FDH për deportimin e 6 turqve: Të vërtetohet përgjegjësia politike për shkeljen brutale të të drejtave të njeriut

Aktuale

FDH për deportimin e 6 turqve: Të vërtetohet përgjegjësia politike për shkeljen brutale të të drejtave të njeriut

Më: 30 mars 2018 Në ora: 18:02
Të arrestuarit

Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë e ka dënuar ashpër deportimin urgjent dhe të fshehtë të gjashtë shtetasve turq (pesë arsimtarëve dhe një mjeku) nga territori i Republikës së Kosovës në vendin e tyre amë.

“Ky deportim është i pashembullt në praktikën e deritashme dhe përbënë shkelje të rëndë të lirive dhe të drejtave fundamentale të qytetarëve, të cilat duhet të jenë të shenjta në një shtet i cili dëshiron të bëhet pjesë e sistemit evro-perëndimor”, thuhet në njoftimin për media.

“Në rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq janë shkelur: – parimet themelore ndërkombëtare dhe standardet mbi deportimin, sepse nuk është marrë fare parasysh fakti se në rastin e deportimit të gjashtë qytetarëve të Turqisë është fjala për kundërshtarët politikë të regjimit aktual turk dhe për këtë arsye ata mund t’i ekspozohen shkeljes së rëndë të të drejtave të tyre nga ana e regjimit turk”.

“Deportimi i djeshëm përbënë shkelje të rëndë të konventave ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut, por edhe të Ligjit mbi bashkëpunimin juridik ndërkombëtar të Kosovës, i cili në nenin 14 parasheh se nuk mund të dorëzohet personi i cili mund të jetë subjekt i veprës politike penale si edhe atëherë kur nuk mund të garantohet se personi i dorëzuar mund të ketë garanci minimale për gjykim të drejtë”.

“Kjo i dërgon botës një imazh negativ mbi Kosovën”.

FDH Kosovë vlerëson se nuk është e mjaftueshme vetëm të identifikohen “fajtorët” dhe të shkarkohen udhëheqësi i AKI-së dhe ministri i punëve të brendshme, për njollën e djeshme e cila i është shkaktuar imazhit të Kosovës.

“Që diçka e këtillë të mos ndodh më kurrë është e nevojshme të vërtetohet përgjegjësia politike për shkeljen brutale të të drejtave themelore të njeriut dhe duhet të krijohet një mekanizëm i tillë juridik, i cili në mënyrë të përhershme do të parandalojë mundësinë e lojës me jetët e atyre, të cilët kanë besuar se mund të jenë të sigurt në Kosovë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat