Limaj: Na duhet politikë që zgjidh tema sado të vështira që janë

Aktuale

Limaj: Na duhet politikë që zgjidh tema sado të vështira që janë

Më: 13 prill 2018 Në ora: 20:05
Fatmir Limaj

Kosova ka nevojë për një politik të mençur, të qetë, e cila gjen zgjidhje për problemet, e jo elitë politikë që përçan e mashtron njerëz, ka deklaruar zëvendëskryeministri i Kosovës dhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, me rastin e shënimit të katër vjetori të themelimit të kësaj partie në Therandë.

Limaj tha se partia që ai udhëheqë fal punës, angazhimit të saj të vazhdueshëm, ka arritur të ec shumë shpejt, dhe sipas tij po të vazhdohet edhe tutje me këtë angazhim pas katër viteve ata do jenë forca e parë politike në vend.

Para të pranishmëve Limaj u shpreh se Kosova ndodhet në një udhëkryq që do ballafaqohet me disa tema të vështira, siç është ajo e dialogut me Serbinë. Sipas tij ky dialog me Serbinë shtetin tonë e ka ngarkuar me shumë marrëveshje dhe obligime të këqija.

Limaj: Neve na duhet politikë që zgjidh tema sado të vështira që janë

“Neve na duhet politikë që ofron zgjidhje për temat e ndryshme, sado të rënda dhe të vështira çofshin, e Kosova do të ballafaqohet shumë shpejt edhe me dy-tri tema të vështira, të rënda që duhet t’i tejkalojmë me sukses e me dinjitet. Njëra nga to është dialogu dhe sot jemi dëshmitar përfundimisht në atë që e kemi thënë në 2011, se rruga që e keni nisur ka me e dëmtua vendin, mënyrën se si keni nisur me bisedu me Serbinë, ka me u dëmtu vendin. Pas shtat viteve tani po themi, po keni gabuar ama Kosovën e kanë futur në shumë obligime, në shumë marrëveshje, sot ka shumë obligime të këqija që janë në kurriz të vendit tonë, e që ne e kemi për obligim me i zgjidh ato, siç ishte çështja e demarkacionit”, tha ai.

Zëvendëskryeministri I Kosovës, Fatmir Limaj tutje tha se ri ballafaqimin me Serbinë e sheh si një situatë të vështirë, e cila varësisht se si drejtohet edhe mund të zgjidhet.

Limaj: E shoh një situatë të vështirë riballafaqimin me Serbinë

“Unë e shoh një situatë jashtëzakonisht të vështirë, një ri ballafaqim me Serbinë nga ajo ku na kanë future. Do të jetë goxha vështirë me i përmirësuar disa gabime, që janë bërë në hapa. A do t’ia arrijmë? Nuk e di! Varet shumë si do të drejtohen ato, si do të punohet në to. Ajo çka është sot është me frymëzuar me iu kthy vendit tonë“, tha ai.

Në shënimin e katër vjetorit të themelimit të Nismës Socialdemokrate në Therand, Limaj u bëri thirrje të gjithëve që ta fuqizojnë tutje këtë parti, e cila siç tha ai synim ka zgjidhjen e problemeve të qytetarit. Ai po ashtu para të pranishmeve tha se javën tjetër në Theranda do nënshkruajnë marrëveshje për parkun e biznesit të kësaj ane.

Kryetari i degës së Nismës Socialdemokrate, Sami Hajdaraj duke folur për sfidat e zhvillimi të kësaj partie, tha se Nisma është shpresa e re e popullit dhe vendit. Ai tha se katër vitet e themelimit të Nismës janë fillimi i një epoke që qytetarin dhe sundimin e ligjit e ka synim kryesor.

Hajdaraj: U themeluam kur padrejtësia kishte ngritur rrënjët në aparatin shtetëror

“Ne u themeluam kur padrejtësia kishte ngritur rrënjët në aparatin shtetëror dhe abuzonte me ligjin, duke përndjekur ata që asnjëherë nuk lejuan që interesi personal të dal para interesit shoqëror dhe kombëtar. Padrejtësia politike dhe pasiguria juridike ishin njëra ndër arsyet e para, pse u krijua një organizim politik që do i lufton këto dukuri shkatërruese. Katër vitet e Nismës janë katër vitet e fillimit të një epoke, e cila qytetarin e ka në qendër dhe implementimin e ligjit synim kryesor. Kjo rrugë ishte përplot sfida të vazhdueshme, sfida që na motivuan për të vazhduar rrugën tonë, sepse ishin ato sfida që treguan sa i rëndësishëm ishte qëllimi ynë”, tha ai.

Në këtë tubim morën pjesë edhe ministra e deputetët të kësaj partie, si Skender Reçica, Milaim Zeka, Bilall Sherifi, Zafir Berisha, Valdete Bajrami. Gjatë kësaj ceremonie u nderua me një minutë heshtje edhe sekretari i Nismës Socialedemokrate në Suharekë, Mehdi Gollopeni./B.Ibishi/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat