Thaçi: Vizionin e Kosovës e kam prezantuar në kryeqendrat botërore

Aktuale

Thaçi: Vizionin e Kosovës e kam prezantuar në kryeqendrat botërore

Më: 5 prill 2018 Në ora: 10:34
Hashim Thaci

Presidenti Thaçi ka thënë se rrëfimi për Kosovën nuk mund të marrë atë trajtën finale, pa mundësuar që shteti i Kosovës të jetë anëtar i OKB-së, i BE-së, i Paktit NATO.

Prandaj, ai ka thënë se përmbushjen e këtij qëllimi ia kemi borxh qytetarëve të Kosovës.

“Kur flasim për dialogun e pakryer të Kosovës dhe Serbisë është gjithashtu e vërtetë që ka gjithnjë e më pak durim për të zhvilluar tutje bisedime në Bruksel, pa një afat të qartë kohor për rrumbullaksimin e tyre, pa një synim të qartë se çfarë përmbajtje duhet të ketë marrëveshja në mes të dy shteteve, pa mekanizmat e qartë ndërkombëtarë që do të garantojnë zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, ka thënë ai.

Sipas presidentit Thaçi, shpallja e ‘Strategjisë së zgjerimit të BE-së me gjashtë shtetet e mbetura të Ballkanit Perëndimor’ në fillim të muajit shkurt, por edhe shumë procese të tjera që janë të njohura për të gjithë ne, i kanë dhënë më shumë dritë perspektivës së ‘Finales së Madhe’ të dialogut të Brukselit në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Javëve të fundit, si President i Kosovës, kam pas shumë takime, jo vetëm në Prishtinë, por edhe në shumë kryeqendra perëndimore, me politikanë dhe diplomatë të shteteve kryesore perëndimore, me qëllim që të ofrojë vizionin e Kosovës për fazën përfundimtare të bisedimeve të Brukselit, por edhe për të kuptuar se cilat janë qëndrimet e shteteve të cilat janë partnere të Kosovës në çlirimin, pavarësimin dhe stabilizimin e Kosovës si shtet”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ai është shprehur i bindur se ka ardhur koha për marrëveshjen e madhe politike dhe historike në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo më sjell edhe tek thelbi i kësaj konference, pra cilët janë skenarët e mundshëm përpara. Siç kemi qenë dëshmitarë të gjithë, nuk ka dhe nuk mund të ketë Status Quo, apo një lloj gjendjeje të ngrirë në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kemi pasur realisht në dy vitet e fundit përkeqësim e jo përmirësim në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë, në mungesë të epilogut në dialogun e Brukselit. Prandaj, konsideroj se skenari i parë nuk i konvenon Kosovës, por as edhe rajonit tonë”, ka thënë presidenti Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat