Zyrtari i LDK-së me kritika kundër Thaçit: Gjarpri hodhi gurin dhe fshehu dorën!

Aktuale

Zyrtari i LDK-së me kritika kundër Thaçit: Gjarpri hodhi gurin dhe fshehu dorën!

Nga: A.Zh Më: 9 prill 2018 Në ora: 11:25
Hashim Thaçi

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Bajram Gecaj, ka hedhur kritika të ashpra ndaj presidentit Hashim Thaçi.

Gecaj, në një shkrim të gjatë në Facebook, ka thënë se Arroganca e Hashim Thaçit, është bërë pengesë për unitet nacional në dialogun me Serbinë.

Gecaj ka thënë se duhet vepruar, që të parandalohet formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, derisa nuk është hyrë më thellë në këtë proces të pakthyeshëm, përcjell Bota sot.

Sipas tij, zgjedhjet e reja parlamentare janë tanimë domosdoshmëri e kohës për krijimin e një qeverie të shumicës shqiptare

Postimi i plotë i Bajram Gecajt: 

Arroganca e Hashim Thaçit, pengesë për unitet nacional në dialogun me Serbinë!

Kosova është një republikë parlamentare, jo presidenciale. Posti i presidentit në Kosovë duhet të jetë një funksion kryesisht ceremonial dhe me simbolikë, e me autorizime që nuk kanë natyrë ekzekutive! Ato pak kompetenca që kanë natyrë ekzekutive, megjithatë, sipas Kushtetutës, shefi i shtetit kosovar i ushtron së bashku me Kryeministrin. Kjo, megjithatë, në praktikë nuk del të jetë kështu: Hashim Thaçi tani e dy vite po sillet sikur të ishte e kundërta. Këtë po e bën kryesisht duke u bazuar në fuqinë elektorale të Partisë Demokratike të Kosovës, e cila vazhdon të jetë ende plotësisht në shërbim të tij, për mos me thënë tërësisht servile ndaj Hashimit!

T’i përmendim këtu vetëm tri iniciativa të mbrapshta, me interese krejtësisht të ngushta individuale a klanore, të cilat befasuan dhe indinjuan jo vetëm qytetarët e Kosovës por edhe miqtë e dëshmuar ndërkombëtarë të vendit tonë. Këto të cilat dëmtuan seriozisht të arriturat e deritanishme dhe krijuan pasiguri për të ardhmen e vendit tonë. Kjo është arsyeja që i veçojmë këtu dhe me këtë rast.

Me 22 dhjetorë të vitit të kaluar, ai tundi seriozisht themelet e miqësisë sonë me shtetet mike, madje duke shtyrë ambasadorin e SHBA-ve të deklarojë se veprimi për shfuqizimin e Gjykatës Speciale ishte “një thikë prapa shpinës” për SHBA-të. Kjo deklaratë do të duhej të ishte alarm i mjaftueshëm për këtë rrugë të “theqafjes” të cilën e kishte zgjedhur ai dhe klika e tij shtet-shkatërruese.

Me 26 mars, duke (keq) përdorur “duart e tija të zgjatura” nëpër institucione, dhe në kundërshtim të plotë me autorizimet e tij kushtetuese, urdhërojë arrestimin e Marko Gjuriq-it. Për të mbrojtur sadopak fytyrën dhe autoritetin e tij individual e institucional, Kryeministri Haradinaj , pa mëdyshje, mashtroi opinionin e gjerë kur tha se kishte qenë i informuar për rastin. Gjasa ka që më shumë të ishte informuar vetë Vuçiq-i se sa Haradinaj!

Arrestimi i 6 qytetarëve turq, me 29 mars, ishte kupolla e këtyre aferave dhe poshtërsive, pasi që ky veprim vuri në dyshim tërë sistemin tonë institucional dhe provoi sa fragjil jemi në këtë rrafsh. Edhe një herë, “gjarpri hodhi gurin dhe fshehu dorën”, pa marrë parasysh se ai gur qëlloi mu në kokë shtetin tonë të ri, me mundësi pasojash afatgjate e vështirë të riparueshme!

Kosova tani do të duhej të hynte në procesin më të rëndësishëm politik që nga koha e shpalljes së pavarësisë - dialogu përfundimtarë me Serbinë për të prodhuar një “marrëveshje ligjërisht të obligueshme”! Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare duket të jenë të gatshme dhe të përgatitura t’i japin zgjidhje përfundimtare këtij problemi më të rëndë dhe më të ndjeshëm në Ballkan. Kjo lehtë mund të vërehet nga dinamikat politike dhe kohezivitetit i shoqërisë serbe që po krijohet këta muajt e fundit. Ndërsa ne, në këtë kohë, jemi më të ndarë se kurdoherë dhe me qeverinë më të dobët që ky vend ka mundur të prodhojë.

Ambient ky tej mase i përshtatshëm për “gjarprin”! Edhe tani, si shumë herë më parë, Hashim Thaçi në mënyrë krejt jo-demokratike dhe tërësisht autoritare po bën çmos për të marrë primatin e procesit. Një kryeministër plotësisht i pafuqishëm, me vetëm 10 deputetë, i shkon mjaft për shtati dhe ja lehtëson shumë këtë qëllim të pandershëm të tij. Edhe pse “gjarpri” ndërron lëkurën pa telashe, duket se në këtë kohë dhe mu këtë lëkurë të zvarranikut ka vendosur ta mbrojë me çdo kusht.

Uzurpoi primatin në dialog pa miratim nga ana e Kuvendit, por edhe po ndonjë vendim eksplicit të Qeverisë së Kosovës. Nuk kemi as plan e as platformë, por veç një proces krejtësisht jo-transparent. Megjithatë, Presidenti sheh rrugën dhe interesin e vet, duke u bërë i shurdhër dhe arrogant deri në ekstrem ndaj kërkesave të cilitdo, duke përfshirë këtu edhe të partive të konstelacionit qeverisës.

Lëshimin e parë tanimë e ka bërë, duke pranuar që statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe të bisedohet e të përpilohet në Bruksel, në kundërshtim flagrant të marrëveshjes fillestare. Kryeministri Mustafa i kishte rezistuar të gjitha kërkesave dhe presioneve në këtë drejtim. Kjo besoj duhet të jetë alarm serioz për institucionet dhe shoqërinë tonë në tërsi. Të veprojmë pa shtyrje për të parandaluar këtë arrogancë të Hashim Thaçit derisa nuk kemi hyrë thellë dhe pakthyeshëm në këtë proces.

Kosova nuk guxon të vazhdoj përgjatë këtij procesi kaq të rëndësishëm me qeveri sekserësh dhe nën udhëheqjen e “gjarprit helmues”! Zgjedhjet e reja parlamentare janë tanimë domosdoshmëri e kohës për krijimin e një qeverie të shumicës shqiptare. Dhe kjo do të duhej paraprirë me një marrëveshje dhe premtim publik paraprak të subjekteve politike relevante se në këtë çështje do të ketë unitet të pakontestuar nacional, për hir të interesit madhor nacional dhe ardhmërisë sonë Evro-Atlantike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat