Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se ende ka probleme në fushën e shëndetësisë në Kosovë dhe se mjekët nuk i kanë kushtet e mira të punës.
Haradinaj këtë deklaratë e ka thënë në Ditën Botërore të Shëndetit, në aktivitetin organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Edhe pse janë dhënë 20 milionë euro shtesë për këtë dikaster kryeministri tha se ato nuk janë të mjaftueshme për një shëndetësi më të mirë.
Haradinaj tha se i ka pa së afërmi mjekët në Kosovë në cilat kushte punojnë e që sipas tij nuk i kanë pagat e mira, ndërsa përmendi edhe mungesën e barnave.
Kryeministri theksoi se Qeveria e në veçanti Ministria e Shëndetësisë ka një seriozitet për ngritjen e cilësisë në fushën e shëndetësisë.
Ministri Uran Ismajli tha se ka përmirësim në fushën e shëndetësisë ndërsa Ardita Tahirukaj nga OBSH tha se kjo organizatë do të mbetet mbështetëse për përmirësimin e sektorit të shëndetësisë.