Haradinaj si kryeministër ende nuk e ka vizituar veriun e vendit

Aktuale

Haradinaj si kryeministër ende nuk e ka vizituar veriun e vendit

Më: 19 mars 2018 Në ora: 06:41
Ramush Haradinaj

Janë bërë më shumë se 6 muaj qëkur u zgjodh kryeministër, por Ramush Haradinaj akoma s’e ka vizituar veriun e vendit. Ai megjithatë, gjatë kësaj kohe, ka vizituar shumë komuna në pjesë të tjera të Kosovës. Qytetarët e pjesës veriore të Mitrovicës thonë se janë të anashkaluar nga kryeministri Haradinaj. E njëjta theksojnë se ka ndodhur edhe me udhëheqësit e qeverive të kaluara.

Përfaqësues të kuvendeve komunale në veri i kanë dërguar kërkesë kryeministrit Haradinaj që t’i vizitojë këto komuna, por nuk kanë marrë përgjigje.

Kjo kërkesë i është dërguar qeverisë 3 muaj më parë.

Por, Qeveria e Kosovës arsyeton mos vizitën e Haradinajt në veri të vendit, për shkak të agjendës së ngarkuar.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, me ta marrë qeverisjen, ka treguar një gatishmëri për të vendosur një raport më të afërt me të gjitha komunat e vendit dhe kryetarët e tyre. Kësisoj, deri tash ka vizituar disa komuna të Kosovës. Përzgjedhja e komunave nuk është bërë duke bërë dallime etnike apo të regjioneve. Ka edhe shumë komuna që kanë mbetur pa u vizituar dhe që janë në plan, por që do të përshtatet agjenda e kryeministrit”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

Herën e fundit kur Haradinaj vizitoi Urën e Ibrit, ishte dhjetori i vitit 2016, në kohën kur ishte në opozitë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat