Për zhvillim ekonomik nevojitet bashkëveprim universitet-industri

Aktuale

Për zhvillim ekonomik nevojitet bashkëveprim universitet-industri

Më: 5 prill 2018 Në ora: 12:47
Ilustrim

Për zhvillimin ekonomik Kosova ka nevojë për bashkëveprim universitet – industri. Kështu u tha të enjten në tryezën e rrumbullakët me temë “Institucionet e arsimit të lartë konform kërkesave të tregut rajonal dhe atij ndërkombëtar të punës”, që u mbajt në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”, të organizuar nga Fakulteti Ekonomik.

Në këtë tryezë ku ishin të pranishëm rektorët e universiteteve publike, zyrtarë qeveritarë, biznismenë etj, dekani i Fakultetit Ekonomik në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, Besart Hajrizi, tha se prioritet duhet t’i jepet universiteteve ndërmarrëse të lidhura me aktualitetin zhvillimor të industrisë.

“Kosova ka nevojë për kornizë bashkëpunimi universitet-industri, ndërsa sfidë mbetet hartimi i plan-programeve që e lidhin universitetin me ndërmarrësinë”, tha ai.

Ndërsa, Hajriz Koci, këshilltar i ministrit të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, foli për angazhimet që po ndërmerren sa i përket fushës së inovacionit dhe ndërmarrësisë në Kosovë. Sipas tij, bota po ec shpejt në epokën digjitale, ndërsa Kosova po bën përpjekje që inovacionin ta përdor për rritje ekonomike.

“Ekonomia duhet të vihet në funksion të trendeve globale”, theksoi ai.

Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musaj, vlerësoi jashtëzakonisht të rëndësishme bashkëpunimin ndërmjet universiteteve dhe industrisë. Ai tha se Universiteti “Isa Boletini” bashkëpunon me një numër të madh të kompanive publike dhe private në vend, ku ofrohet mundësi për punë praktike për studentë.

Në këtë kontekst, ai shtroi edhe nevojën për hapjen e një qendre të inovaconit në këtë universitet me mbështetje të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

Ylber Januzaj, ligjërues në Universitetin “Isa Boletini”, shtroi nevojën për një model të ri bashkëpunimi ndërmjet universiteteve dhe industrisë, në mënyrë që të përgatiten kuadro të nevojshme për tregun e punës.

“Në Kosovë ofrohen 400 programe studimi, mirëpo problemi qëndron në mospërputhjen me tregun e punës. Për këtë ka nevojë që të gjendet një model bashkëpunimi edhe për hartimin e plan-programeve në mënyrë që të përgatiten kuadro përkatëse”, ka thënë Januzaj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat