Haxhiu: 84 për qind e fëmijëve kanë llogari në rrjetet sociale

Aktuale

Haxhiu: 84 për qind e fëmijëve kanë llogari në rrjetet sociale

Më: 18 prill 2018 Në ora: 20:41
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka debatuar edhe për përdorimin e internetit nga fëmijët, e kërkuar nga deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu dhe e mbështetur nga disa deputetë nënshkrues.

Deputetët kanë shprehur shqetësimet e tyre rreth përdorimit të tepër të internetit nga fëmijët, duke shikuar faqe jo të duhura, rrjetet sociale e tjera.

Inicuesja e këtij debati, Teuta Haxhiu ka paraqitur të dhëna rreth përdorimit të internetit nga fëmijët, sipas një hulumtimi rreth kësaj çështje.

Haxhiu: 84 për qind e fëmijëve kanë llogari në rrjetet sociale

“Rezultatet nga ky hulumtim tregojnë se ky shqetësim nuk është krejt i pa bazë, pasi fëmijët vazhdimisht takohen me njerëz të njohur nga interneti. Fëmijët në Kosovë kryesisht përdorimin e internetit për të komunikuar me të tjerët e kanë se përdorimi i rrjeteve sociale është për i preferuari i tyre, ku 84 për qind e tyre kanë deklaruar se kanë llogari aktive në Facebook dhe Twiter. Gjithashtu 32 për qind e fëmijëve nën moshën 13 vjeçare të cilët kanë me pak informatave rreth rregullimit të parametrave të privatësisë së profilit personal, kanë pohuar se kanë me shumë se 400 shokë në rrjetin social. Rrjetet sociale ofrojnë platformë që lehtë mund të keqpërdoret nga të rriturit dhe mund të nxisë apo ndikojë apo ngacmoi fëmijët, duke lënë kështu pasoja serioze tek fëmijët tanë”, tha Haxhiu.

Deputeti i Vetëvendosjes, Ismail Kurteshi tha se përdorimi i internetit nga fëmijët dhe të rinjtë është bërë problem serioz në Kosovë. Sipas tij, është shumë e dëmshme përdorimi i internetit në mënyrë të pakontrolluar, sidomos kur nuk i seleksionojnë informatat që ata i përdorin.

Kurteshi: Duhen mobilizim për ndalimin e kësaj dukurie të keqe

“Për pengimin e kësaj dukurie duhet një mobilizim i të gjitha segmenteve që ndikojnë në edukimin e fëmijëve, siç janë, prindërit, që ndodh shpesh të mos jenë të kujdesshëm sa duhet t’i kontrollojnë fëmijët e tyre derisa ata e përdorin internetin bazuar në vullnetin dhe dëshirën e tyre. Shkollat dhe institucionet tjera janë shumë të rëndësishme që të ndikojnë në vetëdijesimin e fëmijëve që të përdorin internetin vetëm për aq se konsiderohet se ju ndihmon atyre dhe mos të teprohet siç po ndodh shpesh. Natyrisht se për pengimin e kësaj dukurie kaq negative duhet të bëjmë përpjekje të ndikojmë edhe përmes ligjeve që duhet t’i nxjerr ky Kuvend”, theksoi Kurteshi.

Deputetja e PDK-së, Evgjeni Thaçi-Dragusha tha se interneti ofron mundës shumë të mira për të mësuar, porse bashkë me mundësitë vijnë edhe rreziqet, ndaj të cilave ekspozohen fëmijët gjatë përdorimit të internetit.

Ajo i ka përmendur tri kategori të rreziqeve që mund të hasin fëmijët në përdorimin e internetit.

Thaçi-Dragusha: Rreziqet e internetit

“E para, përmbajtja e rrezikshme dhe kontakti me të panjohurit. Këtu përfshihet ekspozimi ndaj pornografisë dhe asaj që është poshtërimi, tallja, ofendim, shqetësim përmes internetit. E dyta, janë rreziqet që kanë të bëjnë me konsumatorin, shembull marketing onlione për produkte të papërshtatshme për fëmijët. E treta, janë rreziqet që kanë të bëjnë me privatësinë dhe sigurinë duke përfshirë përdorimin e rrjeteve sociale pa qenë në gjendje të kuptojnë mjaftueshëm pasojat potenciale afatgjata”, tha Thaçi-Dragusha.

Deputetja Thaçi-Dragusha, ka përmendur lojën “Balena Blu”, ku përmes rrjeteve sociale, fëmijët dhe të rinjtë janë mashtruar.

Shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate të Kosovës, Bilall Sherifi tha se barra më e madhe mbetet tek prindërit, të cilët duhet të kontrollojnë fëmijët se për çfarë po e përdorin internetin.

Sherifi: Prindërit mund t’i monitorojnë fëmijët e tyre

“Të gjithë ata që kanë mundësi të blejnë një kompjuter, një smartfon, kanë mundësi edhe të blejnë programe dhe t’ua instalojnë në llaptop apo kompjuter edhe programe përmes së cilave i monitorojnë fëmijët se në çfarë faqesh po lundrojnë, po hyjnë, çka marrin nga ato, dhe jo fëmijët të dinë se po monitorohen. Pra, nuk është mirë të shpresohet që këtë problem do ta zgjidhim qoftë edhe përmes një ligji, apo shtrëngimit të masave që nëpër internet kafet të detyrohen të vendosin bllokada ndaj shumë faqeve të cilat mund të jenë të dëmshme për fëmijët”, u shpreh Sherifi.

Deputeti i LDK-së, Fidan Rekaliu ka thënë se barra kryesore e kujdesit, bie mbi prindërit, pastaj mbi institucionet tjera.

Rekaliu: Barra kryesore u bie prindërve, pastaj institucioneve të rendit

“Sigurisht barra kryesore për kujdesin në këtë drejtim u takon prindërve të cilëve u takon që të kujdesen se si fëmijët e tyre përdorin internetin, cilat faqe ata vizitojnë dhe kohën e shpenzuar në këtë. Mirëpo, karshi kësaj institucionet e vendit duhet të jenë të gatshme që ta preventojnë sa më shumë që të jetë e mundur rastet e tilla. Pas familjes, barra iu bie institucioneve të rendit, policisë, të cilat duhet me kujdes të vëzhgojnë faqet e ndryshme të internetit. Të monitorojnë profile të dyshimta në rrjetet sociale Facebook, Instagram dhe faqe tjera në internet”, theksoi ai.

Deputetët vlerësuan se në Kosovë është gjendje alarmante rreth përdorimit të internetit nga fëmijët. Derisa, pati edhe kritika për mungesën e kabinetit qeveritar kur diskutohen pika të rëndësishme, siç është debati për përdorimin e internetit nga fëmijët.

Rekomandimet e propozuara nga deputetja Haxhiu do të harmonizohen me të gjitha grupet parlamentare dhe do të votohen në seancën e radhës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat