Rregullimi i konfliktit të interesit, kriter për agjendën evropiane

Aktuale

Rregullimi i konfliktit të interesit, kriter për agjendën evropiane

Më: 28 mars 2018 Në ora: 13:58
Dëgjimi publik

Në kudër të plotësimit të agjendës së reformave për liberalizimin e vizave, është edhe plotësimi dhe ndryshimi i ligjit për konfliktin e interesit në ushtrimin e funksionit publik.

Në kuadër të kësaj, Komisioni për Legjislacion, në bashkëpunim me KDI-në kanë mbajtur dëgjimin publik rreth këtij projektligji, ku edhe është publikuar hulumtimi i cili ka për qëllim identifikimin e problemeve dhe praktikave evropiane për t’i inkorporuar në plotësim ndryshimin e ligjit për konfliktin e interesit.

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, i cili ka bërë hulumtimin për Komisionin për Legjislacion, tha se nevoja për plotësim-ndryshimin e këtij ligji ka ardhur pasi raporti i progresit i vitit 2016 kishte kërkuar që gjatë vitit që shkoj, Kosova të ndryshoj kuadrin ligjor mbi konfliktin e interesit në ushtrimin e funksionit publik.

Ai tha se hulumtimi që kanë bërë, përcakton rregullat që duhet bërë në politikat kundër korrupsionit dhe konfliktit të interesit.

Miftaraj: Dokumenti përcakton listën e kontrollit për politikat anti korrupsion

“Ky dokument i ka përcaktuar edhe listën e kontrollit lidhur me politikat kundër-korrupsionit dhe konfliktin e interesit dhe zbatimit në praktikë që është ndarë në tri fusha. Në masa preventive që kanë përcaktuar me atë se kontrolli bëhet se shtetet sa kanë përcaktuar rregulla specifike për zyrtarët publik në ushtrimin e funksioneve publike, kufizimet për të pranuar dhurata dhe kufizimet tjera. Nëse ka rregulla që parandalojnë konfliktin e interesit në vendimmarrje nga zyrtarët publik duke përfshirë edhe zbulimin e konfliktit të interesit dhe nëse të gjitha kategoritë e zyrtarëve publik i ndërmarrin masat e lartpërmendura”, tha Miftaraj.

Miftaraj, po ashtu ka përmendur edhe praktikat e vendeve të Bashkimit Evropian, duke thënë se vendet e BE-së nuk kanë një praktikë unike, por secili vend e bënë rregullimin me rregulla të brendshme.

Miftaraj: Praktikat e vendeve të BE-së

“Gjatë hulumtimit çka kemi gjetur është se nuk ka një praktikë unike, në radhë të parë në shtetet e BE-së lidhur me konfliktin e interesit. Shtetet e BE-së këtë e rregullojnë me rregulla të brendshme, me procedura lidhur me sjelljen e zyrtarëve publik. Sidoqoftë të gjitha shtetet e BE-së i kanë të përcaktuara dy masa, dy parime të cilat e kontrollojnë konfliktin e interesit, e që bëhet përmes kufizimit dhe zbulimit. Kufizimet kanë për qëllim të parandalojnë situata që mund ta dërgojnë zyrtarin publik në konflikt të interesit si rezultat i sjelljeve të caktuara gjatë vendimmarrjes së zyrtarit publik. Si dhe zbulimi i konfliktit të interesit në shtetet e BE-së është i rregulluar përmes politikave që përcaktojnë obligimin e zyrtarit të lartë publik të zbuloj dhe regjistroj situata eventuale të konfliktit të interesit gjatë ushtrimit të funksionit publik gjatë deklarimit”, theksoi ai.

Florent Spahija, këshilltar ligjor në Institutin Demokratik të Kosovës, ka pasur vërejtje tek sanksionet kur një zyrtarë zihet në konflikt interesi.

Spahija: Sanksionet kanë mbetur të njëjta

“Vërejtjet tona kanë qenë të sanksionet sepse kanë mbetur të njëjta. Propozimi ynë konkret ka qenë për një kohë dhe e kemi shtyrë përpara që mos të paraqitet direkt në kundërvajtje por të ketë të drejt të sanksionimit, normalisht përmes Agjencisë Kundër Korrupsionit, në rastet kur vërehet se ka konflikt të interesit dhe personat të cilët gjenden në konflikt të interesit atëherë, jo për shuma të mëdha, por që mund të ndikojnë në përmirësim”, theksoi Spahija.

Ndërsa, Betim Musliu, ka paraqitur një problem rreth ushtrimit të aktiviteteve që ndërlidhen me jetën pedagogjike nga prokurorët dhe gjyqtarët.

Ai tha se ushtrimi i funksioneve nga këta zyrtarë edhe në cilësinë e ligjëruesve në Kosovë, paraqet problem real të konfliktit të interesit.

Musliu: Prokurorë e gjyqtarë që ligjërojnë në universitete private kanë konflikt interesi

“Kemi pasur rast në të cilat kemi identifikuar prokurorë dhe gjyqtarë që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë ligjërues në disa prej institucioneve të cilat janë të inkriminuara së paku bazuar në rastet e hetimeve që kanë filluar këto institucione të brishta që kemi të ndjekjes. Fakti që dikush ligjëron në atë institucion dhe është pjesë e organit të akuzës automatikisht e krijon perceptimin në publik që do t’i ofrohet një mbrojtje atij institucioni, dhe praktikisht kështu ka ndodhur dhe është duke ndodhur”, tha Musliu.

Në këtë hulumtim janë paraqitur edhe disa raste, si ai i Sllovenisë. Ky shtet i BE-së, qysh në vitin 2010 ka miratuar Ligjin për Integritet dhe Parandalimin e Korrupsionit, që përcakton masat dhe metodat që kanë për qëllim forcimin e integritetit, transparencës në parandalimin dhe luftimin e konfliktit të interesit. Po ashtu, është marrë shembull edhe rasti i Letonisë, vend ky që hynë në kuadër të shteteve të BE-së që kanë të rregulluar kornizën legjislativë në mënyrë gjithëpërfshirëse. Ky shtet ka miratuar ligjin për konfliktin e interesit në vitin 2002. Hulumtimi ka paraqitur edhe rastet e Kroacisë, Bullgarisë, Malit të Zi dhe Mbretërisë së Bashkuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat