Gjykata Kushtetuese, adresa e fundit e Vetëvendosjes për ta kundërshtuar demarkacionin

Aktuale

Gjykata Kushtetuese, adresa e fundit e Vetëvendosjes për ta kundërshtuar demarkacionin

Më: 24 mars 2018 Në ora: 18:20
Albulena Haxhiu

Marrëveshja për kufirin e Malin e Zi, edhe pse është ratifikuar në Kuvend, nënshkrimi i saj si projektligj i miratuar nga kryetari i Kuvendit mund të vonojë, për shkak se Vetëvendosje ka paralajmëruar se këtë marrëveshje do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli,  sipas Kushtetutës, duhet të pres afatin ligjor prej tetë ditësh, nëse do të ketë ndonjë kontestim për këtë ratifikim, e pastaj ta nënshkruaj atë përfundimisht.

Ndërsa, sipas njohësve të çështje politike, dërgesa në Kushtetuese e kësaj marrëveshje, po shihet si një veprim nga Vetëvendosje për të treguar se ata nuk po ndalen së kundërshtuari këtë marrëveshje.

Analisti Imer Mushkolaj, ka vlerësuar se kjo Gjykatë mund mos ta marrë fare parasysh lëndën e Vetëvendosjes, pasi që ajo është miratuar me 80 vota nga deputetët e Kuvendit.

“Është një veprim që zakonisht Vetëvendosje e merr, që është shumë mirë që i drejtohet institucioneve, e njeh Gjykatën Kushtetuese si të tillë, por nuk besoj që do të ketë efekt. Gjykata Kushtetuese ndoshta do të hedh si lëndë të papranueshme, siç ka vepruar me rastet tjera”

“Është një veprim sa për me tregu që me gjithë atë po vazhdojmë ta kundërshtojmë demarkacioni, por duhet pasur parasysh që ligji është miratuar me votat e 80 e deputetëve”, ka thënë Mushkolaj.

Albulena Haxhiu, deputete nga kjo parti ka treguar ditë më parë, që janë duke i përpiluar dokumentet që këtë ratifikim ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese, që fillimisht kjo Gjykatë ta pezullojë këtë ratifikim, që do të nënkuptonte ndalimin e nënshkrimit të saj nga Kadri Veseli.

Por, për Mushkolaj një veprim i tillë nga Vetëvendosje është i panevojshëm.

Ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, ka qenë njëri nga kushtet e BE-së, për Heqjen e vizave, ndërsa që Mushkolaj nuk pret se dërgimi në Kushtetuese do të ketë efekte sa i përket vendimit për heqjen e vizave.

“Do të kishte efekt po të ishte caktuar data për liberalizim, por ne nuk e dimë se kur do të ndodh ajo, kështu që VV le ta kryejnë punën e vet, edhe pse unë e shohë totalisht të panevojshme një gjë të tillë”, ka vlerësuar Mushkolaj.

Vetëvendosje, e cila pos që e nuk votoj  pro ratifikimit të kësaj marrëveshje, me arsyetimin se Kosova humb territor, në seancën e së mërkurës, tentoi ta pengonte votimin e saj edhe me hedhje të gazit lotsjellës, duke hedhur 4 herë gaz që bëri të ndërpritet seanca disa herë.

Për këto veprime 7 deputetë të Vetëvendosjes u arrestuan nga policia.

Kuvendi të mërkurën e votoi Demarkacionin me Malin e Zi, me 80 vota për dhe 11 kundër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat