Haradinaj tregon kur do të lëvizim pa viza

Aktuale

Haradinaj tregon kur do të lëvizim pa viza

Më: 22 prill 2018 Në ora: 17:37
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka deklaruar se në fund të vitit Kosova do të lëvizë pa viza, pasi tashmë janë përmbushur të gjitha kërkesat që kanë ardhur nga bashkësia ndërkombëtare.

Ai komente i bëri gjatë Kuvendit zgjedhor të AAK-së në Ferizaj.

Haradinaj: Do të lëvizim pa viza në fund të këtij viti

“Nuk është kjo Kosova më që përton me u nis, që pajton me ndenjtë aty ky është, është zhbllokuar demarkacioni por jo zhbllokim me i hëngër fjalët që po thonë, tash nuk po më thonë më se kanë harru me më thënë, por jo me i hëngër fjalët, por me mundësi korrigjimi. Është zhbllokuar, nuk kemi me bllokua më, nuk mund dikush t’i thotë Kosovës nuk mund me ec përpara Kosovë për statusin final se nuk i keni kryer punët e juaja. Krejt i kemi kryer, çka do që ka qitë bashkësia ndërkombëtare në tavolinë janë të kryera. Do të lëvizim pa viza në fund të këtij viti, për këtë e kam kërkuar përgjegjësinë në të kaluarën, unë e di që kam munguar, nuk jam mjaftueshëm të secilit prej juve me u interesua për fatin e individual të kolegëve të mi, por në emrin e juaj kam kërkuar për t’u kryer këto punë”, tha ai.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se që nga marrja e mandatit si qeveri kanë bërë që Kosova të ecë përpara, ndërsa ka përkujtuar se para ardhjes së tij në krye të qeverisë, vendi ka qenë para kolapsit në energji.

Haradinaj: Ne kemi qenë duke ndërprerë krejtësisht vetën në energji

“Ne kemi qenë duke e përmbyllur, pra duke e ndërprerë krejtësisht vetën në energji, nëse ka dikush në këtë vend që thotë nuk është kështu le të vjen të ju tregoj. E vërteta është se qeveria që ju e udhëhiqni ka mbërri mos me e pranua këtë fakt, mos me u dakorduar me këtë, me e rikthye Kosovën me qenë Kosova edhe një herë prodhues i energjisë dhe me kthye në hallkën e energjisë jo vetëm në regjion, por edhe më gjerë. Në pamje të parë dikush mund të thotë po punë e madhe, por jo nuk është ashtu. Kur gjeneron ti energji, paratë tua të energjisë se nuk mundësh pa të dalin jashtë vendit, mundesh me e ble qoftë edhe një euro më lirë, por asnjë pare nuk ka mbet në Kosovë e gjitha ka dal jashtë. Do të thotë një popull na kishim punua, kishim jetuar me dërguar para diku , në një vend fqinjë që bënë energji. Kështu ka qenë e përgatitur, kjo ju ka servuar Kosovës, kjo ka pas me qenë Kosova sikur të mos ki shte hyrë dikush në emrin e juaj dhe me thënë jo nuk pajtohemi me këtë”, është shprehur kreu i Qeverisë së vendit.

Për më tepër, Haradinaj ka bërë të ditur se së shpejti do të hapet një minierë e re e që ai u shpreh se beson që përveç se do të furnizojë Kosovën, do të ketë qymyr edhe për të shitur dhe të futen para në buxhet përmes shitjes së qymyrit.

Ndërsa, ka thënë se me hapjen e kësaj miniere do të krijohen edhe vende të reja të punës, ku ka thënë se në perimetrin Obiliq, Fushë Kosovë, Vushtrri, Drenas dhe disa lagje të Prishtinës nuk do të ketë të papunë.

Kryeministri Haradinaj ka folur edhe për minierën e kombinatit Trepça.

Haradinaj: Në Trepçë veç sa me i mbajt ata si raste sociale

“Trepça është nxjerr një ligj, por nuk është zbatuar ligji, nuk është krejt pa arsye pse ka mbetur Trepça na me shkuar me dhënë pare atje. Në Trepçë veç sa me i mbajt ata si raste sociale, nuk është pa arsye. Jo se Trepça nuk ka xehe, veç bërlloku i Trepçës bien pare me shit atë mbetjen, se dikur teknologjia ka mundur të nxjerrë vetëm 8 elemente, teknologjia e sotme nxjerr 22. Por, merreni me mend, një Trepçë e jona ne i kemi dërguar pare të buxhetit, të juaja, në vend që me i pru këtu me krye impiantin e ujërave të zeza ose me krye punë në Ferizaj, ne i kemi dërguar me iu dhënë punëtorëve në Trepçë, vetëm me i mbajt me rroga edhe të jugut, edhe të veriut. Pse, diçka ka munguar, ka ndryshuar ajo dhe diku 30 ditë prej këtu Trepça është kompani kompatibile, mundet në plan botëror të operojë si kompani e biznesit. Pronar është populli i Kosovës, parlamenti ajo është e plot fuqishme me operuar, ndash me marrë hua, ndash me investua, ndash me bë partneritet dhe çka do që e vlerëson. Kjo ka ndodhur në këtë qeverisej”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i deritanishëm i AAK-së, Dega në Ferizaj, Xhavit Zariqi, bëri të ditur se procesi i brendshëm zgjedhor në këtë parti ka filluar në bazë të vendimit të Këshillit Drejtues Qendror, ku është përcaktuar agjenda zgjedhore për degët e AAK-së në Kosovë.

Duke përmendur disa nga peripecitë nëpër të cilat ka kaluar AAK-ja, Zariqi theksoi se megjithatë, ky subjekt ka arritur që t’i japë Kosovës kryeministrin më meritor, Ramush Haradinajn. Teksa theksoi se AAK në Ferizaj do të angazhohet që të zbatojë në përpikëri programin e vet.

Zariqi: Përkundër sulmeve të ulëta arritëm të japim kryeministrin më meritor

“Përkundër vështirësive dhe barrierave dhe sulmeve të ulëta të oponentëve politik, strukturat e AAK-së në Kosovë, por edhe në Ferizaj së bashku me aleatët e tyre parazgjedhor, arritëm që t’i japin qytetarëve dhe Republikës së Kosovës një kryeministër meritor dhe të vendosur për t’i çuar proceset e mëdha përpara , drejt realizimit të integrimit të Kosovës në strukturat euroatlantike, në rritjen e zhvillimit ekonomik, në krijimin e mundësisë së lëvizjes së lirë për të gjithë qytetarët, sundimin e ligjit dhe avancimit në çdo sferë të jetës së qytetarëve, siç është lideri ynë Ramush Haradinaj. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Dega në Ferizaj, do të angazhohet me të gjithë potencialin, në mënyrë që programin e AAK-së ta zbatojë në përpikëri dhe se do të punojë në drejtim që AAK të gjejë përkrahje edhe më të madhe në Ferizaj”, ka thënë ai.

Po ashtu, kryetari i degës së AAK-së në Ferizaj, tha se nga Kuvendi i kaluar zgjedhor e deri më sot, dega që ai e drejton është angazhuar në shtrirjen e aktivitetit politik në çdo fshat dhe lokalitet të komunës së Ferizajt, me qëllim të rritjes dhe masivizimit të strukturave dhe mbështetësve të vizionit dhe platformës politike të subjektit dhe liderit të saj, Ramush Haradinaj.

Ndryshe, Dega e AAK-së në Ferizaj, ka 35 nëndegë, 7 prej tyre në qytet dhe 28 në fshatra. Derisa në Kuvendin zgjedhor të AAK-së, Dega në Ferizaj ishin deleguar 121 delegatë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat