Askush nuk kishte informacion se a u larguan nga Kosova ditën kur u arrestuan.
Deri më tani gjithçka ishte e mjegullt se çfarë ka ndodhur me gjashtë shtetasit turk që u arrestuan më 29 mars në Kosovë dhe pikëpyetja më e madhe ishte se a u deportuan në Turqi?
Familjarët e të arrestuarve këmbëngulnin se të arrestuarit gjenden në Kosovë, konkretisht në pjesën e vjetër të aeroportit të Prishtinës. Mirëpo, lajmi ka siguruar pamje ku të arrestuarit shihet tek sa lënë Kosovën. Ata kalojnë nga pjesa e zonës VIP e Aeroportit të Prishtinës për të kaluar më pas tek aeroplani i Inteligjencës turke ku po i priste në pistë.
Të arrestuarit shihen se janë të shoqëruar nga policia e Kosovës dhe, në video shihen qartë se ata kanë kaluar në zonën VIP të Aeroportit të Prishtinës rreth orës 10:00 minuta të mëngjesit. Gjithashtu pamjet e tjera tregojnë një kombi-bus që i ka shoqëruar deri të aeroplani turk për t’i nisur më pas në Turqi.
Nga ana tjetër, mediat turke, raportojnë se të deportuarit tash janë duke u marr në pyetje nga prokuroria turke.
Kujtojmë, se me insistimin e familjarëve, mbrëmë (e premte) Aeroporti i Prishtinës u kontrollua nga EULEX-i për të vërtetuar se a janë deportuar nga Kosova gjashtë shtetasit turq të arrestuar mëngjesin e së enjtes. EULEX-i gjatë kontrollues nuk gjeti asgjë.
Përveç kësaj krerët e institucioneve shtetërore, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, nuk kanë qenë në dijeni dhe nuk kanë poseduar informacion se çfarë ka ndodhur konkretisht me të arrestuar, së paku kështu janë deklaruar para familjarëve (ku i priti në takim kryeministri Haradinaj) dhe para mediave.
Megjithëkëtë, krerët e shtetit nuk kanë qenë në dijeni, siç u deklaruan, se si ka ndodhur arrestimi i gylenistëve. Pas këtij ‘skandali’, kryeministri Haradinaj ka shkarkuar nga detyra ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefajn dhe Drejtorin e Agjencisë se Inteligjencës së Kosovës, Drilon Gashin.
Të arrestuarit janë identifikuar si Cihan Özkan, Kahraman Demirez, Hasan Hüseyin Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina.