Çka duhet të dinë qytetarët e Kosovës pas liberalizimit të vizave?

Aktuale

Çka duhet të dinë qytetarët e Kosovës pas liberalizimit të vizave?

Më: 22 mars 2018 Në ora: 23:27
Dhurata Hoxha

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka folur për të drejtën e lëvizjes dhe se si duhet të sillen qytetarët pas liberalizimit të mundshëm të vizave.

Hoxha në Zona e Debatit ka thënë se klauzola e suspendimit, pas liberalizimit të vizave, është shumë strikte.

“Sidomos me këtë valën e fundit të vendeve që kaluan nëpër procesin e liberalizimit të vizave dhe shkallën e lartë të keqpërdorimit, liberalizimi i vizave vjen me kritere të caktuara”.

“Ka hyrë në fuqi klauzola e suspendimit që funksionon shumë më shpejt se liberalizimi i vizave, funksionon me automatizëm”.

“Kjo varion nga vendet, lidhet me atë se sa persona keqpërdorin vizat, megjithatë nuk dua ta paragjykojë se çka do të përmbajë marrëveshja finale për Kosovën”.

“Klauzola e suspendimit vepron shpejt, mos ta humbim lëvizjen e lirë që më në fund pritet ta gëzojmë. Mos ta humbim nga ndjenja e papërgjegjësisë nga disa qytetarë që duan ta shfrytëzojnë këtë të drejtë”.

Ministrja e Integrimit ka sqaruar se çka në fakt nënkupton liberalizimi i vizave dhe çka lejohet e çka jo kur kosovarët marrin rrugë drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

“Ka kritere dhe kushte që sqarojnë në detaje se çka nënkupton liberalizimi i vizave. Nuk nënkupton që mund të shkosh të jetosh, nuk nënkupton që mund të shkosh të punosh, studiosh por thjeshtë të shkosh t’i vizitosh vendet e BE-së”.

“Po ashtu është edhe numri i caktuar i ditëve se sa ditë brenda vitit një qytetar mund të qëndrojë në ndonjë vend të BE-së”.

“Nëse ke qëndruar 30 ditë në Gjermani, pastaj edhe 30 ditë të tjera në ndonjë vend tjetër, secila kalkulohet. Shumë lehtë mund të tejkalohet kuota e ditëve të cilat mund të qëndrosh në vendet e zonës Schengen”.

Megjithatë, Hoxha ka thënë se të gjitha këto, se çfarë nënkupton lëvizja e lirë në vendet e BE-së për kosovarët, do të sqarohen me një fushatë vetëdijësuese përgatitur po nga Ministria që ajo udhëheq.

“Ne si Ministri kemi gati fushatën vetëdijësuese, kemi një strategji komunikimi. Besoj se menjëherë sapo të kemi qartësi lidhur me vendimmarrjen kur do të hyjë në efekt do të fillojmë që qytetarët mos ta keqpërdorin këtë të drejtë që e kemi fituar me mund”.

“Që 3 vjet kemi qenë të izoluar, duhet ta shfrytëzojmë çdo moment që qytetarët mos ta keqpërdorin”.

Edhe ish-koordinatori teknik për liberalizim të vizave, Besnik Vasolli, në Zona e Debatit në Klan Kosova ka sqaruar më në detaje se si duhet të sillen qytetarët kosovarë pas liberalizimit të vizave.

“Duhet të kenë kujdes kur të largohen nga vendi dhe t’i qasen BE-së, duhet të kuptojnë se polici kufitar është autoritet vendimtar. Nëse hiqen vizat, polici kufitar në aeroport ose pikë kufitare mund ta refuzojë hyrjen”.

“Duhet të kenë sigurim shëndetësor për aq ditë sa kanë për të qëndruar, duhet të kenë mjete financiare për të dëshmuar se mund ta mbajnë veten për ato ditë, apo garancion ose ftesë nga ata që i ftojnë”.

“Duhet të kenë adresë të saktë se ku do të rrinë, nëse shkojnë te familjarët duhet të kenë adresë ose numër, nëse nuk kanë adresë, duhet të ketë rezervim hoteli ku do të qëndrojnë”.

“Gjatë 180 ditëve apo 6 muajve, qytetarët mund të qëndrojnë në zonën Schengen për 90 ditë ose 3 muaj. Kjo nuk i bie që mund të qëndrojnë 3 muaj në Gjermani dhe 3 muaj në Francë sepse ajo është një zonë e njejtë”.

“Nëse dikush abuzon do të ketë edhe konsekuenca personale, vendosen në listën e zezë dhe i ndalohet hyrja për 3 deri 5 vjet në zonën Schengen”.

“Qeveria ka obligim të mbajë fushatë vetëdijësuese edhe pas liberalizmit të vizave dhe t’i njoftojë qytetarët për rreziqet se mund të mos jenë të informuar, mund të jenë pre e mashtruesve si ka ndodhur në Maqedoni”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat