Kërkohet raportim gjashtëmujor i Qeverisë për plotësimin e rekomandimeve

Aktuale

Kërkohet raportim gjashtëmujor i Qeverisë për plotësimin e rekomandimeve

Më: 20 prill 2018 Në ora: 12:31
Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar) - Pas përfundimit të debatit të sotëm në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku u debatua për Raportin e Progresit, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli ka paraqitur rekomandimet e hartuara nga LVV dhe LDK, por që nuk u hodhën në votim për shkak të mungesës së kuorumit të deputetëve.

Këto janë rekomandimet:

Të fillojmë një dialog të brendshëm për të filluar një strategji shtetërore, për rrugën që duhet të ndjekim drejt integrimit evropian.

Qeveria brenda 30 ditëve duhet të përcjell në Kuvend një plan të veprimit për të adresuar të gjeturat në raportin e vendit.

Hapa urgjent në depolitizimit të administratës publike, duke filluar me bordet e ndërmarrjeve dhe agjencive publike.

Në përputhje me kriteret e kapitujve, pra 23 dhe 24, të hartohet plani aksional për sundimin e ligjit dhe forcimit për sundimin e ligjit, si dhe plotësimi i legjislacionit me miratimin e ligjeve antimafia dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

Krijimit të vendeve të reja të punës përmes investimeve direkte në zhvillimin e prodhuesve vendor, duke u pasuar me miratimin dhe zbatimin e ligjit për mbrojtjen e prodhimeve vendore, për të ndikuar në uljen e papunësisë në vend.

Qeveria obligohet që të bëjë sigurime shëndetësore për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Investimet në hapjen e çerdheve të nevojshme nëpër komuna dhe investime në shkolla profesionale, dhe ndërlidhjen e tyre me nevojat e tregut vendor dhe ndërkombëtar.

Të kemi një plan të veprimit për vendosjen e raporteve të mira me pesë shtetet e BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën.

Plan të veprimit për thellimin e raporteve bilaterale me të gjitha shtetet e BE-së, të cilat e kanë njohur Kosovën.

Pastrimin e listave nga personat që kanë bërë deklarim të rrejshëm, për të fituar padrejtësisht këtë status, si dhe plotësim-ndryshimin e ligjit për veteranët e luftës së UÇK-së.

Hartimin e një plani të detajuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, ku kërkon nga Qeveria që në një periudhë çdo gjashtëmujore të raportojë për realizimin e këtyre rekomandimeve. Rekomandimet nuk u hodhën në votim, për shkak të mungesës së deputetëve në seancë, ndërsa u vendos që këto rekomandime të votohen në seancën e radhës.

Deputetët “të painteresuar” për të diskutuar për Raportin e Progresit

Seanca e jashtëzakonshme e cila ka nisur pas orës 12:00 të ditës së sotme po vazhdon ende.

Por numri i deputetëve që po marrin pjesë është shumë i vogël.

Në sallën ku mbahet seanca plenare aktualisht janë një numër i vogël i deputetëve. Ndërsa karriget ku ulen anëtarët e kabinetit qeveritar janë të boshatisura.

Në seancë sot s’ka marr pjesë as kryetari i Kuvendit Kadri Veseli e edhe shumica e deputetëve të koalicionit.

***

Zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj i cili në seancën e jashtëzakonshme, ku po debatohet lidhur me raportin e Progresit tha se Qeveria në njërën nga mbledhjet e saj do të reflektoj për raportin në fjalë. Ndërsa tha se raporti bënë një vlerësim të saktë të gjendjes në të cilën gjendet Kosova.

Hoxhaj: Do të reflektojmë në mbledhje të Qeverisë për këtë raport

“Raporti i Komisionit Evropian, e i cili është prezantuar me 17 prill 20198 është një vlerësim dhe objektiv,  real dhe i saktë i gjendjes në të cilën është Kosova. Ku në analizë ky raport përmend dhe progres që ka pasur vendi. Por dhe ngecje dhe sfida në fusha të caktuara. Ky është një vlerësim në fakt i punës së të dy qeverive,  e të dy mandateve të kuvendit të Kosovës dhe i cili në veten e tij përfshinë dhe një cikël që kemi pasur vitin e kaluar të ndërprerjes së një funksionimi normal të shtetit dhe institucioneve për shkak të zgjedhjeve të parakohshme dhe zgjedhjeve të rregullta lokale. Ne si Qeveri kemi mbërri që ta lexojmë raportin në tërësi. Por nuk dua të them këtu para jush , që kemi arritur ta analizojmë çdo paragraf dhe fjalë për fjalë, meqë tek të hënën do ta kemi një mbledhje të Qeverisë dhe aty do të reflektojmë secili koleg i Qeverisë do të reflektojë për gjetjet e raportit&n bsp; dhe sfidat dhe për atë se raporti a e përshkruan vërtetë gjendjen e saktë në çdo sektor, apo shpesh herë ka dhe përsëritje”, tha ai. .

Ai tha se ky raport e konfirmon atë lajmin e shumëpritur nga qytetarët e Kosovës,  sa i takon vlerësimit për procesin e liberalizimit të vizave. Edhe pse procesi i liberalizimit të vizave  sipas tij, nuk është punë kryesore e këtij raporti.

Hoxhaj: Ka një unanimitet të plotë nga institucionet e BE-së për liberalizimin e vizave

“Liberalizimi i vizave dhe raporti për integrim të Kosovës në BE janë dy binarë të ndryshëm. Po këtu ka një paragraf i cili është i saktë,  i cili thuhet s e fal ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion, dua ta falënderoj çdo deputet të kuvendit të Kosovës  dhe përmirësimit  në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, Kosova ka një vlerësim pozitiv,  sa i takon liberalizimit të vizave. Pas 10 apo 12 ditësh do të ketë një ekip nga ana e kE i cili do të duhej të vjen në Kosovë,  të cilët do ta shkruajnë një raport shtesë i cili do të ofroj një pamje të plotë ku jemi në përmbushjen e  këtyre kritereve. Por çfarë mund të iu them në bazë të komunikimit zyrtar që kam pasur dhe me Johanes Hann është që në institucionet e BE-së në Bruksel, nuk dua të them për shtete anëtare, por për institucionet e BE-së ka një unanimitet të plotë, ka një vendosmëri të plotë, që ta mbështes in Kosovën, në marrjen e së drejtës për liberalizim të vizave në vendet e zonës Shëngen”, tha ai.

E deputeti Ilir Deda tha se raporti godet rëndë realitetin e seancës së sotme, në të cilën munguan një pjesë e madhe e kabinetit qeveritar.

Deda: Raporti i progresit godet realitetin e sotit

“Raporti i progresit e godet këtë realitet të sotit, kur ne nuk e kemi Kryeministrin dhe shumicën e kabinetit qeveritar këtu. Kjo është kritika e raportit të progresit ndër të tjera. Në shpi janë. Sepse nuk vijnë me dhënë llogari, para kuvendit e mandej ku është Kuvendi. Kuvendi nuk e  mbikëqyr Qeverinë. Pse nuk e mbikëqyr Qeverinë, për shkak të kulturës politike. E goditja është në kulturën politike që është ndërtuar në vendin tonë. E kur lexon mangësitë, natyrisht që ka mangësi në një vend që karakterizohet si një shtet i cili ka elemente të kapjes së shtetit. Dhe çka po na çudit neve këtu. E nuk të vyen Enver konsensus për një vjet e ardhshëm politik,  qysh keni me çkap shtetin ju. Se ju e dini ma së miri kush e ka kap shtetin. Hajde ndërmerrni masa për ç’kapje, nuk do të ndërmerrni asnjë masë për atë punë“, tha ai.

E Deda po ashtu foli dhe për  platformën për dialogun me Serbinë, duke pohuar se Hashim Thaçi nuk do ta ketë përkrahjen e Kuvendit dhe as nuk do ta udhëheq  këtë dialog.

Deda: Po bëni një lojë, por nuk do të iu shkoj ashtu siç keni planifikuar

“Platformën që e keni lansu dje në media, për dialog me Serbinë është plotësisht në kundërshtim me atë çka na thërret KE. As nuk është platformë, as nuk është produkt i konsensusit,  e ju thoni ne duam konsensus. Jo ju po bëni lojë. Por në këtë legjislaturë s’ka me iu kalu loja të cilën e keni planifiku. As ajo kvazi platformë,  që është një lloj mashtrimi për opinionin publik me mandatu Hashim Thaçin Kuvendi për ta udhëhequr dialogun me Serbinë. Nuk ka me iu ndodh në këtë legjislaturë. Atë qetash ta dini. Nuk keni me i marrë kurrë 61 deputet prezent që kanë me ndejt këtu. Më mashtrim me deputetë nuk ka”, tha ai. 

E  kritikave të deputetit Ilir Deda, iu përgjigj zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj.  Disa nga ato që tha Deda, Hoxhaj i quan përralla.

Sherifi: Për raportin më shumë është përgjegjës Qeveria e kaluar

Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate tha se ky raport është 18 mujor dhe ky raport përfshinë punën e dy qeverive.

“Apo më saktë përfshin punën me të madhe të Qeverisë së kaluar dhe shumë pak të kësaj qeverie. 12 muaj janë të qeverisë së kaluar dhe 6 muaj janë të kësaj Qeverie. Dhe nëse i marrim këto 6 muaj të kësaj qeverie atëherë duke marrë parasysh faktin se kryesisht janë marrë pas muajit tetor, shumë gjëra nuk kanë arritur ende as të raportohen në mënyrë që të përfshihen pastaj në raportin e progresit. Apo në raportin që në fakt përshkruan gjendjen në vend ku në disa fusha ka progres. Në disa ka regres . E në disa ka stagnim. As nuk mund të quhet raport i regresit. As raport i stagnimit, as raport i regresit. Por është raport përmes së cilit kuptojmë se çka është bërë në republikën e Kosovës për këto 18 muaj”, tha Sherifi.

Sipas tij nëse kemi stagnim në fushën e arsimit, atëherë përgjegjës është më shumë qeveria e kaluar se sa kjo qeveri. Për faktin se sipas Sherifit janë 12 muaj nga qeveria e kaluar e përfshirë në raport dhe 6 muaj madje as 6 muaj nga kjo qeveri.

“ Le t’i lëmë këto analiza nga këndvështrimet partiake, kur kush ishte ku ishte dhe kush është fajot dhe përgjegjës për gjendjen por të bëjmë një analizë të mirëfilltë çka duhet të bëjmë çfarë mësime të nxjerrim nga ky raport për të përmirësuar gjendjen ”, tha ai.

Kuçi: A po do nesër me na ra Rusia, apo UFO do ta sulmojë Kosovën?

Blerim Kuçi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se me thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për raportin e progresit për Kosovën është shkelur rregullorja e Kuvendit të Kosovës, pasi kërkesa për një seancë të tillë duhet të përmbajë arsyetimin pse konsiderohet çështje e ngutshme dhe e rëndësishme.

Ai gjatë fjalës së tij në Kuvend tha se ta që kanë thirrur këtë seancë  njëkohësisht e kanë shkelur rregulloren, sepse në materialin e thirrjes  nuk është dhënë arsyetimi për mbajtjen e kësaj seance të jashtëzakonshme.

“E para, ka të bëjë me mos përkthimin e materialit në gjuhen shqipe dhe propozoj që kjo seancë të jetë e anglisht folësve. Të gjithë ata që dinë anglisht ose e konsiderojnë veten që dinë anglisht le të rrinë në këtë seancë. Kurse e dyta për çështjen e  jashtëzakonshme. Qenka shumë e jashtëzakonshme. E pyeta njërën prej kolegeve që e ka nënshkruar këtë ftesë për seancë të jashtëzakonshme. I thash a mundesh me na ndihmuar diçka. Pse e keni thirr këtë seancë të jashtëzakonshme? Në anglishten tënde pse është thirr. Tha ka regres, jo progres. O i thashë më trego për çka e ke thirr seancën e jashtëzakonshme. A po do nesër me na ra Rusia. A  turku do me hy nesër në Kosovë? A UFO do me sulmuar Kosovën? Çka ka të bëjë me seancë të jashtëzakonshme?! Më vonë e mora vesh se edhe ai i shkreti që ka nënshkruar, edhe ai s’po dike anglisht sikur unë. Ai i shkreti na ka thirr në këtë seancë, e ne të mjerët kemi ardhur në këtë seancë. Por unë nuk jam i mjerë dhe nuk rri në këtë seancë”, ka thënë deputeti Kuçi.

Haxhiu: Ministria e Integrimeve ka faj që se ka përkthyer raportin

Deputetja e VV-së Albulena Haxhiu u arsyetua me thirrjen e seancës kaq shpejt ende pa u përkthyer materiali i këtij raporti në gjuhen shqipe.

“Ne e kemi thirrur këtë debat të jashtëzakonshëm me kërkesë të VV me mbështetjen dhe të LDK-së, për ditën e enjte, për dje. Mirëpo pastaj dhe në konsultim dhe me GP të LDK-së nga sekretari i Kuvendit na është thënë se ky raport mund të përkthehet të enjten deri pak para orës 12. Prandaj e kemi shtyrë  për të premten. Pastaj dje në mbledhjen e Kryesisë, na është thënë se kompania që e ka marrë përsipër i duhen 10 ditë për ta përkthyer një dokument të tillë. Si ka mundësi, një person mund ta përkthej për dy tre ditë këtë raport. Në anën tjetër, një kompanie i duhen dhjetë ditë për ta përkthyer një raport të tillë. Pra është komplet jo serioze. Por kritikat rreth kësaj duhet t’i bëhen Ministrisë së Integrimeve, që se ka sjellë një raport në gjuhen shqipe për deputetët e Kuvend

Nënkryetari i Kuvendit  Xhavit Haliti tha se është shkelje e të drejtës së deputetëve për ta pasur materialin dhe për ta lexuar.

Sejdiu i GDP-së kërkon që raporti i Progresit të përkthehet në gjuhën shqipe?

Shefi i Grupit të Deputetëve të Pavarur Dardan Sejdiu tha sot se diskutimi sot, ka një mungesë të theksuar të informacionit për të gjithë.

“Po më duket që sot po e zbatojmë atë që ne ekonomi njihet si asimetri e informatave. Pra ka deputetë që kanë pasur mundësi ta lexojnë raportin për vendin, meqë e dinë gjuhën angleze. dhe ka të tjerë që duhet të prresin datën 26 , meqë qeverisë i duhen 10 ditë apo më shumë, për të përkthyer një raport dhjetë faqesh. Në kësi lloj situate mendoj që nuk i bëjmë nder diskutimit mbi të gjeturat e raportit për vendin. Në fakt ka shumë prej nesh që janë ekspert të fushës por në mungesë të dijës së gjuhës angleze, nuk mund të shpërfaqin qoftë kritika qoftë rekomandimet sa i përket rrugës përpara”, tha Sejdiu .

Sipas tij këtu ka deputet që do të qëndrojnë në sallë, do të dëgjojnë për raportimin telegrafik të dikujt që e ka lexuar raportin, qoftë për kritikë qoftë për lëvdatë.

“ Dhe në fund fare një numër krejt i vogël i joni, do të thotë se ka diskutuar për raportin e progresit. Në fakt raportin për vendin sepse s’është më raport i progresit. Për neve si GP të iu them të drejtën ka edhe deputetë që nuk e kanë lexu, sepse nuk e dinë gjuhen angleze dhe po besoj se në secilin GP ka deputetë të tillë, që se dinë gjuhën angleze dhe rrjedhimisht nuk kanë mundur ta lexojnë raportin. Në këto rrethana në këtë asimetri të informatave e zhvlerësojmë diskutimin për raportin”, tha Sejdiu.

***

Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje tha se gjatë leximit të këtij raporti ka hasur në dy fjalët më të përdorur në gjuhën angleze, termi ‘early stage’ do të thotë janë hapat më të e tyre të parë dhe termi i dytë ‘weak’, i dobët dhe përdoret për shumë fusha në jetën tonë, duke filluar prej arsimit e deri tek mbikëqyrja që e ka Parlamenti mbi Qeverinë.

“Këto dy terme janë më të përdorura në raportin e progresit dhe kjo duhet të na shqetësojë shumë. Unë kam arritur t’i nxjerr 22 përfundime shumë të rëndësishme e që dua ti ndaj me ju.  Sistemi gjyqësor është në fazë të hershme, pra ‘early stage’. Vet sistemi i drejtësisë karakterizohet në hapat e tij të parë. Institucionet e gjyqësorit ende mbeten të cenueshme nga ndikimi politik. Termi anglisht që përdoret është ‘politicial influenc’  dhe kapacitetet e gjyqësorit nuk qëndrojnë mirë, çka do të thotë kjo. Kjo është me të vërtetë e tmerrshme. Sepse ne kemi sistem të drejtësisë që 17 vjet. Pas 17 viteve që ke filluar me ndërtuar sistem të drejtësisë, me të ardh një raport i vlerësimit të BE-së që thotë se je duke i hedhur hapat e parë, kjo do të kishte qenë deri diku e pranueshme në vitin 2004. Por në vitin 2018, kjo është me të vërtetë e papranu eshme dhe duhet të jetë një lloj alarmi i cili duhet të na vejë në lëvizje të gjithëve”, tha Konjufca./

Seanca për Raportin e Progresit, Hoti: I vetmi sukses është Demarkacioni 

Shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së Avdullah Hoti duke folur në seancën e jashtëzakonshme ku po diskutohet për raportin e Progresit ka thënë se ky raport qartëson se Qeveria e Kosovës nga shtatori 2017 nuk ka dërguar asnjë sinjal bindës në Bruksel se është serioze t’i kryej obligimet që i ka shteti i Kosovës si rezultat i kësaj dalja e kosovarëve nga izolimi nuk ka ndodhur ende.

“Tek kriteret politike të këtij Raporti, derisa ai i vitit 2016 e përmend polarizimin mes qeverisë dhe opozitës, që është normale në fakt raporti i i fundit vë në dukje polarizimin brenda vet koalicionit qeverisës dhe brishtësinë e koalicionit, i cili tanimë ka humbur dhe shumicën e thjeshtë. Kjo brishtësi e ka mundësuar këtij koalicioni që të ndërtojë një konsensus të përgjithshëm për temat e rëndësisë nacionale në përputhje me agjendën evropiane”, tha Hoti.

Sipas tij raporti thekson tendencën për t’iu ikur obligimeve ndërkombëtare dhe i vetmi sukses që mbetet në këtë raport është ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi i cili u përmbush falë angazhimit të LDK-së .

Hoti tha se raporti thekson se Qeveria ka dështuar të adresojë rekomandimet e dhëna gjatë vitit 2016, që tregon një mungesë serioziteti përballë këtyre obligimeve ndërkombëtare.

Image
Deputetja e PDK-së Blerta Deliu

Deliu: Raporti i progresit i arsyeshëm dhe objektiv

Deputetja e PDK-së Blerta Deliu se kjo seancë po mbahet pa u shqyrtuar mirë raporti në fjalë.

“Pasi që ne ende nuk e kemi përkthimin zyrtarë të këtij raporti tejet të rëndësishëm dhe besoj se deputete në këtë fazë nuk kanë arritur ta shqyrtojnë mirë këtë raport vendin. Prandaj unë kam pritur që të mos ketë nguti për një raport të tillë ta trajtojnë si duhet deputetët dhe t’i prekin fushat specifike që ata kanë. Pastaj të ftohet seanca e sotme në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha Deliu-Kodra.

Sipas saj raporti për vendin është i  arsyeshëm mjaft objektiv, që paraqet pasqyrën reale të progresit të vendit gjatë dy viteve të fundit, periudhë kjo që e mbulon ky raport.

Deliu tha se Komisioni Evropian konfirmon dhe njëherë përkushtimin e vazhdueshëm për të ardhmen evropiane të vendit e po ashtu sikurse strategjia e zgjerimit të BE-së flet saktësisht për perspektivën e Kosovës në BE.

“Duke e saktësuar se tashmë se vendet anëtare të BE-së e pranojnë dhe e trajtojnë Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran, përfshirë këtu dhe ato shtete të cilat ende nuk e kanë njohur republikën e Kosovës”, tha Deliu.

Veç 40 deputetë prezent

Ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për Raportin e Progresit i publikuar nga Komisioni Evropian.

Në seancën e jashtëzakonshme për Raportin e Progresit po marrin pjesë vetëm 40 deputetë

Ashtu si ka ndodhur përgjatë gjithë kësaj legjislature, edhe në seancën e sotme të Kuvendit, shumica e deputetëve nuk janë në sallë.

Sot mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës ku do të diskutohet për raportin e progresit i publikuar nga Komisioni Evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat