Ambasada amerikane rikonfirmon mbështetjen për ministren Reshitaj

Aktuale

Ambasada amerikane rikonfirmon mbështetjen për ministren Reshitaj

Më: 5 prill 2018 Në ora: 16:59
Albena Reshitaj ka pritur sot në një takim zyrtarin e Ambasadës Amerikane në Prishtinë Matt Briggs

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj ka pritur sot në një takim zyrtarin e Ambasadës Amerikane në Prishtinë Matt Briggs, i cili është interesuar për takimet që ministrja ka zhvilluar në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Uashington.

Reshitaj e informoi zyrtarin amerikan për takimet me zyrtarë të Departamentit Amerikan të Shtetit, USAID, MCC, Bankës Botërore, EPA,  nga të cilët ka marrë përkrahje për projektet që kanë të bëjnë me mjedisin dhe planifikimin hapësinor.

Zyrtari amerikan Matt Briggs e ka përgëzuar ministren Reshitaj për takimet dhe mbështetjen që ajo ka marrë ajo gjatë vizitës në Uashington, ndërsa shprehu gatishmërinë që edhe ambasada në Prishtinë ta përkrahë ministren në iniciativat konkrete për të mirën e  mjedisit dhe qytetarëve të Kosovës.

Në këtë takim u ritheksua rëndësia e fuqizimit të pjesëmarrjes së gruas në politikëbërje dhe në procesin e vendimmarrjes, transparencën dhe bashkëpunimin me donatorët ndërkombëtar dhe shoqërinë civile.

Si çështje tjetër që u diskutua në takim ishte edhe mundësia e ofrimit të ekspertëve amerikanë të cilët do ta ndihmonin MMPH-në në fusha të ndryshme.

Gjithashtu ministrja përmendi edhe përkrahjen që ka marrë nga USAID-i për themelimin e Odës së Arkitektëve dhe Inxhinierëve të Ndërtimtarisë, e cila do të ndihmojë për certifikimin e profesionistëve të këtyre fushave në të ardhmen dhe përfshirjen direkte në procesin e vendimmarrjes për çështje të planifikimit hapësinor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat