Ndonëse deputeti i LDK-së Ramiz Kelmendi kishte thënë se nuk do të merrte pjesë në seancën e djeshme për ratifikimin e Demarkacionit, megjithatë, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj kishte thënë dje se edhe pa votën e tij koalicioni i ka 80 vota për ratifikimin e kësaj marrëveshje.
Por nga ajo që u pa dje, ishte se vota e deputetit të LDK-së, Ramiz Kelmendi, ishte vendimtare. Në mungesë të tij Kuvendi u desh ta zgjasë debatin për Demarkacionin deri pas mesnatës.
Deputeti Kelmendi nuk arriti të marrë pjesë në seancën e djeshme të Kuvendit për shkak të problemeve shëndetësore.
Përveç kësaj, Kelmendi kishte deklaruar se ka marrë kërcënime nëse do ta votonte Marrëveshjen e Demarkacionit.
Pikërisht për këtë gjë, policia dje ishte në shtëpinë e tij për ta trajtuar rastin e kërcënimit.