Të gjeturat e Apelit për Gjykimin e Aktivistëve të VV-së

Aktuale

Të gjeturat e Apelit për Gjykimin e Aktivistëve të VV-së

Më: 20 mars 2018 Në ora: 15:37
Aktivistet e Vetevendosjes

Gjykata e Apelit të Kosovës në aktvendimin prej 10 faqesh ka evidentuar të gjeturat që e bindën të anulojë aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës me të cilin ishin dënuar me rreth 21 vjet burg 4 aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me sulmin në Kuvendin e Kosovës.

Media sjell ekskluzivisht aktvendimin e Gjykatës së Apelit.

Instanca e dytë e drejtësisë duke vendosur sipas ankesave të mbrojtjes së të akuzuarve por edhe të Prokurorisë, ka gjetur se dispozitivi i aktgjykimit është i pakuptueshëm, i paqartë, dhe ekzistojnë kundërthënie në brendinë e tij për shkak se gjykata nuk jep arsye të qartë dhe të plota lidhur me faktet vendimtare.

“Gjykata nuk jep arsye të qarta dhe të plota dhe lidhur me faktet vendimtare ekzistojnë kundërthënie ndërmjet asaj që paraqitet në arsyetimin e aktgjykimit lidhur me përmbajtjen e shkresave dhe procesverbaleve dhe deklarimeve të dhëna në procedurë”, thuhet në vendimin e Apelit.

Në këtë drejtim, Gjykata e Apelit përdor një gjuhë mjaft të ashpër duke gjetur se lidhur me të akuzuarit, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti.

“Gjykata nuk jep vlerësimin e provave në mënyrë të drejtë dhe aktgjykimin nuk e përpilon në pajtim me provat e nxjerra sipas dispozitës së nenit 361 paragrafi 1 dhe 2 të Kodit të Procedurës Penale. Për më tepër Gjykata e shkallës së parë, tërë procesverbalin e përshkruan në aktgjykimin e saj duke mos dhënë asnjë analizë lidhur me provat në të cilat ishte mbështetur, veprimet inkriminuese të akuzuarve për veprën penale për të cilën ishin shpallur fajtorë”, përshkruan aktvendimi i Apelit.

Gjykata e Apelit po ashtu i kushton vëmendje të veçantë edhe çështjes së mbrojtjes në heshtje të akuzuarve dhe vlerësimit të Gjykatës Themelore lidhur me deklarimin e Atdhe Arifit që e kishte blerë motorin me të cilin prokuroria pretendon se u krye sulmi në Kuvendin e Kosovës.

“Duke u mbështetur në deklaratën e të  e të akuzuarit Atdhe Arifi i cili në seancën për caktimin e paraburgimit më 31 gusht 2016 nuk pranon kryerjen e veprës por pranon se e ka blerë një motor me ngjyrë të kuqe, ndërsa gjykata nga ky pranim i bërë në seancën e paraburgimit nxjerr përfundim se është kryer sulmi në Kuvendin e Kosovës  dhe të akuzuarit për të mos u ballafaquar me këto prova janë mbrojtur në heshtje e që gjykata i merr si argument se këta janë kryes të veprës penale në kundërshtim me provat e tjera që gjenden në shkresat e lëndës  të cilat nuk janë administruar nga ana e gjykatës por vetëm përmenden në procesverbal”, përshkruhet në aktvendimin e Apelit të cilin e ka siguruar KALLXO.

Gjykata e Apelit vlerëson se  Gjykata Themelore e Prishtinës është dashur domosdoshmërisht t’i shikojë video-incizimet e marra në vende publike dhe provat e tjera materiale në shqyrtim gjyqësor.

Megjithatë, Apeli vlerëson se edhe po të bëhej edhe sikur të merrej si i mirëqenë deklarimi i Atdhe Arifit, ai nuk mund të përdorej si provë kundër të akuzuarve të tjerë sepse deklarata e të bashkëpandehurit nuk mund të merret si dëshmi në procedurë të përbashkët.

Po ashtu vëmendje të veçantë, Apeli i kushton edhe identifikimit të  akuzuarve nga dëshmitarët në shqyrtim gjyqësor por edhe në procedurën e hetimit.

“Gjykata e Apelit vlerëson se dëshmitarët Heset Ramadani, Naser Mustafa dhe Remzi Zogjani të cilët janë dëgjuar në shqyrtim gjyqësor lidhur me identifikimin e personave të akuzuar përmes fotografive, të gjithë në mënyrë identike kanë deklaruar se nuk janë të sigurt se a janë të akuzuarit Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti personat të cilët e kanë blerë motoçikletën “Yamaha” dhe a është e akuzuara Adea Batusha ajo që ka blerë telefonin e markës “Samsung” me të cilin telefon pas sulmit është dërguar mesazhi”, thuhet në vendimin e Apelit.

Apeli po ashtu ka gjetur një varg shkeljesh që janë bërë në procedurën e identifikimit të akuzuarve në procedurën e hetimit.

Shkelje tjetër që ka gjetur Gjykata e Apelit ka të bëjë edhe lidhur me raketahedhësin RPG që sipas Prokurorisë është përdorur për të kryer sulmin në Kuvendin e Kosovës.

“Lidhur me shkrepjen me raketahedhës të tipit RPG, gjykata nuk jep asnjë fakt vendimtar se si mund të shkrepet me raketahedhësin e cekur më lart nga motori i cili është në lëvizje apo është shkrepur me raketahedhës në gjendje dhe pozitë kur është ndalë motori, kjo për arsye se gjykata nuk jep asnjë detaj  lidhur me raketahedhësin, se çfarë arme është, a mund ta përdorë çdo person, a ka precizitet të lartë dhe a kërkon aftësi të lartë profesionale në përdorimin e kësaj arme”, thuhet në vendimin e Apelit.

Në nëntor të vitit të kaluar Gjykata Themelore në Prishtinë kishte dënuar Atdhe Arifin me 6 vjet burg; deputetin Frashër Krasniqi me 8 vjet burg; Egzon Halitin me 5 vjet e gjysmë burg si dhe Adea Batushën me 2 vjet burg.

Këta të katër akuzoheshin se më 4 gusht të vitit të kaluar në bashkëkryerje kishin sulmuar Kuvendin e Kosovës, andaj mbi ta vihej në barrë vepra penale terrorizmit, vepër kjo e paraparë në nenin 136 të Kodit Penal të Kosovës, ndërsa në këtë rast e kualifikuar sipas paragrafit 1 të këtij neni, e dënueshme me jo më pak se 5 vjet burg. Që të gjithë janë liruar nga paraburgimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat