Delawie: I zhgënjyer me VV-në, do të doja që edhe Lista Serbe të votonte pro

Aktuale

Delawie: I zhgënjyer me VV-në, do të doja që edhe Lista Serbe të votonte pro

Më: 21 mars 2018 Në ora: 13:07
Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie

(E plotësuar) - Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, ka shprehur zhgënjimin e me veprimin e fundit të Lëvizjes Vetëvendosje, duke hedhur gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit të Kosovës ku do të votohej demarkacioni, duke thënë se shpreson që deputetët do të kthehen në Kuvend sa më shpejt për të votuar ‘po’ për demarkacionin.

Ai këto komente i bëri në një konferencë të shkurtër për media në hollin e Kuvendit.

Delawie: Kosova duhet të bëjë përparim

“U ktheva ashtu siç premtova. Edhe një herë më duhet të them se jam i zhgënjyer se një parti po e përdorë dhunën për ta penguar demokracinë. Shpresoj se deputetët do të kthehen në Kuvend sa më shpejtë që është e mundur për të votuar po për marrëveshjen për shënimin e kufirit. Kisha pasur dëshirë të shoh edhe deputetët e Listës Serbe që janë  aty për të votuar  për një marrëveshje që është edhe për të mirën e komunitetit të tyre. Kosova duhet të bëjë përparim”, ka thënë Delawie.

Delawie: Unë s’do të heq dorë, demarkacioni do të kalojë

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, është shprehur i bindur se pavarësisht hedhjes së gazit lotsjellës, demarkacioni do të votohet sot.

Ai këto komente i bëri pas hedhjes së gazit lotsjellës për herë të dytë në Kuvend nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila konsideron se Kosova me demarkacion humb mbi tetë mijë hektarë tokë.

Delawie: Nuk do të heq dorë

“Kam disa takime në ambasadë, por do të kthehem pas pak. Unë nuk do të heq dorë, as ju mos hiqni dorë. Besoj se as deputetët nuk do të heqin dorë. Demarkacioni duhet të kalojë”, tha ambasadori amerikan.

Diplomati amerikan ndërkaq nuk ka dashur të zbulojë se çfarë takimesh do të ketë në ambasadë.

Delawie: VV-ja është pa ide, iu kthye dhunës

Ambasadori amerikan në Kosovë Greg Delawie, ka folur pas hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës nga deputetët e Vetëvendosjes.

 Ai tha se kjo praktikë nuk duhet të ndodhë në Kosovë e në asnjë shtet evropian.

“Më duhet të thënë se sot ka qenë më të vërtetë zhgënjim për mua, sepse mendoj që njerëzit që s’kanë asnjë ide i janë kthyer dhunës politike. Kjo nuk duhet të ndodhë në Kosovë sepse Kosova është më mirë se keq. Kjo nuk duhet të ndodhë në një shtet evropian, hedhja e gazit lotsjellës nuk është diçka evropiane. Më duhet të them se kam respekt të jashtëzakonshëm për të gjithë deputetët që janë në Kuvend duke përdorur mjete demokratike”, tha ai.

Ambasadori amerikan po ashtu përmendi respektin ndaj policëve që mundohen ta kryejnë punën e tyre.

“U bëj thirrje të gjithë deputetëve të kthehen në sallën e Kuvendit dhe të votojnë ‘Po’ për marrëveshjen e kufirit, i nxis ata që të votojnë “Po” për të ardhmen e Kosovës”, tha Delawie në hollin e Kuvendit.

Kujtojmë se deputetë nga Lëvizja Vetëvendose kanë ndërprerë me gaz lotsjellës seancën e sotme të Kuvendit në momentin kur u hodh në votim marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat