Rruga e Kombit, Thaçi: Jam dakord me taksën, por të rishikohet çmimi

Aktuale

Rruga e Kombit, Thaçi: Jam dakord me taksën, por të rishikohet çmimi

Më: 29 mars 2018 Në ora: 22:19
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka komentuar për herë të parë vendosjen e pagesës në Rrugën e Kombit që lidh Shqipërinë me Kosovën.

Megjithëse në parim është shprehur dakord me vendosjen e një pagese për Rrugën e Kombit, Thaçi ka kërkuar respektimin e standardeve ndërkombëtare dhe rishikim të shumës.

“Nuk jam këtu që t’i komentoj vendimet e qeverisë së Shqipërisë, por e di se ka standarde ndërkombëtare të cilat duhet të respektohen edhe nga qeveria e Shqipërisë. E para duhet të kryhet rruga që të jetë autostradë moderne, në anën tjetër duhet të ketë edhe alternativa për njerëzit që nuk kanë mundësi që të paguajnë”, tha Thaçi mbrëmjen e së enjtes në një intervistë për Jeta në Kosovë.

Thaçi tha se taksat duhet të paguhen për mirëmbajtjen e rrugëve, por shtoi se është me interes që të rishikohet çmimi.

“Duhet të kuptojmë edhe diçka tjetër, taksa duhet të paguhet. Tash a janë të larta apo të ulëta, duhet të marrim vendime si institucione të vendit, sepse duhet t’i mirëmbajmë disi autostradat që janë ndërtuar. Sikur të ishte përmbyllur rruga, është çështje e diskutueshme. Unë të them të drejtën nuk kam udhëtuar shumë në autostrada, që t’i di sa paguhet për kilometër. I kam dëgjuar me vëmendje vërejtjet, sugjerimet e qytetarëve dhe njerëzve profesionistë, mendoj se do ishte me interes të rishikohet”, tha Presidenti i Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat