VV kërkon shkarkimin e Dërgutit, PDK thotë se kjo nuk është prioritet

Aktuale

VV kërkon shkarkimin e Dërgutit, PDK thotë se kjo nuk është prioritet

Më: 19 prill 2018 Në ora: 18:33
Kryesia e Kuvendit

( E plotësuar) - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, sot, në një mbledhje të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të kryesuar nga Kadri Veseli, përcaktoi agjendën e punës së Kuvendit për ditët dhe javët në vijim.

Kështu, Kryesia vendosi që sipas kërkesës së 40 deputetëve nënshkrues, të premten, më 20 prill, në orën 12:00, të mbahet seancë e jashtëzakonshme, në të cilën do të debatohet lidhur me Raportin e Progresit për Republikën e Kosovës.

Më 26 prill, ndërkaq, do të vazhdojë seanca e ndërprerë dje, me pikat e mbetura.

Një javë më pas, më 3 maj, Kuvendi do të mblidhet në seancë të re, në të cilën do të shqyrtoj disa projektligje dhe çështje të tjera.

Kështu, fillimisht, deputetët do të shqyrtojnë Projektligjin për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Hungarisë për Ekstradim,

Projektligjin për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe atë për Amnistinë.

Më pas, pritet të emërohen drejtori dhe zëvendësdrejtori i Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, si dhe të formohet Komisioni Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti shqiptar.

Seanca do të vazhdojë me shqyrtimin e Propozimit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për shkarkimin e nënkryetares së Kuvendit, Aida Dërguti, si dhe të propozimit të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, mbështetur edhe nga deputetët nënshkrues të grupeve të tjera parlamentare për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me shpenzimet për lobim nga ana e Presidencës dhe Qeverisë të Republikës së Kosovës.

Në mbledhjen e sotme, Kryesia i vazhdojë mandatin sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit, Ismet Krasniqi, për periudhën e ardhshme trevjeçare.

U shqyrtuan, gjithashtu, edhe propozime e kërkesa të tjera.  ?

****

Më 26 prill do të mbahet interpelanca për kontratën ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Contour Global për çështjet e çmimit dhe kontratës në tërësi.

Kjo është bërë e ditur nga Dardan Sejdiu, anëtar i Kryesisë nga radhët e Grupit të Deputetëve të Pavarur, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit në të cilën është vendosur që seanca për raportin e progresit të mbahet nesër, ndërsa më 26 prill dhe 3 maj do të mbahen seancat e radhës.

Aida Dërguti po vazhdon të mbajë pozitën e nënkryetares në Kuvendin e Kosovës përkundër asaj që Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar tërheqjen e saj nga kjo pozitë.

Anëtari i Kryesisë së Kuvendit nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi tha se është kërkuar që seanca për raportin e progresit të shtyhet, pasi  ende nuk është përkthyer raporti.

“Raporti i progresit është i rëndësishëm, por nuk është emergjent. Por me insistimin e LVV dhe GDP është vendosur që të mbahet nesër”, ka thënë Krasniqi.

Duke folur rreth kërkesës së VV për shkarkimin e Aida Dërgutit, Krasniqi tha se për PDK është kjo çështje irelevante dhe nuk është prioritet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat