New York Times lidh vrasjet e pasluftës me ngritjen e Hashim Thaçit në pushtet

Aktuale

New York Times lidh vrasjet e pasluftës me ngritjen e Hashim Thaçit në pushtet

Më: 3 prill 2018 Në ora: 22:53
Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi

Duke u mbështetur në narrativën e Beriana Mustafës lidhur me situatën politike të krijuar pas vrasjes së babait të saj dhe sulmit ndaj Fetah Rudit, New York Times thekson se këto ngjarje forcuan dhe ngritën në pushtet Hashim Thaçin. "Strategjia funksionoi. Thaçi u bë kryeministër në vitin 2008, një muaj para shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe pastaj president në vitin 2016", shkruan NYT.

Në një reportazh të realizuar nga Kosova lidhur me Gjykatën Speciale për Krime Lufte, gazeta prestigjoze amerikane New York Times i ka lidhur vrasjet e shqiptarëve etnikë pas luftës me ngritjen në pushtet të Hashim Thaçit pak para shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

I fokusuar në vrasjet e pasluftës në Kosovë dhe shpresën e viktimave në Gjykatën Speciale, artikulli i New York Times, i titulluar: “Pas luftës në Kosovë, sulmet vazhduan. Një gjykatë tani premton drejtësi”, ngërthen në vete rrëfimet e dy personazheve: ish-aktivistit të LDK-së Fetah Rudit – i plagosur 18 muaj pas përfundimit të luftës dhe Berianë Mustafës, vajzës së aktivistit të vrarë të LDK-së, Xhemajl Mustafës.

Fetah Rudi, i cili përfundoi në një karrocë me rrota pas sulmit të përjetuar pas luftës, i tha New York Times se plumbat që gati e vranë atë në dhjetor të vitit 2000 ishin shtënë nga e njëjta armë, e cila sipas tij, një muaj më parë ishte përdorur për të vrarë gazetarin Xhemajl Mustafa.

Berianë Mustafa, vajza e gazetarit Xhemajl Mustafa, tha për gazetën amerikane se nuk e di ende kush ia vrau të atin, “por e di se ishte një vrasje politike, ndoshta nga kundërshtarët politikë”.

Vrasja e babait të saj dhe sulmi ndaj Fetah Rudi pasoi disfatën e UÇK-së në zgjedhjet e para lokale të pasluftës në Kosovë, e cila ishte shndërruar në parti politike, me emrin Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Koha, thotë Beriana Mustafa, ishte indikacion i “një lloj hakmarrjeje” nga luftëtarët e UÇK-së, të cilët siç shkruan New York Times, të zemëruar me humbjen politike ndaj LDK-së, menduan se “nëse vrasim këta njerëz do të arrijmë në pushtet”.

Duke u mbështetur në narrativën e Beriana Mustafës lidhur me situatën politike të krijuar pas vrasjes së babait të saj dhe sulmit ndaj Fetah Rudit, New York Times thekson se këto ngjarje forcuan dhe ngritën në pushtet Hashim Thaçin.

“Strategjia funksionoi. Deri në vitin 2007, partia politike e UÇK-së ishte forcë dominante politike e vendit. Thaçi u bë kryeministër në vitin 2008, një muaj para shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe pastaj president në vitin 2016”, shkruan New York Times.

Gazeta amerikane shkruan se Thaçi është bërë emblemë e dy pikëpamjeve diametralisht të kundërta të luftës çlirimtare të Kosovës dhe pasojave të saj. Në vitin 2010, nënkryetari i SHBA-ve, Joseph R. Biden Jr. e përshkroi atë si “Xhorxh Uashingtoni i Kosovës”.

Një raport i publikuar në të njëjtin vit nga Këshilli i Evropës, megjithatë, e përshkroi Thaçin si “më të rrezikshmin e bosëve kriminalë të UÇK-së.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat