Deputetët me mendime të ndryshme për rregulloren e re

Aktuale

Deputetët me mendime të ndryshme për rregulloren e re

Më: 23 mars 2018 Në ora: 13:33
Kuvendi i Kosovës

Shefi i grupit parlamentar të Grupit të Deputetëve të Pavarur, Dardan Sejdiu tha se duhet të shikohet qartë nëse propozimi për konferencën e kryetarëve bie ndesh me Kushtetutën.

Sejdiu: Duhet të sigurohemi që konferenca e kryetarëve mos të bie ndesh me Kushtetutën

 “Në nenin 67 të Kushtetutës së Kosovës konkretisht paragrafi 6 thuhet se, kryetarët dhe nënkryetaret formojnë Kryesinë e Kuvendit dhe kryesia është përgjegjëse për funksionimin administrativ të Kuvendit dhe mënyrën e përcaktuar me rregulloren e Kuvendit. Pra me rregulloren e vjetër konkretisht me nenin 15 kryesia ka përcaktuar do gjë në lidhje me punën e Kuvendit, ndërsa me rregulloren e re kjo kompetencë i hiqet dhe vendoset tek një organ që quhet konferenca e kryetarëve. Ky organ duhet të shohim në aspektin kushtetues se si trajtohet, a bie ndesh me nenin 67 të Kushtetutës së Kosovës dhe nëse bie ndesh atëherë të sigurohemi që ky trup të mos ketë kësi lloj implikimesh”, theksoi Sejdiu.

 Ndërsa, deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj, tha se duhet të mos ketë diskriminim, meqë ka grup parlamentar që ka 11 dhe 12 deputetë por nuk kanë nënkryetarë të Kuvendit, derisa ka me 6 deputetë që kanë nënkryetar Kuvendi.

Demaliaj: Ka diskriminim të grupeve parlamentare

“Kur flasim për konferencën e kryetarëve ne kemi pasur një konsensus këtu se deri me tani veprimet e Kryesisë së Kuvendit kanë qenë diskriminuese në raport me grupet parlamentare në Kuvend. Është e vërtetë se konferenca e kryetarëve nuk vendos, mirëpo të shkojnë shefat e grupeve parlamentare në mbledhjet e Kryesisë dhe të shfrytëzohen në mënyrë statike sa për pjesëmarrje kjo nuk ka qenë adekuate. E them këtë meqë kemi grupe parlamentare me 11 dhe 12 deputetë por nuk kanë anëtarë të kryesisë dhe nënkryetar. Kryesues po të shoh që po i rrudhë krahët, por kemi grup parlamentar që ka 6 deputetë dhe ka anëtarë kryesie, atëherë a është diskriminuese kjo”, tha Demaliaj.

Ndaj deputetit Demaliaj u kundërpërgjigj nënkryetari i Kuvendit Kujtim Shala.

 Shala: Konferenca e kryetarëve qartësisht mekanizëm kundër kushtetues

 “Përfaqësimi në Kryesinë e Kuvendit është kushtetues, neni 67. Ju të gjithë po thuani se keni një konsensus por këtu po duket që nuk keni. E dyta, keni propozuar një kategori që do të marrë kompetenca kushtetuese, jo të kryesisë së Kuvendit sepse Kushtetuta e parasheh si një mekanizëm që administron, shikojeni pikën 6 dhe 7 të nenit 67 të Kushtetutës dhe do të vëreni se konferenca e kryetarëve merr kompetencat e kryetarit të Kuvendit, por në një nen më lartë ju ato kompetenca ia njihni edhe kryetarit. Por qartësisht mekanizëm kundër kushtetues”, tha Shala.

Shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate të Kosovës, Bilall Sherifi, e quajti të pakuptimtë refuzimin e konferencës së kryetarëve, duke thënë se nuk po ia marrin kompetencat kryetarit as Kryesisë.

 Sherifi: Konferenca e kryetarëve nuk ia merr kompetencat Kryesisë

“Ndryshimi real, substancial, cilësor është krijimi i një trupe përmes së cilës, nuk do t’i merreshin kryetarit kompetencat, por do të përfshiheshin vetëm në një çështje kryetarët e grupeve parlamentare, pra konferenca e kryetarëve nuk ndërhyn në kompetencat kushtetuese, së paku nga këndveshtrimi im dhe Nismës, të kryesisë, sepse ka të bëjë vetëm me një çështje, që ka të bëjë me rendin e ditës, thirrjen e seancave dhe rendin e ditës së seancave plenare. Nuk ndërhynë në asnjë çështje të cilat Kryesisë ia ngarkon Kushtetuta”, tha Sherifi.

Kuvendi i Kosovës ka shkuar në pushim për të vazhduar në orën 15:00./B.Syla/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat