Haradinaj: Vuçiq mund të vijë në Kosovë, por s’mund të sillet jashtë ligjit

Aktuale

Haradinaj: Vuçiq mund të vijë në Kosovë, por s’mund të sillet jashtë ligjit

Më: 29 mars 2018 Në ora: 15:11
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në konferencën për media, pas mbledhjes së Qeverisë, tha se nuk ka qenë në veri mbrëmë siç kanë raportuar mediat, por tha se komunikon rregullisht me veriun.

Ai ka thënë  se ende nuk ka arritur të hyjë në temën e asociacionit, pasi që ka pasur shumë probleme tjera, me të cilat është marrë gjatë kësaj kohe.

Ndërsa e pyetur se me kënd ka biseduar presidenti serb Aleksandar Vuçiq në Kosovë, ditën e arrestimit të Marko Gjuriqit në Mitrovicën e Veriut, kryeministri Haradinaj tha se nuk di me kënd ka biseduar Vuçiq, por ai ka biseduar vetëm me Dalibor Jevtiqin.

E sa i përket ndikimit rus në veri dhe bisedave të presidentit të Serbisë me atë të Rusisë, kreu i Ekzekutivit vendor tha se nuk mund të flasë për atë, pasi janë ‘agjendat e tyre’.

Haradinaj: S’mund ta komentoj ndikimin e Rusisë

“S’mund të komentoj ndikimin e Rusisë, e çka bën presidenti Vuçiq me Rusinë,  ato janë agjendat e tyre. Vetëm një gjë mund  ta them që e kam thënë dhe dje, Kosova ekziston nuk mund të ç’bëhet Kosova  për hatër të askujt. Ekziston në bazë të kushtetutës së vet, ligjeve të veta, territorit të vet.  Është e pamundur që dikush ta kontestojë këtë”, tha Haradinaj.

Ndërsa i pyetur për një vizitë të paralajmëruar të presidentit Vuçiq në Kosovë, Haradinaj tha se ai mund të vijë në Kosovë sa herë të dojë,  por  se nuk mund të sillet jashtë ligjit.

Ndërkaq ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, tha se tarifa e Rrugës së Kombit është e papërballueshme për qytetarët dhe bizneset dhe se ai i ka dërguar letër homologut të tij që kjo çështje të diskutohet.

Ai me këtë rast kërkoi mbështetjen e Qeverisë së Kosovës që së bashku me Qeverinë e Shqipërisë të shikojnë mundësinë e uljes së këtij çmimi.

Lekaj: Të shikohet mundësia e uljes së çmimit

“Unë shfaq shqetësimet e mia, sepse mendoj që tarifa është shumë e  lartë dhe e papërballueshme për qytetarët tanë dhe bizneset. Unë kam shkruar një letër dërguar homologut tim ministrit Gjiknuri që nëse ka hapësirë të diskutohet, sepse është interes i përbashkët dhe kur dihet që në atë rrugë nuk ka rrugë alternative, që mund të lëvizin qytetarët tanë dhe pothuajse i kanë detyruar në të njëjtën rrugë. Ajo rrugë nuk është përfunduar dhe shkon në dëm të qytetarëve tanë, kur dihet 70 për qind të frekuentimit të asaj rruge vjen nga qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha ministri Lekaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat