Oda e Mjekëve e gatshme të marrë kompetencën për licencimin e profesionistëve

Aktuale

Oda e Mjekëve e gatshme të marrë kompetencën për licencimin e profesionistëve

Më: 24 mars 2018 Në ora: 10:34
Pleurat Sejdiu

Oda e Mjekëve të Kosovës muaj më parë ka marrë nga Ministria e Shëndetësisë, kompetencat e mbikëqyrjes etike dhe profesionale të kujdesit ndaj pacientëve, ndërsa, tani zyrtar të kësaj Ode thonë të jenë të gatshëm të marrin edhe kompetencën e licencimit të profesionistëve shëndetësor.

Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, në një intervistë për KP ka thënë se tashmë ka ardhur koha për të bërë bartjen e kompetencës së licencimit të profesionistëve shëndetësor dhe të edukimit të vazhdueshëm profesional dhe shëndetësor.

Sejdiu: Ka ardhur koha të diskutohet për bartjen e kompetencës së licencimit

“Shumë shpejt komisioni jonë i përbashkët me ministrinë vetëm se ka filluar punën, do të shqyrtojë bartjen e kompetencave të tjera. Të iu them të drejtën ministri ka qenë i gatshëm që në ditët e para të strukturave të reja të bart kompetencat, por ne nuk kemi qenë të sigurt se mund t’i marrim të gjitha ato kafshatë, kështu që ne kemi propozuar një nga një të merren dhe kështu do të veprojmë, kemi kohë mjaft që t’i marrim një nga një. Tash ka ardhur koha të diskutohet, organet tona profesionale me Ministrinë e Shëndetësisë për bartjen e kompetencës së licencimit të profesionistëve shëndetësor dhe të edukimit të vazhdueshëm profesional dhe shëndetësor që është komponentë që më së shumti i intereson profesionistëve shëndetësor. Oda tash e tutje do të mban kontrollin mbi cilësinë e trajnimeve të profesionistëve shëndetësor përmes akreditimit të konferencave të ndryshme, financimit të tyre dhe në këtë drejtim do të sigurohemi që mjeku jonë nuk do të shkojë apo konferencat nuk do të organizohen vetëm sa për sy e faqe të marrin disa pikë aty dhe të hanë një darkë. Jo, do të jetë një kontroll i rreptë sa i përket anës përmbajtëse të kësaj rreth akreditimit”, tha ai.

Ndërsa, sa i përket specializimit, Sejdiu thotë se kjo do të jetë më vonë pasi sipas tij është më e komplikuar.

Sejdiu: Specializimi do të jetë më vonë

“Komponenta e fundit është specializimet, ajo do të jetë më vonë se është pak më e komplikuar, do të thotë është më e gjerë dhe ne do t’i ndajmë punët në bazë të ligjit me Ministrinë e Shëndetësisë, ku ne do të merremi me përgatitjen e anës ligjore të nevojave të sistemit shëndetësor për profesionistë të ‘x’ lëmive. Ne vetëm e kemi bërë një grup të përbashkët kur kemi filluar analizën e nevojave, jo të japim specializime sa për të dhënë, por të japim vetëm aty që të mos vijmë në pozitë Ministria e Shëndetësisë, vërtet të vijë në pozitë të kemi specialistë të pa punë. Do të bëjmë kalkulime sa kemi nevojë, sa do të shkojnë në pension, sa është rata që mund të shkojnë jashtë, mund ta lënë sektorin publik. Mandej t’i jepen ato rekomandime Ministrisë së Shëndetësisë, e cila do të jetë dhe është organ kompetent i cili do të nxjerrë konkurset për specializim në bazë të rekomandimeve tona dhe e bënë përzgjedhjen në bazë të kritereve të përbashkëta. Pastaj, ne do t’i marrim prapë në mbikëqyrjen e kualitetit të specializimit të tyre. Besoj që edhe aty do të ketë ndryshime pozitive sa i përket mbikëqyrjes së kualitetit të trajnimit”, u shpreh ai.

Kryetari i Odës ka bërë të ditur se kanë filluar kontaktet e para me dy kolegje profesionale në Angli të cilat do të mbikëqyrin dhe do të organizojnë trajnimet.

Ai tha se janë në rrugë të mbarë që oda së bashku me Kolegjin mbretëror të Anglisë të bëjnë qendrën referuese për Ballkan të mjekësisë familjare për trajnime të mjekësisë familjare.

Pas marrjes së kompetencës së mbikëqyrjes etike dhe profesionale, kryetari Sejdiu ka thënë se kanë marrë lëndën e parë për të shqyrtuar nga strukturat e odës.

Sejdiu: Kemi filluar të marrim lëndën e parë

“Kemi filluar të marrim edhe lëndë e para të shqyrtohen nga strukturat e Odës çka është e mirë se do të thotë ka filluar bashkëpunimi i prokurorisë së shtetit e cila ka dërguar lëndë tek ne për ekspertiza nga ana e bordit Etiko-Profesional, që të shihen ka pasur gabim profesional apo jo. Prandaj, kjo është shumë e rëndësishme ku ne shpresojmë se më nuk do të ketë keqkuptime rreth a bëri gabim mjeku, e vrau apo vdiq një pacient në duart e mjekut për shkak i kompetencave profesionale apo nga gabimi profesional. Nuk do të mund të merren pa keqkuptime mediat se a ka pasur faj mjeku apo nuk ka pasur faj mjeku, do të ketë një organ i cili do të bëjë drejtësi. Nuk do të merren policët e krimeve të rënda të shqyrtojnë anën profesionale, gabimit profesional, do të thotë do të jetë ndihmë si për prokurorinë e shtetit, si për policinë, organet e hetuesisë një mendim i koncentruar nga një organ profesional siç janë këto organe të odës”, theksoi ai.

Funksionalizimi i Odës së Mjekëve do të ketë përfitime edhe për pacientët, i cili do të sigurohet se profesionisti i cili i jep shërbim është adekuat.

Sejdiu: Oda do të siguroj edhe pacientët në shërbim

“Oda për pacientët do të siguroj se profesionisti i cili i jep shërbimin është adekuat, se është brenda ligjit, i ka të gjitha tiparet kornizën ligjore për të dhënë një shërbim. Ne do të sigurojmë se ai profesionist do të jep trajtimin e duhur në bazë të kapaciteteve të institucionit që i ka dhe do të sigurojmë që çdo trajtim i cili mund të jetë diskutabil nga ana e pacientit të sigurojmë pacientin se ajo do të shqyrtohet dhe do të sigurohet që ajo ka qenë një trajtim si duhet. Tash çështjet të cilat mund të kontestohen ato do të sigurohen që do të ndahet një drejtësi do të sqarohet çdo veprim i kontestueshëm apo të themi i dyshimtë nga ana e palës në këtë rast pacientit, marrësit të shërbimit që të sigurohet se ai në të vërtet ka qenë apo jo i tillë. Por, duhet të jemi shumë të sinqertë që të gjitha këto do të varen edhe nga kushtet që institucionet tona publike apo private ofrojnë për profesion istët tanë shëndetësor për ushtrimin e mirëfilltë të një trajtimi”, tha ai.

Me bartjen e kompetencës së mbikëqyrjes etike dhe profesionale ka filluar vetërregullimi i komunitetit mjekësor, që nënkupton ngritje e ndërgjegjshmërisë ndaj pacientëve dhe përgjegjësi profesionale nga doktorët e mjekësisë, por që sipas kryetarit të odës, punëtorët shëndetësorë nuk kanë qenë shumë të informuar për rolin e odës.

Kjo sipas tij është kuptuar kur kanë kërkuar që punëtorët shëndetësor të anëtarësohen në odë dhe se kanë parë që nuk kanë qenë të informuar se është obligim që të jenë anëtar të odës për të ofruar shërbime shëndetësore.

Punëtorëve shëndetësor të cilët nuk janë anëtarësuar deri më 28 shkurt, iu është dërguar një qarkore shpjeguese që në bazë të ligjit nuk kanë të drejt të ofrojnë shërbime shëndetësore nëse nuk janë anëtar të odës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat