Demarkacioni kalon, Haradinaj turpërohet zyrtarisht

Aktuale

Demarkacioni kalon, Haradinaj turpërohet zyrtarisht

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 21 mars 2018 Në ora: 22:31
Kuvendi i Kosovës

Seanca e 21 marsit 2018, i dha fund zvarritjes tre vjeçare të demarkacionit, ku Kuvendi i Kosovës më në fund arriti ta votojë marrëveshjen e kësaj teme të stër-shterrur.  Demarkacioni kaloi me 80 vota pro, fiks aq sa i duheshin. Por, deri te këto vota, qeveria nuk e kishte të lehtë aspak, pasi ashtu si në të kaluarën, u përball me  Lëvizjen Vetëvendosje, e cila hodhi gaz lotsjellës katër herë radhazi,  e më pas pati arrestime të deputetëve të kësaj Lëvizjeje.

Seanca filloi normalisht me ardhjen e njëpasnjëshme të grupeve parlamentare. Në sallë ra në sy pjesëmarrja e deputetit të LDK-së, Ramiz Kelmendi, i cili ka deklaruar se nuk do të merr pjesë në votim pasi i ishte kërcënuar familja në rast se do të votonte pro demarkacionit.

Në fillim ai ishte i dyshimtë për votën e tij për demarkacionin, ku tha se do të jetë e vështirë për të vendosur.

“Është e vështirë për të vendosur sepse andej nga vi unë, Rugovë, njerëzit nuk e duan këtë marrëveshje dhe gjithashtu unë jam kërcënuar me familje nëse e votojë këtë marrëveshje, mirëpo, duke e parë entuziazmin e të gjithë qytetarëve të Kosovës që të lëvizin lirshëm, atëherë besoj se edhe vota ime do të jetë pro”, ka thënë ai.

Pas tij, deputeti i komunitetit goran, Adem Hoxha, që është pjesë e Listës Serbe, ishte në sallën e Kuvendit.

Pjesëmarrja e tij i ka siguruar votën e 80 koalicionit qeverisës.

Më pas arriti kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, të cilin ende pa u ulur mirë në karrige, Vetëvendosja e priti atë me një gaz lotsjellës. Fjalët e para të Veselit ishin që Kuvendi do të shkojë në pauzë menjëherë. IshIN Xhelal Sveçla me Fitore Pacollin ata që e hodhën të parët  gazin lotsjellës. Të gjithë deputetët liruan sallën, përveç atyre të VV-së.

Deliu-Kodra: Vetëvendosja dëshmoi se është e njëjta

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra në një deklaratë për media, ka thënë se me hedhjen e gazit lotsjellës, Vetëvendosje dëshmoi se është e njëjta si para dy vjetësh kur për herë të parë lëshoi gazin.

“Duke qenë e vetëdijshme, VV-ja dëshmoi se është e njëjta, me aktet që i përsëriti pas dy vjetësh. PDK-ja është e vendosur për ta votuar këtë marrëveshje jetike për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Deliu-Kodra.

Pal Lekaj: Gazi ynë lotsjellës ishte më i fuqishëm

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka thënë se gazi i sotëm lotsjellës, i hedhur nga deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, ishte më i fuqishëm se ai që e hidhte vet ai dikur kur ishte pjesë e opozitës.

“Ky gazi i sotëm ishte më i fuqishëm se ai që e hidhnim ne më parë”, ka thënë Lekaj me humor

Delawie-Apostolova, takim në zyrën e Veselit

 Ambasadori i SHBA-së, Greg Delaëie, dhe shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, janë parë tek kanë shkuar në zyrën e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, pas ndërprerjes së seancës për shkak të gazit lotsjellës.

Sërish Vetëvendosje hedh gaz

Pas pauzës, deputetët u rikthyen në sallë, mirëpo nuk ju zgjati shumë qëndrimi aty. Sërish deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, hodhën gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, duke penguar vazhdimin e seancës së Kuvendit për Demarkacionin.

Kryeparlamentari Kadri Veseli, ka thënë se Kuvendi shkon në pauzë 10 minutshe, pas situatës së krijuar, raportoi “Bota sot”.

Kësaj radhe, gazin e kishte hedhur deputeti Xhelal Sveçla dhe Salih Zyba.

Liburn Aliu ua merr kartelat deputetëve të PDK-së e AAK-së

Deputeti i VV-së, Liburn Aliu, është parë në sallën e Kuvendit të Kosovës derisa është afruar tek ulëset e deputetëve të PDK-së dhe AAK-së.

Ai më pas është parë me disa kartela nëpër duar, të cilat janë për votimin elektronik.

7 deputetë të arrestuar

Më pas, Xhelal Sfeçla, Fitore Pacolli, Drita Millaku, Salih Zyba, Arbërie Nagavci, Liburn Aliu dhe Valon Ramadani ishin deputetët e VV-së që u nxorën jashtë Kuvendit nga Policia dhe të njëjtit u arrestuan, e më pas u liruan.

Këta deputetë para medieve thanë se janë arrestuar pa asnjë vendim të Policisë, e sipas tyre SHIK-u i Kadri Veselit ishte urdhërdhënës për këto arrestime.

Kuvendi përjashton pesë deputetë të VV-së

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, kishte marrë vendim që të përjashtojë nga vazhdimi i seancës për demarkacionin pesë deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët hodhën gazin lotsjellës në dy rastet kur u tentua të votohet demarkacioni.

Kadri Veseli, ka njoftuar për përjashtimin e deputetëve në një konferencë për media në të cilën ka thënë se nuk do të lejohet që të ketë pengesa për të votuar demarkacionin.

“Sot do të përfundojë demarkacioni. Nuk do të lejohet që të ketë pengesa, nuk do të lejohet që të ketë bllokadë. Nuk do të lejojmë që askush të na bllokojë perspektiven euroatlantike të Kosovës. Nuk do të lejojmë ta bllokojmë liberalizimin e vizave”, ka thënë Veseli.

“Kemi vendimmarrje të kryesisë, e cila na është imponuar. Janë disa deputetë që janë në gjendje të rëndë shëndetësore nga këto sulme. Nuk do të lejojmë që të ketë përkeqësim të jetës së tyre. Pesë deputetë janë larguar nga pjesëmarrja në vazhdimin e seancës parlamentare”, ka thënë ai, derisa i ka quajtur manipulues dhe gënjeshtarë deputetët që po bllokojnë votimin e demarkacionit.

“Janë manipulues, janë gënjeshtarë, janë njerëz që tentojnë të dëmtojnë Kosovën”, ka thënë veç të tjerash Veseli.

Për herë të tretë hidhet gaz lotsjellës në Kuvend

Në kohën kur u mblodhën deputetët, deputetë të Vetëvendosjes hodhën sërish gaz lotsjellës, që është hera e tretë gjatë ditës së sotme.

Mimoza Kusari Lila tha se Kuvendi do të shkojë në pauzë deri në orën 16:30.

Veseli shan pas hedhjes së gazit lotsjellës

Kadri Veseli, kryetari i Kuvendit të Kosovës, është dëgjuar teksa ka sharë pas hedhjes së gazit lotsjellës për herë të tretë në seancën për demarkacion.

Për këtë ka reaguar Vetëvendosje që ka thënë se kjo është fytyra e vërtetë e Veselit.

“Ja cila është fytyra e vërtetë e Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, i cili e tejkalon rolin e vet e jep urdhra për arrestimin e deputetëve. Nuk është hera e parë që ai shpërfaqet i tillë para deputetëve të Lëvizjes”, ka shkruar VV në Facebook.

Musliu denoncon Aliun në polici për vjedhje të kartelave

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka thënë se do të shkojë në stacionin policor për të denoncuar deputetin e Vetëvendosjes, Liburn Aliun për vjedhje të kartelave të deputetëve të pozitës.

“Aktet vandale nuk kanë hije. Do të shkojë direkt në Stacionin Policor për vjedhje të kartelës. Nuk janë kthyer kartelat. Ato janë ekspozuar nëpër rrjete sociale. Nuk lejoj që askush të luaj. E luta të ma kthej kartelën, sepse Liburni e ka marrë”, ka thënë Musliu.

“Të gjithë pozitës ua kanë marrë kartelat”, ka thënë ajo.

Kontrollohen të gjithë deputetët

Deputetët e Kosovës filluan prapë të rikthehen në sallën e Kuvendit, në të cilën pritej të votohej për demarkacionin me Malin e Zi.

Ata po kontrolloheshin detajisht pavarësisht cilës parti politike i takojnë, për shkak të hedhjes së tretë të gazit lotsjellës.

Kryeprokurori Ymer Beka ka thënë se është lëshuar urdhër arrest për të gjithë ata që kanë hedhur gaz lotsjellës.

Thyhen xhamat e Kuvendit

Xhamat e Kuvendit të Kosovës, janë thyer nga ana e sheshit "Adem Jashari".

Gaz për herë të katërt në Kuvend

Për herë të katërt është gjuajtur gaz në seancën për demarkacionin me Malin e Zi.

Këtë herë ka gjuajtur deputeti i Vetëvendosjes, Valon Ramadani.

Kuvendi kishte shkuar sërish në pauzë.

Delawie: Jam i zhgënjyer

“U ktheva prapë. Jam i zhgënjyer që një parti politike (Vetëvendosja) po e përdorë dhunën si mjet për ta parandaluar votimin e demarkacionit dhe demokracinë në përgjithësi. Shpresoj që deputetët të kthehen prapë në Kuvend për t’i thënë po marrëveshjes së demarkacionit. Do të doja t’i shihja edhe deputetët e Listës Serbe në sallën e Kuvendit e ta votojnë edhe ata këtë marrëveshje, pasi demarkacioni është në të mirën e tyre. Kosova duhet të bëjë përparim”- tha ai.

Haradinaj: Është e mundshme votimi i marrëveshjes

Kur deputetët filluan të mblidhen për herë të dytë në sallën e Kuvendit, sigurimi vendosi edhe një skaner kontrollimi në hollin e Kuvendit, e kryeministri Haradinaj doli para medieve duke thënë se është e mundshme votimi i demarkacionit.

“Tani jemi të thirrur prapë në sallë që seanca të vazhdojë e do shohim si do rrjedhë më tutje. Besoj që është e mundshme votimi i demarkacionit pasi diskutimet janë kryer dhe nuk ka mbetur ndonjë gjë tjetër përveç votimit” ,-tha ai.

Konjufca: Mos e votoni marrëveshjen, ka gabime

Deputeti i VV-së, Glauk Konjufca ka thënë se gabimet e komisionit që ka matur territorin do t’i kushtoj Kosovës.

Ai u ka bërë thirrje deputetëve të mos ngutën dhe të mos votojnë këtë marrëveshje, pasi sipas tij, efekt parësor është territori, ndërsa vizat janë efekt anësor.

“Kur ka qenë komisioni në raportim në komisionin për legjislacion, një prej tyre ka qenë ekspert I katadstës. A ka mbulueshmëri për çdo pjesë të territorit që e kontrollon Kosova aktualisht. Dhe eksperti i kadastrës u përgjigje që jo nuk ka. E kom pyet sa është hapësirë e cila nuk ka mbulueshmëri nga Kosova, diku 70 km ka thënë që nuk kemi. Gabimet e komisionit kanë me na kushtu Në momentin që kanë pasur informacion se nuk ka mbulueshmëri kadastrales dhe nuk ka përputhshmëri mes Kosovës e Malit të Zi nuk u desht me bo gabim, se ky gabim na ka ardhur me votu. Duke pasur parasysh këtë që prezantova. Libralizimi I vizave është efekt anësor, nuk është efekt esencial. Efekt parësor është territori i Kosovës. Nuk ka viza para vitit 2019, dhe kena me kuptu sa e kemi korrupsionin sa e kemi në institucionet tona nëse kalon kjo marrëveshje. Pra, të mos ngutemi” tha ai.

Lajçi: Do ta pengojnë votimin edhe pa gaz, do të gjejmë mënyra tjera

E për gazetën “Bota sot” nga Vetëvendosje kanë thënë se do të vazhdojnë kundërshtimin edhe nëse nuk kanë gaz, do të gjejnë mënyra tjera.

 “S'ka vendim qe do na ndale. Kjo marrëveshje nuk kalon edhe pikë. Do ta pengojmë votimin edhe nëse nuk kemi gaz lotsjellës më. Do gjejmë mënyra të tjera”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Zeka: Votimi nuk do të bëhet në sallën alternative

E deputeti i Nismës për Kosovën, Milaim Zeka në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se nuk kanë asgjë në dorë për t’i ndalur dhe se po presin sërish të futen në sallën e zakonshme dhe jo të mbajnë seancën në sallën alternative.

“Nuk kemi në dorë asgjë, ne nuk po mundemi t'i ndalojmë këta (Vetëvendosjen). Po presim prapë me u fut në Kuvend në sallën e zakonshme. Nuk do e mbajmë seancën në sallën alternative më lartë, të paktën për momentin”, ka thënë Zeka për “Bota sot”.

Kurti: Raporti “Bulliqi” është aktakuzë për raportin Meha dhe kryeministrin Thaçi

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se komisioni Bulliqi, ka vërtetuar se komisioni i kaluar Meha, ka bërë shkelje të rënda të ligjit dhe kjo është një aktakuzë për të dhe për Thaçin.

“Qëllimi kriminal i ratifikimit të demarkacionit që na i humbet 8200 hektarë tokë, ka prodhuar një situatë kriminale kundër Lëvizjes Vetëvendose dhe kundër vullnetit të qytetarëve, jo vetëm të atyre që kanë nënshkruar peticionin, por edhe gjithë popullit në përgjithësi. Komisioni Bulliqi, ka konstatuar që komisioni Meha ka bërë shkelje shumë të rënda të ligjit dhe kushtetutës prej tejkalimit ët kompetencave të veta e deri te falsifikimi i hartave. Raporti i komisioni Bulliqi është aktakuzë për komisionin e kaluar dhe presidentin Thaçi”-tha ai.

E kur u deputetet u mblodhën në sallë për të dytën herë, ishte deputeti i Vetëvendosjes, Valon Ramadani, i cili i hodhi herë radhazi gaz lotsjellës në sallë, gjë që pengoi prapë mbajtjen e seancës.

Haxhiu: LDK po e mbanë gjallë PDK-në

E deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, u shfry në PDK-në dhe LDK-në, duke thënë para medieve se çdo gjë që është bërë në dëm të këtij vendi, PDK-ja dhe LDK-ja janë bërë bashkë.

“Është interesante se sa herë jemi përballur me projekte të dëmshme për vendin, PDK-ja dhe LDK-ja janë bërë bashkë. Unë nuk mbaj mend ndonjë të keqe që ju ka bërë këtij vendi, e ku PDK-ja dhe LDK-ja nuk janë bërë bashkë. Pra siç duket, LDK-ja është e vetmja parti e cila e mban gjallë PDK-në. Një ndër arsyet që po e them këtë, është se ne nuk ishim të ftuar fare në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit”- tha ajo.

Kalimi i demarkacionit pas tre viteve pritje

Deputetët u kthyen sërish në sallë, e sytë e të gjithëve ishin te shefi grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, i cili ishte i vetmi prezent në sallën e Kuvendit nga partia e tij.

Mirëpo kësaj radhe nuk kishte pengesa për votimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Me 80 vota pro, minimumin e nevojshëm, përfundimisht Kuvendi i Kosovës i dha epilog marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi pas tre vjetësh zvarritjeje në këtë proces. Kësisoj kosovarët shumë shpejt do të mundë të lëvizin lirshëm pa viza në zonën Shengen, të paktën kështu thonë qeveritarët.

Kjo marrëveshje mori 80 vota pro, 11 kundër dhe asnjë abstenim.          

Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi, e nënshkruar në Vjenë, në vitin 2015, kishte krijuar një situatë të tensionuar në Kuvend dhe jashtë saj, edhe gjatë kohës sa në krye ishte Isa Mustafa.

Hoxha: Besojmë se deri në fund të vitit udhëtojmë pa viza

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, pas ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, ka thënë se tashmë është plotësuar kusht kyç për liberalizim të vizave.

Ajo ka thënë se beson që deri në fund të këtij viti do të hiqen vizat për Kosovën

 “Tani me kalimin e demarkacionit plotësuam kushtin kyç dhe do t’i dërgojmë një raport i cili tregon kushtin e dytë, pra shenjëzimin e rasteve po luftën kundër korrupsionit, si dhe gjithashtu edhe raportin që tani më u ratifikuar marrëveshja për shënjimin e kufirit me Malin e Zi. Ju e dëgjuat edhe deklaratën publike të komisionarit, i cili tha se ne po presim lajmin e mirë nga Kosova dhe tani besoj se ky lajm i mirë gjithashtu do të vejë në lëvizje vendimmarrjen dhe procesin e vendimmarrjes në institucionet e Bashkimit Evropian. Patjetër që po, në rastin apo nëse krahasojmë pra me vendet e rajonit të cilat kanë kaluar nëpër këtë proces, procesi i vendimmarrjes merr diku prej tre deri në gjashtë muaj. Tani duke e pasur parasysh që kemi një sërë takimesh që do të mbahen në fund të marsit dhe në fillim të prillit mendojmë që jemi mirë me kohë dhe do t’i them këto afate. Si dhe shpresojmë dhe besojmë shumë që d eri në fund të vitit Kosova apo për Kosovën do të hyjë lëvizja e lirë”, tha ministrja Hoxha.

Selimi: Sot malazezet fituan 8300 hektarë të bjeshkëve tona të bukura

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Rexhep Selimi, tha se përpos që Mali i Zi sot ka fituar 8300 hektarë tokë , sipas tij presidenti Hashim Thaçi ka fituar disa miliona më shumë e ndërsa kryeministri Haradinaj edhe ndonjë ditë pushtet.

“Me ratifikimin e Marrëveshjes se Demarkacionit te kufirit me Malin e Zi, sot malazezet fituan 8300 hektarë te bjeshkëve tona te bukura, Thaçi i fitoi edhe disa miliona me shume, kurse Qeverise Haradinaj edhe ndonjë dite me shume ne pushtet. Këta janë fituesit e 21 Marsit. Kurse humbësi kujdestar mbetet Kosova”-tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat