Reagimi zyrtar i Qeverisë së Malit të Zi pas ratifikimit të Demarkacionit

Aktuale

Reagimi zyrtar i Qeverisë së Malit të Zi pas ratifikimit të Demarkacionit

Më: 22 mars 2018 Në ora: 19:04
Dushko Markoviq

Qeveria e Malit të Zi përmes një komunikatë për shtyp, e ka vlerësuar lartë zhvillimin e djeshëm në Kuvendin e Kosovës, ku u miratua marrëveshje për ratifikimin e Demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

“Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq e ka mirëpritur ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin me Malin e Zi nga Parlamenti i Republikës së Kosovës.

Ne përgëzojmë shumicën parlamentare në Kosovë. Ky është një konfirmim i aftësisë tonë për të zgjidhur kontestet e rëndësishme vetë. Ky është një lajm i mirë për raportet tona ndërshtetërore, për Kosovën dhe perspektivën evropiane, dhe regjionin”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga qeveria e Malit të Zi.

Ratifikimi i kësaj marrëveshje shihet si përmbushje e një prej kritereve kryesore për liberalizim të vizave.

“Duke e ratifikuar marrëveshjen, Kosova e ka përmbushur njërin prej kushteve kryesor për liberalizim të vizave, dhe shpresojmë që që kjo të bëhet një realitet dhe një përfitim për qytetarët e Kosovës, dhe gjithashtu edhe për qytetarët e Malit të Zi dhe shteteve tjera të regjionit”, thuhet tutje në komunikatë.

Sipas tyre zgjidhja e kësaj problematike dëshmon edhe një herë frymën e fqinjësisë së mirë ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

“Ne jemi të kënaqur që Qeveria e Malit të Zi ka kontribuar në zgjidhjen e këtij problemit, duke promovuar traditën e bashkëpunimit ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës, në frymën e vlerave Evropiane dhe strategjisë së Komisionit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor, po ashtu edhe në frymën e bashkëpunimit me fqinjët, si një përgjegjësi e një vendi që luan rol të rëndësishëm në rajon dhe si anëtar i NATO-s” përfundon komunikata.

Në këtë komunikatë nuk  flitet fare për mundësinë e rishikimit të gabimeve të bëra gjat demarkimit, ashtu siç pretendon pala kosovare, dhe siç janë marrë vesh dy presidentët e dyja vendeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat