Shefqet Krasniqi pas shpalljes i pafajshëm: Akuzat ndaj meje ishin me tendencë politike – show që i konvenoi dikujt

Aktuale

Shefqet Krasniqi pas shpalljes i pafajshëm: Akuzat ndaj meje ishin me tendencë politike – show që i konvenoi dikujt

Më: 23 mars 2018 Në ora: 09:33
Shefqet Krasniqi

Akuzat ndaj meje ishin me tendenca politike dhe një spektakël që mbase i ka konvenuar dikujt, ka thënë menjëherë pas shpalljes i pafajshëm dhe lirimit nga të gjitha akuzat, imami i xhamisë së madhe “Mehmet Fatih” në Prishtinë, Shefqet Krasniqi.

“Kemi thënë edhe gjatë seancave se këto kanë qenë tendenca politike që mbase dikujt i kanë konvenuar. Ka qenë një show, një skenar që i ka konvenuar dikujt. Megjithatë kjo nuk ka qenë deshtë të bëhet, pasi ne jemi vëllezër, si do që të jetë ka kaluar”, ka deklaruar Krasniqi në oborrin e Pallatit të Drejtësisë.

Ai ka pohuar gjithashtu se s’ka pasur si të jetë vendimi ndryshe – pos pafajësi e plotë për të.

“Unë kam qenë i bindur nga dita e parë, kanë qenë të bindur edhe ata që më kanë arrestuar edhe ata që e kanë dhënë urdhrin për të më arrestuar dhe që të gjithë në këtë që doli sot”.

“E kam potencuar se nëse në vendin tonë ka vetëm një shkëndi drejtësie puna ime është e qartë dhe pa asnjë shibël dhe do të del në pah, falë zotit kjo u vërteta dhe u pa se në këtë Pallat të Drejtësisë ka drejtësi”.

Pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka folur edhe avokati i Krasniqit, Sevdali Zejnullahu.

“Me këtë vendim doli në pah e vërteta e cila dëshmon se akuzat ishin të pabaza dhe pa prova mbështetëse”, tha ai.

Krasniqi akuzohej për shtytje për terrorizëm, nxitje të urrejtjes dhe shmangie nga tatimi.

Sipas aktakuzës veprën e shtytjes në kryerjen e veprave terroriste Krasniqi e kishte kryer nga viti 2013 deri në 2014.

Kurse atë të shmangies nga tatimit e ka kryer nga viti 2011 deri më 2016.

“Gjykata ka gjetur se nuk ka pasur prova të mjaftueshme për asnjë nga akuzat”, ka thënë kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra.

Prokurori i rastit ka munguar në shpalljen e aktgjykimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat