Thaçi pas votimit të Demarkacionit: Ne i përmbushëm detyrat tona, pres nga BE t’i bëjë detyrat e saj

Aktuale

Thaçi pas votimit të Demarkacionit: Ne i përmbushëm detyrat tona, pres nga BE t’i bëjë detyrat e saj

Nga: G.B Më: 21 mars 2018 Në ora: 19:04
Hashim Thaçi

Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka komentuar votimin për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi.

Përmes një postimi në llogarinë e tij ai ka thënë se ratifikimi i sotëm ishte veprim i drejtë dhe tani Kosova ka përmbushur detyrat e saj, andaj pret që edhe BE-ja shpejt t’i përmbushë detyrat e saj, përcjell Bota sot.

Postimi i tij i plotë:

Kuvendi i Kosovës i dha fund paqartësisë së panevojshme politike rreth vijës kufitare me Malin e Zi. Ratifikimi i sotëm i marrëveshjes ndërshtetërore, që mbajti peng përplot tre vjet liberalizimin e vizave për qytetarët tanë, ishte veprim i drejtë i shumicës parlamentare. Ishte një veprim që garanton dhe forcon të ardhmen euroatlantike, duke i hapur rrugë shumë proceseve të rëndësishme për shtetin tonë.

Kosova ka humbur mjaft kohë me këtë çështje, e cila padrejtësisht ngadalësoi hapin shtetëror përpara, duke krijuar ndarje politike e shoqërore, që mbase është vështirë të kompensohen për një kohë të shkurtër. Megjithatë, votat e sotme të deputetëve në Kuvendin e Kosovës janë shpresëdhënëse se ata më s’do të ndikohen nga interesat ditore politike, por nga interesi strategjik i Kosovës.

Konsensusi i gjerë i arritur në Kuvendin e Kosovës duhet të shërbejë si platformë afatgjate e bashkëpunimit ndërmjet subjekteve politike, sidomos kur në pyetje është interesi shtetëror. E pikërisht dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një çështje e tillë e interesit shtetëror, në të cilën ne duhet të jemi të bashkuar.

Ne i përmbushëm detyrimet tona, prandaj shumë shpejt edhe qytetarët tanë do të lëvizin lirshëm në zonën Shengen, sepse jam i sigurt se edhe BE-ja do t’i bëjë detyrat e saj pa humbur kohë.

Tani duhet që me hapa të përshpejtuar, duke zbatuar pakon e reformave, të krijojmë një dinamikë të re në procesin e anëtarësimit të vendit tonë në BE dhe NATO. HTH.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat