri pasi u pyet nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, rreth zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri me tani nga takimet e dy qeverive.

Haradinaj: Zbatimi i marrëveshjeve me Shqipërinë po ngecë

“Kapaciteti për të bashkëpunuar bashkë me Republikën e Shqipërisë qeverisës ekziston, por nuk është aq në zbatim, nuk ka ndodhur mjaftueshëm, në të kaluarën, mendoj as tash jo. Ekziston një ndjenjë e mirë, në vullnet i madh, ekziston një. Ppor praktikisht ka disa po i quaj ashtu që çalon në disa aspekte. Të gjitha marrëveshje që atëherë që janë nënshkruar e deri sot, është dashur të arrijnë në Kuvend, do të kërkoj që me shkresa t’iu vijnë deputetëve. Donë ndoshta evoluim të brendshëm pse ngecë zbatimi, pra i të dy qeverive, nuk mendoj vetëm i Kosovës, por edhe i Shqipërisë. Do të thotë don një vlerësim të brendshëm pse ngecë zbatimi”, tha Haradinaj.

Haradinaj s’e di sa këshilltarë

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj nuk e di se sa këshilltarë i ka si kryeministër.

Duke iu përgjigjur pyetjeve parlamentare të deputetëve Haradinaj tha se emrat e tyre mund t’i gjejnë në web faqen e Qeverisë, ndërsa tha se pagat e tyre janë shumë të vogla.

Ai arsyetoi edhe mbajtjen e një minutë heshtje për Oliver Ivanoviqin që ishte vrarë më 16 janar para partisë së tij duke thënë se ai ka qenë një kandidat për kryetar.

Ndërsa sa i përket veprimtarit të cështjes kombëtare Jonuz Musliu që ka vdekur në janar, Haradinaj tha se si Qeveri i kanë ndihmuar në shërimin e tij.

Molliqaj dhe Shala përplasen për sulmin në Kuvend

Pas fjalimit të deputetit të GPD Frashër Krasniqi ka reaguar nënkryetari i Kuvendit, deputeti i LDK-së Kujtim Shala.

Ai tha se askush nuk duhet të flas për rastin pasi që i njëjti ka shkuar në rigjykim.

Image
Kujtim Shala

Shala: Mos folni për drejtësinë këtu, kur rasti u kthye në rigjykim

“Unë mendoj që është e ndjeshme dhe problematike që çështjet të asaj natyre ne të bisedojmë këtu. E dyta është shumë më e ndjeshme kur ne flasim për biografitë tona, do të thotë autobiografitë dhe ju e patë një qëndrim tonin për çështjet e kësaj natyre. Ajo na vë në pozitë të vështirë sepse duhet të kthehemi dhe të flasim për personat dhe ne nuk jemi këtu të flasim për atë punë. Unë prapë se prapë do t’iu bëjë një pyetje të drejtpërdrejtë, por se pari një sqarim, me sa di unë rasti i juaj është kthyer në rigjykim, kjo është një arsye që të mos debatojmë fare”, theksoi Shala.

 Por, ndaj tij, reagoi deputeti Dardan Molliqaj, i cili kërkoi nga Shala që t’i pyes deputetët kolegë të tij të cilët i kanë quajtur terroristë Frashër Krasniqin dhe të arrestuarit tjerë për rastin e sulmit në Kuvend.

Image
Dardan Molliqaj

Molliqaj: Kujtim, kur të akuzoni bëhuni gati t’i merrni përgjigjet

 “Kujtim para se t’i bësh pyetje Frashërit është mirë t’iu bësh pyetje deputetëve tuaj, ata janë aty, ndonjë ndoshta nuk është zgjedhur, nuk jam këtu për të thënë emra, veti deputetët tuaj, mos bëni zhurmë, ekzistojnë video, fjalime, një prej tyre meqë po doni emra, një prej tyre është Besa Gaxherri, por ka edhe të tjerë, është Isa Mustafa si kryeministër. Kështu që kur t’i thoni akuzat duhet të bëhni gati t’i merrni edhe përgjigjet Kujtim dhe të tjerët. Unë nuk besoj në këtë idenë se nuk duhet të diskutohet për drejtësinë, është budallaki në vetveti, edhe për raste gjyqësore kudo në botë diskutohet, tjetër gjë është ndërhyrja në drejtësi, por me gjasë disa ose s’e kuptojnë ose e keqpërdorin”, tha Molliqaj.

Replika nuk u ndal me kaq, pasi deputeti Shala përsëri i reagoi Molliqajt, duke i thënë atij se askush nga LDK nuk i ka quajtur të akuzuarit terroristë, porse aktin e kanë quajtur terrorist sepse i tillë është.

Shala: Akti ka qenë terroristë, s’kemi folur për kryerësit

“Nëse bën biografi sidomos në rastin kur lidhet me çështjet e drejtësisë je minimalisht kredibil sepse flet për veten, askush nuk thotë jam fajtor as nuk e gjykon veten, e para. E dyta, kur flasim për tjerët ne s’kemi të drejtë të flasim për fajtor, ose jo këtu, sepse ky është institucion i natyrës tjetër. E treta, as ata emra që i përmende ti, as deputetët këtu s’e ka quajtur askënd terrorist, por kanë folur për një akt terrorist, jo për autorë. Nëse s’janë këta autorët ajo nuk është as çështje e imja, as e grupit tim parlamentar. Nuk e di kush është autori, por unë besoj dhe edhe ju pajtoheni se ai ka qenë një akt terrorist, ky është kualifikimi, nuk ka lidhje me njerëzit të cilët akuzohen, sepse unë këtë nuk e di”, theksoi Shala.

Në këtë debat u involvua edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila tha se nuk ka fytyrë asnjë deputet as i VV-së e as ata që janë ndarë, nuk mund të moralizojnë.

Musliu: Mos moralizoni, sepse nuk keni të drejtë

 “Kur flasim për familjet është mirë të mendohet mirë a kishin familje Milaim Zeka i cili u torturua ‘ live’ në televizion, si janë ndjerë vajzat dhe bashkëshortja e tij në ato momente, motrat dhe farefisi i Milaim Zekës. A kishte familje Petrit Selimi kur në prani të bashkëshortes u sulmua nga aktivistë të VV-së. A kishte familje Shasivar Haxhiaj i cili u nxor nga vetura dhunshëm dhe u dhunua nga aktivistët e VV-së. Kam edhe shumë pyetje tjera, por iu kisha lutur shumë mos moralizoni ju që nuk keni të drejt të moralizoni as për familjen, as për shtetin as për asgjë tjetër”, tha Musliu.

Molliqaj debaton gjatë me Veselin

Pas fjalimit të deputetit Frashër Krasniqi, ka thënë disa fjalë edhe kryeparlamentari Kadri Veseli.

Ai në fjalimin e tij tregoi edhe pse ia ndali fjalën javën e kaluar në foltore deputetit Krasniqi.

“Ai e tha fjalën ‘ftyrat’, e nuk kam dasht me leju me fol ashtu. Ky ka mundësi ta fyej cdo ditë Kadri Veselin, por deputetët e Kuvendit jo. Kërkoj që çështjet e gjykatës të mbahen jashtë Kuvendit, sepse a ka apo nuk ka fakte kjo më së paku na takon neve”, ka thënë Veseli.

Ai tha se më së shumti Krasniqi e përmendi emrin e tij, më së paku 10 herë.

“Mos e keqpërdori këtë foltore, ju lutem”, ka thënë tutje Veseli.

Molliqaj debaton gjatë me Veselin

Deputeti Dardan Molliqaj në shenjë proteste për mos dhënien e fjalës nga Kadri Veseli, ka qëndruar për më shumë se 15 minuta afër foltores së tij në shenjë proteste.

Ai derisa ka diskutuar me Veselin, është parë teksa protestonte për mënyrën e udhëheqjes së seancës dhe procedura tjera që lidheshin me seancën.

Krejt kjo pakënaqësi e Molliqajt ndodhi në momentin kur deputeti i LDK-së, Kujtim Shala i kërkoi deputetit Frashër Krasiqi të t’i tregojë emrat e deputetëve të LDK-së që procesin gjyqësor ndaj tyre e kanë quajtur terroristë.

Këtu ka reaguar Dardan Molliqaj, i cili po kërkon fjalën por nuk iu lejua nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili i tha Molliqajt që nuk ia ka përmendur atij emrin.

Molliqaj ka qëndruar më shumë se 15 minuta duke diskutuar me Veselin në shenjë proteste, për shkak se nuk po iu lejohet të flas.

Deputeti i Nismës Socialdemokrate të Kosovës, Milaim Zeka, ka reaguar ndaj deputetit të LDK-së Lumir Abdixhiku, duke i thënë atij se instituti Riinvest në kohën e Qeverisë së udhëhequr nga Agim Çeku ka vjedhur 1. 8 milionë euro.

Zeka kërkoi hetimin edhe të fondit të 3 përqindëshit, porse ata janë pro hetimit të secilit rast. Ai tha se akuzat e Abdixhikut ndaj Qeverisë së Kosovës nuk qëndrojnë asnjë, sepse kontrata e presidentit Hashim Thaçi nuk është bërë në emrin e Qeverisë.

Zeka: Riinvesti vodhi 1. 8 milionë euro

“Sa i përket formimit të Komisionit hetimor, ne si grup i Nismës e mbështesim qind për qind. Por dëshirojmë ta hetojmë edhe fondin e 3 për qindëshit, edhe fondit Vendlindja Thërret, edhe paret me gabim të kujt, kush është shkaktar që s’iu kanë paguar në afat të caktuar Bechtel&Enka, për çfarë arsye fakturën e Qeverisë së kaluar duhet të paguajë qeveria aktuale, edhe për këtë duhet të jap sqarim Avdullah Hoti. E dimë edhe një diçka, në Qeverinë e Agim Çekut në vitin 2006-2007 Riinvesti i asaj kohe i ka vjedh dhe keqpërdor 1.8 milionë euro para të DFID-it anglez dhe paret e SIDA-s suedeze që janë dhënë për planin strategjik zhvillimor në atë kohë të Qeverisë”, theksoi Zeka.

Molliqaj ‘proteston’ para Veselit

Deputeti Dardan Molliqaj në shenjë proteste për mos dhënien e fjalës nga Kadri Veseli, ka qëndruar për më shumë se 15 minuta afër foltores së tij në shenjë proteste.

Ai derisa ka diskutuar me Veselin, është parë teksa protestonte për mënyrën e udhëheqjes së seancës dhe procedura tjera që lidheshin me seancën.

Krejt kjo pakënaqësi e Molliqajt ndodhi në momentin kur deputeti i LDK-së, Kujtim Shala i kërkoi deputetit Frashër Krasiqi të t’i tregojë emrat e deputetëve të LDK-së që procesin gjyqësor ndaj tyre e kanë quajtur terroristë.

Këtu ka reaguar Dardan Molliqaj, i cili po kërkon fjalën por nuk iu lejua nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili i tha Molliqajt që nuk ia ka përmendur atij emrin.

Molliqaj ka qëndruar më shumë se 15 minuta duke diskutuar me Veselin në shenjë proteste, për shkak se nuk po iu lejohet të flas.

Image

Frashëri e përfundon fjalimin që e la gjysmë

Deputeti i Grupit të Deputetëve të Pavarur, Frashër Krasniqi, në seancën plenare tha se që dy vite janë torturuar familjet e tyre duke i quajtur ata terroristë pikërisht në sallën e Kuvendit.

Ai iu ka drejtuar deputetëve të PDK-së dhe LDK-së, duke iu thënë se çka do të thonë tash për një rast të montuar politik.

Krasniqi: Na i keni torturuar familjet për dy vjet

“Është folur për neve prej kësaj foltore prej deputetëve disa të PDK-së dhe disa të LDK-së duke na akuzuar për terrorizëm dhe asnjëherë nuk i është ndërprerë fjala nga kryetari i Kuvendit dhe për mua logjika është e thjeshtë, kur gjykatat nuk vendosnin për rastin tonë deputetët e PDK-së, duke përfshirë edhe kryetarin Veseli dhe disa deputetë të LDK-së na akuzonin se ju jeni terroristë, dhe e bënin me zell të madh dhe nuk e merrnin në konsideratë fare çfarë pasojash mund të ketë kjo qoftë te familjet tona, qoftë të njerëzit tjerë....për dy vjet rend na i keni tortoruar familjet duke na thënë terrorista, çka do të thoni sot. Për dy vjet na keni torturuar herë duke na mbajtur në arrest shtëpiak herë duke na mbajtur nëpër burgje në një proces të montuar politik. E sot tash keshni dhe bëni hajgare, sot iu dhëmb e vërteta faktikisht”, tha Krasniqi.

Deputeti i Grupit më të ri Parlamentar herën e kaluar nuk kishte mundur ta përfundojë fjalimin e tij pasi që ia kishte ndalë fjalën kryetari i Kuvendit  Kadri Veseli.

Abdixhiku kërkon komision hetimor për paratë e shpenzuara nga Qeveria

Deputeti i LDK-së Lumir Abdixhiku, ka kërkuar formimin e një komisioni hetimor që do të bëjë hetimin e të gjitha mjeteve të ndara deri më tani nga buxheti i shtetit për të lobuar në botë për përmirësimin e imazhit të Kosovës.

 Ai tha se një pjesë e parave që janë ndarë për lobim për shtetin e Kosovës janë shndërruar në lobim individual për politikanët në hall, siç është rasti me presidentin e vendit.

 Abdixhiku: LDK kërkon komision hetimor

“LDK paralajmëron sot në këtë seancë se do të kërkoj formimin e komisionit hetimor parlamentar për të vënë dritë mbi të gjitha raportimet e dhëna deri më tani mbi të gjitha paratë e shpenzuara dhe kontraktuara deri metash për çështje të lobimit. Nga sot ne do të nisim mbledhjen e nënshkrimeve për këtë komision hetimor dhe këtu ftojmë secilin ta mbështesë këtë nismë tonën. LDK do të kërkojë zbardhjen e secilës lëndë, secilës kontratë të secilit angazhim të devijuar që mund të ketë ndodhur deri me tani për çështjet e lobimit. Keqpërdorimet e tilla jo vetëm që paraqesin shkelje kushtetuese, por ato përmbajnë eedhe akte penale në vete dhe të njëjtat do të trajtohen në këtë dritë”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku shtoi se LDK shfaq shqetësimin e saj lidhur me shpenzimin e parasë publike. Ai ka përmendur edhe gjendjen alarmante të rezervave të shtetit në vetëm dy muaj ekzekutim.

Seanca nis me shqetësimin e mishit të prishur nga Belgjika

Seanca e Kuvendit ka nisur me shqetësimin e deputetit të PDK-së lidhur me eksportimin e mishit të skaduar nga Belgjika, duke thënë se në momentin që është nënshkruar MSA-ja, edhe ky shtet ka obligim ta respektoj karshi Kosovës.

Deputeti Bekim Haxhiu duke komentuar skandalin e që ka dal në shtetin e Belgjikës, ku sipas të dhënave të këtij shteti afër për 200 mijë kilogramë mish të skaduar janë eksportuar në Kosovë.

Kur Kosova ka nënshkruar MSA-në, obligimet janë të dy anshme, Ai ka falënderuar Qeverinë e Kosovës e cila ka bërë të ditur se që nga viti 2016 nuk ka hyrë mish i tillë në Kosovë , por shtoi se dogana është e detyruar të publikojë sa mish ka hyrë para vitit 2016, pasi mbi 200 mijë kilogramë, i bie mbi 1 milion porcione mish.

***

Deputeti Bekim Haxhiu kërkoi të sa mish ka ardhur në Kosovë nga Belgjika para vitit 2016.

Deputeti Bekim Haxhiu në pjesën e çështjeve të ndryshme që shtrohen në Kuvend, foli për mishin e prishur nga Belgjika.

“Afër 200 mijë kilogramë mish janë eksportuar në Kosovë. Ky është një problem serioz dhe shqetësues”, tha Haxhiu.

Ai konstatoi se kjo sasi mishi përbën 1 milion e 200 mijë racione ushqimore.

Ai kërkoi të dijë sa ka hyrë mall i tillë nga kompania belge Veviba pra vitit 2016, kur ishte ndaluar nga Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit një kamion me mish të tillë.

Skandali i mishit të prishur të eksportuar nga Belgjika në Europën Lindore shpërtheu të shtunën që shkoi.

***

Interpelanca e kryeministrit Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, lidhur me vdekjen e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, do të jetë njëra nga pikat e rendit të ditës së seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës.

Po ashtu ndër pikat e rendit të ditës që do të diskutohen nga ligjvënësit e Kuvendit të Kosovës do të jenë edhe shqyrtimi i Propozim-Programit të punës së Kuvendit të Kosovës për vitin 2018, shqyrtimi i parë i Projekt-Rregullores së Kuvendit.

Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për Projektin e Autostradës Kijevë-Zahaq, do të jetë pika e gjashtë e rendit të ditës.

Deputetët do të shqyrtojnë për herë të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës,  si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror.

Ndër pikat e rendit të ditës janë edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për infrastrukturën kritike, shqyrtimi i dytë i Projektligjit mbi masat doganore për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale, shqyrtimi i raportit të performancës së ndërmarrjeve publike për vitin 2015 dhe 2016, emërimi i dy  anëtarëve të Komisionin për verifikim dhe vendosje të pronave, si dhe emërimi i një anëtari të Komisionit për kërkesa pronësore. 

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test