Deputetja e Kuvendit i quan terroristë gulenistët e arrestuar, Veseli dhe Haradinaj flasin për shkarkimet

Aktuale

Deputetja e Kuvendit i quan terroristë gulenistët e arrestuar, Veseli dhe Haradinaj flasin për shkarkimet

Më: 30 mars 2018 Në ora: 07:08

(E plotësuar) - Shefi i deputetëve të PDK-së, Memli Krasniqi, tha se pamjet e djeshme nuk e kanë bërë të ndihet mirë askush.

Derisa ka kërkuar sqarime dhe informacione të plota rreth kësaj çështje.

Krasniqi: Kërkojmë sqarime dhe informacione të sakta për situatën e djeshme

 “Arsyeja tjetër është paqartësia në vendimmarrje në lidhje me aksionin, gjë që besoj se nuk e ka bërë të ndjehet mirë askënd kur kemi parë aq shumë udhëheqës institucional që kanë deklaruar se nuk janë të informuar dhe nuk dimë se si ka ardhur deri të ky aksion. Unë besoj se përtej deklarimeve politike dhe institucionale ne sot dhe në ditët në vijim kemi nevojë për informacione të sakta dhe një qartësim të kësaj situate. Është e tepër që edhe si përfaqësues në institucione të mbetemi peng vetëm i raportimeve mediale apo spekulimeve që janë të shumta në 24 orët e fundit. Kuvendi i Kosovës duhet të njoftohet për zhvillimet e djeshme në detaje”, tha Krasniqi.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, tha se fatkeqësisht dje kanë parë në praktikë kolapsin në të cilin janë institucionet e vendit.

 Konjufca: Aksioni i djeshëm ka pasoja fatale për shtetin

“Si është e mundshme që të dalin tri figurat kryesore të shtetit, presidenti del e dënon, kryeministri thotë nuk kam pasur informacion edhe ju kryetar e keni dënuar aksionin e djeshëm i cili ka pasoja fatale për vendin. Si është e mundur që në shtetin tonë të ketë struktura paralele shtetërore t cilat veprojnë pa e ditur politika vendimmarrëse. Kjo është sfida që e kemi përjetuar në ditën e djeshme. Sa i përket të drejtave të njeriut, kjoë shtë një kthim i paimagjinueshëm mbrapa për shtetin e Kosovës. Sepse konventat evropiane të aplikueshme në Kosovë janë shkelur ditën e djeshme”, theksoi Konjufca.

Deputetja e partisë turke Myfera Shinik, tha se dëbimi i gjashtë turqve është bërë në mënyrë ligjore, derisa i ka quajtur terroristë. Ajo tha se, këta, siç i ka quajtur ajo, terroristë, mund ta dëmtojnë Kosovën. Derisa ka dënuar shkarkimin e ministrit Sefaj.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se ai ka marrë informacione nga palët e treta se ka ndodhur deportimi i gjashtë shtetasve turq.

Haradinaj ka sqaruar se deportimi i tyre ka ndodhur mes dy organizatave, të AKI-së dhe Policisë së Kosovës, MPB-së.

Haradinaj: S’u lajmëruam fare për këtë aksion, u kry vetëm nga AKI dhe PK

“Nga informatat ka dal se ky informacion ka qenë bilateral vetëm i dy organizatave në Kosovë, dy institucioneve, AKI-së dhe i Policisë sonë, MPB-së. Inicimi i kësaj procedure është bërë nga AKI-ja, pra për revokim të lejeve të qëndrimit për shkak se personat e caktuar, të dhënave që ka AKI-ja paraqesin rrezik për Kosovën. Në bazë të këtij vlerësimi AKI ka bazë ligjore t’i kërkoj MPB-së dhe departamentit për Azil, që të ndodh deportimi i tyre dhe deportimi ishte i menjëhershëm, pra proceduralisht kjo po ndodhke. Në pamje të parë ky deportim i tillë nuk ka shkelje ligjore dhe normave që ka Kosova. Ekzistojnë disa shkelje tjera që janë shumë të rëndësishme dhe bazuar në ato që kam mundur të nxjerr mbrëmë se ky veprim i tillë, pa hyrë në atë sa janë të rrezikshëm, është një problem nuk janë informuar vendimmarrësit”, tha Haradinaj.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka shprehur indinjatën e thellë rreth arrestimit dhe deportimit të djeshëm të gjashtë shtetasve turq për në Turqi.

Veseli: Nuk kisha besuar se një ditë si dita e djeshme do të isha aq i turpëruar

 “Gabimi i parë institucional, se në qoftë se kanë qenë terroristë është dashur dy vjet më herët të largohen, me procedura ngadalë. Kam bërë çka ka qenë e mundshme, i kam thirrur të gjithë, e kam thirrë kryeministrin, qdo institucion. Kam qenë në gjendje të shkoj edhe në aeroport, vetëm fatkeqësia e tyre kanë lajmëruar vonë, në kohën kur ishin gatuar të gjitha. Veprimet e paprecedente. Kurrë nuk kisha besuar se një ditë si dita e djeshme do të isha aq i turpëruar, jo si institucion, si kryetar i Kuvendit, sepse i forti të shtin me u ulë nganjëherë, por nga ajo si çka po ndodh në një shtet që kam përgjegjësi. Një popull i vuajtur, krejt kemi qenë të pambrojtur. Imagjinojeni me na pas degdisë qysh kishin dasht, kush të kish dashtë. Se me së rëndi është kur je me së rëndi qysh vepron. Ne gjithë krenohemi dhe përmendim se si nuk i kemi dorëzuar çifutët gjatë luftës së dytë botërore, çka bëmë ne, i do rëzuam njerëzit që nuk e dimë ku i kemi dorëzuar, çfarë standarde, mirë është mund ta deportojmë dikë, në të gjitha format, por me dinjitet, por jo me i marrë si mi kidnapuar”, tha Veseli.

Ai ia ka bërë përgjegjës të gjithë krerët institucional, duke përfshirë presidentin, kryeministrin dhe vetën si kryetar i Kuvendit.

Veseli: Shkarkimet nuk do ndalen me kaq

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka drejtuar kritika të ashpra ndaj institucioneve të vendit lidhur me arrestimin e më pas deportimin e gjashtë shtetasve turq.

Veseli tha se nuk ka ditur asgjë dhe për këtë çështje është njoftuar nga familjarët. Ai ka treguar se në këto shkolla të “terroristëve” shumica e politikanëve i kanë fëmijët e tyre e edhe vet ai.

Veseli ka komentuar edhe për shkarkimet e sotme por ka lënë të kuptohet se nuk do të jenë të fundit.

Haradinaj: Shkarkimi i Sefajt nuk është kundër partisë së tij

Kryeministri Ramush Haradinaj nga foltorja e Kuvendit ka folur lidhur me situatën e krijuar në vend pas arrestimit dhe dëbimit të shtetasve turq nga Kosova gjatë ditës së djeshme.

Haradinaj tha se shkarkimi i ministrit Sefaj nuk është kundër tij, apo kundër subjektit politik që ai i përket, AKR-së së Behgjet Pacollit.

“Unë kam shkuar menjëherë te presidenti i vendit, me e pyet si është gjendja. Pas raportimeve nga përgjegjësia që kam, jam i detyruar që të veprojë. Kjo është shkelje e hierarkisë”, tha ai, duke folur për shkarkimin e ministrit të brendshëm dhe shefit të AKI-së.

Haradinaj ka bërë të ditur edhe një herë se nuk ka qenë në dijeni të këtij veprimi të ndërmarrë.

“Ta elaboroj para jush zhvillimin e djeshëm, kam kërkuar shpjegimet ashtu siç i parasheh procedura. Nga informatat që kam aksioni ka qenë bilateral, i AKI-së dhe i policisë sonë, i Ministrisë së Punëve të brendshme, inicimi është bëra nga KSI, për shkak se personat e caktuar paraqesin rrezikshmëri të rrezikshme”, u shpreh ai.

“Në pamje të parë nuk ka shkelje ligjore, por ekzistojnë disa shkelje të tjera që janë shumë të rëndësishme. Është një problem, nuk janë informuar vendimmarrësit”, tha kryeministri. 

Deputetja e Kuvendit i quan terroristë gulenistët e arrestuar

Deputetja e partisë Demokratike Turke Myfera Shinik, tha se dëbimi i gjashtë turqve është bërë në mënyrë ligjore, derisa ata ika quajtur terroristë.

Ajo tha se, këta, siç i ka quajtur ajo, terroristë, mund ta dëmtojnë Kosovën.

Deputetja turke ka dënuar shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme Flamur  Sefaj nga ana e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Bilalli: Shteti i turpit, i dorëzuam turqit si në kohën e Hitlerit

Shefi i Grupi Parlamentar të Nismës, Bilall Sherifi, ka thënë se edhe përkundër që tre liderët shtetërorë u deklaruan se nuk e dinin se ishin arrestuar shtetasit turq, të gjithë e dinë se kush e urdhëroi rrëmbimin e 6 gylenistëve pa asnjë shpjegim. Sherifi e krahason dorëzimin e turqve me kohën kur i dorëzoheshin të pafajshëm Hitlerit.

Bilall Sherifi thotë se nuk jemi i vetëdijshëm për turpin që ka ndodhur dje në shtetin e Kosovës duke rrëmbyer dhe dëbuar 6 shtetas turq, drejtues dhe profesor të kolegjit Mehmet Akif.

Ai poashtu thotë se janë gënjeshtra kur tre udhëheqsit thanë se nuk e kanë diturpër depërtimin e gylenistëve sepse Sherifi thotë se të gjithë e dinë kush e urdhëroi.

“A jemi jmjaftueshëm të vetëdijshëm cka ndodhi dje? Kush nuk e di cka ndodhë në vendin e tij ai është në vendin e gabuar. E dimë të gjithë se kush e ka ditë, por e edhe kush e udhëru”, ka thënë shefi i GP të Nismës.

 Sherifi e ka krahasuar veprimin e djeshëm me mënyrën se si i janë dorëzuar njerëzit Adolf Hitlerit.

“Një nga këta koka turke të tregojë se si ndodhi kjo. Parlamenti e ka për detyrë të mos thotë ndodhi. 6 njerëz janë dorëzu si në kohën e fashizmit kur i dorëzoheshin Hitlerit”, ka thënë Sherifi.

Sherifi thotë se është atakuar e drejta themelore e njeriut dhe është shkelur sundimi i ligjit.

“Nuk kemi pasur akt të ekstraditmit sepse kjo bëhet me anë të gjykatave. Dje kemi pasë akt rrëmbimi dhe dëbimi të gjashtë qytetarëve të huaj”

Sherifi thotë se sikur të kalonte nëpër procedurë gjyqësore, me siguri se nuk do të vendosej që të dëboheshin turqit prandaj kanë zgjedhur formën e dëbimit.

Molliqaj pyet: Kush urdhëroi arrestimin e shtetasve turq

Dardan Molliqaj nga Grupi i Deputetëve të Pavarur (GDP) i është bashkuar debatit që po zhvillohet në Kuvendin e Kosovës lidhur me arrestimin dhe dëbimin e shtetasve turq.

Molliqaj ka shprehur habi lidhur me deklarimet e tre krerëve institucionalë se nuk ishin në dijeni të aksionit policor. Ai ka përmendur një herë rastin e arrestimit të Marko Gjuriq, pastaj edhe atë të shtetasve turq.

Sipas Molliqaj, në rastin e Gjuruqit prapa qëndrojnë urdhrat nga presidenti Hashim Thaçi.

“Momenti i dytë është ky i djeshëm kur kemi depërtimin e gjashtë shtetasve turq kur kanë dokumentet e Kosovës, e ajo që mu më shqetëson është që Kryeministri e pastaj edhe Presidenti se nuk kanë qenë në dijeni”, tha ai.

“Unë jam i bindur se nuk mund të ketë deportim të shtetasve turq pa leje nga institucionet. Nuk ka as polici as AKI që guxon me marrë një vendim të tillë pa i thënë dikush me e bë”, duke shtuar se krerët ose po mashtrojnë duke thënë që se dinë, ose është dikush që mund të jap urdhra pa e ditur institucionet e Republikës.

Molliqaj tha se sipas kësaj, qenka dikush që merr vendime për Kosovën, pa e ditur udhëheqësit e shtetit.

Debati për çështjen e dëbimit të shtetasve turq nuk është pjesë e rendit të ditës për këtë seancë të Kuvendit. 

Kuvendi mblidhet sot në dy seanca të ndara

Kuvendi i Republikës së Kosovës sot do te mblidhet në dy seanca të ndara në të cilat do të votoj, shqyrtoj dhe diskutoj për disa vendime dhe projektligje të fushave të ndryshme.

Në seancën e parë Kuvendi do të diskutoj pikat e papërfunduara nga seanca plenare, mbajtur më 16 dhe 23 mars ku pika e pare e rendit te ditës është Votimi i rekomandimeve nga Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupi Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, lidhur me vdekjen e dhunshme të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

Kuvendi po ashtu do të votoj Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare në mes të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës (MASHT) dhe Stitching Spark-ut të Holandës (SPARK) mbi mbështetjen e Kolegjit Ndërkombëtar të Biznesit Mitrovica,

Edhe votimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Themelimin e Shkollës Rajonale të Administratës Publike (ReSPA) dhe votimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për Projektin e Autostradës Kijevë-Zahaq do të jenë nder dy pikat e rëndit të ditës se vazhdimit të seancës.

Më pas Kuvendi shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Presidentin e Republikës së Kosovës, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror, Projektligjin për infrastrukturën kritike, Projektligjit mbi masat doganore për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit. 

Ndërkaq në seancën e rregullt Kuvendi shqyrton Projektligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorin e Shtetit, Projektligjin mbi Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike, Projektligjit për azil, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të huajt, Projektligjin mbi Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Sigurinë Bërthamore, etj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat