Përpjekja e katërt e Kuvendit për ratifikimin e Demarkacionit

Aktuale

Përpjekja e katërt e Kuvendit për ratifikimin e Demarkacionit

Më: 20 mars 2018 Në ora: 12:31
Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi

Kuvendi i Kosovës do bëjë sot përpjekjen e katërt me radhë këtë vit, për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Pavarësisht faktit që seanca tashmë është caktuar të mbahet sot, nga ora 16, dilemat mbesin ende nëse janë siguruar 80 votat e nevojshme për ratifikim.

Ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, është vënë si kusht i pashmangshëm për Kosovën nga Komisioni Evropian për heqjen e regjimit të vizave.

Aktualisht, kjo marrëveshje po mbështetet nga partitë në pushtet, si Partia Demokratike e Koosvës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokratike, Aleanca Kosova e Re, si dhe partia opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës.

Por, pavarësisht këtij fakti, brenda këtyre subjekteve politike ka deputetë që po e mbajnë në dilema dhe pikëpyetje votën e tyre për apo kundër Demarkacionit, me çka po e mbajnë të komplikuar edhe gjithë procesin e ratifikimit të marrëveshjes.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka ftuar deputetët që të votojnë, në mënyrë që me votën e tyre të shmangin izolimin e qytetarëve të Kosovës, si të vetmit në rajon pa liberalizmin e vizave.

Haradinaj ka deklaruar se, jo vetëm vota kundër, por edhe mungesa e një deputeti të vetëm në seancën e së martës, mund të ndikojë në vazhdimin e izolimit.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie iu ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të votojnë sot për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Përmes një postimi në Twitter, ambasadori Delawie ka shkruar se raportet në Kosovë tregojnë se rinia dëshiron uljen e papunësisë dhe liberalizimin e vizave.

“Deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta votojnë Marrëveshjen e demarkacionit dhe të tregojnë se po dëgjojnë brengat serioze”, ka shkruar ai.

Kundër marrëveshjes është deklaruar Lëvizja Vetëvendosje, si dhe Grupi i Deputetëve të Pavarur, i cili është formuar si fraksion i dalë nga Vetëvendosje.

Po ashtu, asnjë sinjal për votën pro-ratifikimit nuk e ka dhënë as Lista Serbe, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës në Kosovë.

Marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Ndërkohë, Kuvendi i Malit të Zi e ka ratifikuar këtë marrëveshje, por jo edhe ai i Kosovës, për shkak të mungesës së konsensusit të brendshëm.

Mungesa e ratifikimit, ndërlidhet me kundërshtimet e brendshme nga një pjesë e spektrit politik, i cili vlerëson se me anë të kësaj marrëveshjeje, Kosova ka humbur mbi 8 mijë hektarë tokë.

Dështimi eventual i ratifikimit të Marrëveshjes nga Kuvendi i Kosovës, besohet se do të krijonte pasoja të mëdha politike për Kosovën, qoftë për kah dështimi i marrëveshjes me Malin e Zi apo edhe me humbjen e rastit për liberalizimin e vizave, ngase ratifikimi mbetet kusht i Bashkimit Evropian për hapjen e perspektivës për qytetarët e Kosovës për lëvizjen e lirë, pa viza./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat