Xhelal Sveçla reagon ashpër ndaj PDK-së për “Panairin 2018 Prishtinë”

Aktuale

Xhelal Sveçla reagon ashpër ndaj PDK-së për “Panairin 2018 Prishtinë”

Nga: D.RR Më: 18 prill 2018 Në ora: 21:03
Xhelal Sveçla

Deputeti i Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla, ka reaguar ashpër ndaj hapjes së “Panairit Prishtinë 2018”, e për këtë shkak ka kritikuar zëvendëskryeministrin Enver Hoxhaj, i cili me gjithë gaz e hare përuronte hapjen e këtij panairi.

Kritikat e Xhelal Sveçlës shkojnë edhe për deputetën e PDK-së, Ganimete Musliu.

Në fund Sveçla numëron krimet e serbëve në Kosovë gjatë luftës.

Postimi i plotë:

Panairi, Qeveria dhe PDK-ja

Ganimete Musliu na fliste dje nga Kuvendi për Masakrën në Poklek të Drenasit, ku u masakruan 54 shqiptarë kryesisht gra e fëmijë nga familjet Muçolli, Caraku dhe Elshani. Po ashtu znj. Musliu po jepte udhëzime edhe se si duhen nderuar të rënët në luftë e të përkujtohen masakrat që kanë pësuar shqiptarët nga forcat e Serbisë gjatë regjimit të Millosheviqit. Sot Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj nga partia e zonjës Musliu, pra PDK-së, gjithë gaz e hare përuronte hapjen e "Panairit Prishtinë 2018" së bashku me Kryetarin e Odës së Bizneseve të Serbisë Marko Cadez. 
Krimet e Serbisë ndaj Kosovës vetëm në luftën e fundit: 
10.000 civilë të paarmatosur të vrarë 1.652 qytetarë ende të pagjetur 20.000 gra e vajza të dhunuara 860.000 të deportuar jashtë Kosovës 120.000 shtëpi të djegura ose rrënuara 1.200 artefakte kulturore të rrëmbyera Fondi Pensional dhe Depozitat Bankare të plaçkitura.

Së paku 20 miliardë euro borxh na i ka Serbia. Asnjë zyrtar nga Qeveria aktuale e Serbisë, e as Kryetari i Odës së Serbisë nuk e ka asnjë kërkim falje për çka i kanë shkaktuar Kosovës.

Çka ka për të festuar e prerë shirite me zyrtarë të Serbisë që përshkrimin e punës e kanë hegjemoninë dhe gjunjëzimin politik e ekonomik të Kosovës?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat