11 këshillat e Fisit për Ditën e Tokës

Aktuale

11 këshillat e Fisit për Ditën e Tokës

Më: 22 prill 2018 Në ora: 20:46
Fisnik Ismajli

Deputeti i Grupit të Pavarur të Deputetëve, Fisnik Ismajli, në Ditën ndërkombëtare të Tokës, ka vendosur të japë këshillat e tij se si duhet mbajtur një ambient të pastër çdo ditë dhe jo vetëm në ditën kur shënohet kjo datë.

Ai përmes një postimi në Facebook kërkon nga qytetarët që këto këshilla të bëhen pjesë e jetës për të sjellë një ndryshim të madh.

Postimi i plotë pa ndërhyrje:

Sot është Dita e Tokës, këtij planeti të mbipopulluem që na mban e na jep jetë, e na e vrasim ngadalë. Edhepse jemi shumë pak shqiptarë në krahasim me pjesën tjetër të botës, e kemi fatin me jetue në një pjesë shumë të bukur të saj, të cilën mundemi me e bë edhe më të bukur, pakëz me dashtë.

Prandej, qe do këshilla qysh mundemi me e ruejtë ambientin tonë çdo ditë, me krejt pak mund, e qebesa edhe duke kursye para. Janë këshilla që krejt i dijmë, por nuk është se i bëjmë çdo ditë. Por, nëse tëtanë i jepim veç pak zor, secili nga pak, bën ndryshim të madh.

Këto këshilla marrin 5 minuta me i lexue, e duhesh çdo ditë me i realizue. Nuk janë renditë sipas rëndësisë.

1. Të ka mbetë një faculetë letre në dorë, një qese smoka apo shishe e plastikës? Mos e hudh në tokë, ujë apo ndoj biruc që nuk e mbledh kush. Mbaje në dorë pakëz më gjatë, deri te shohësh një shportë bërrlogu. Fute në xhep. Leje në veturë, e e zbrazë në pompë benzine.

2. Kur del në natyrë, qoftë për piknik apo ndoj aktivitet, mbledhe bërrlogun prapa vetes. Të paktën atë që ti e bën, hiqe. Jo vetëm se ti e mban pastër, por edhe tjerët që të shohin vetëdijesohen, e e heqin bërrlogun e tyne. Mos të vjen marre me i thanë dikujt me e hjekë bërrlogun prej pronës publike, sepse ajo copë toke është e jotja njajtë sa e atij.

3. Respekto kojshitë edhe veten duke e hudhë bërrlogun e shtëpisë në kontejner, e jo duke e lanë para derës së banesës tanë natën, me e ngulfatë me erë krejt hymjen. Nuk është e vërtetë që thonë se s'ban me gjue bërrlogun natën. As nuk është marre me dalë me pixhame me ecë pak para gjumit, deri te kontejneri.

4. Qytetet e Kosovës janë shumë të vogla. As Prishtina s'është aq e madhe, që me të marrë më shumë se 20 minuta prej një vendi në tjetrin në kambë. Prandej, dil ec, ose hypi bicikletës, në vend se me e ndezë veturën. Në Prishtinë edhe autobusët funksionojnë super. Aktiviteti fizik të bën mirë, e transporti publik të kursen pare të parkingut edhe benzinës.

5. E nëse nime s'mundesh pa veturë, atëherë bëja servisimin rregullisht. Duke pague nga pak për servisim, kursen më shumë prej prishjeve më të mëdha. Servisimi i rregullt edhe siguron emitimin më të vogël të gazënave të ndotuna. Edhe mos e mbush asnjëherë rezervarin me benzinë plot, që mos me shkaktue derdhje edhe avullim derivatesh.

6. Kur i blen 2-3 gjana të vogla në supermarket, mos merr qese plastike hiç. Mbaji në dorë. Ose, kur del me ble ushqim për krejt javën, blej nja dy asi çanta të shtofit që mundesh me i përdorë shumë herë. Qeset plastike janë ndotës shumë të mëdhenj të ambientit edhe kur hudhen në natyrë, marrin 200 vjet me u dekompozue.

7. Mos shpenzo ujë duke e flladitë cementin e oborrit ose trotuarin para dyqanit. Njerëzit s'kanë ujë me pi, e ti e shpenzon palidhje në asfallt. Hyn rri nën hije diku, të vjen njajtë fllad. Nëse e sheh dikë duke shpenzue ujë pa nevojë, mos të vie marre me i thanë. E nëse nuk merr vesh, thirre inspeksionin e komunës e raportoje.

8. S'ke nevojë me e lëshue ujin sa herë që pshurrësh. Nuk është e vërtetë që thojnë se nëse pshurresh mbi shurrën e dikujt, ke me u përla me atë person. Në Brazil e patën ba një fushatë me iu thanë njerëzve me u pshurrë duke ba dush, që të paktën një të ngrehme të ujit në guaskë me e kursye. Ide e mirë. Shurrën e sabahit bane në dush. Por as në dush mos rri gjatë.

9. Fik drita e pajisje, e posaçërisht televizorin, sa herë që nuk je në atë dhomë. Kursen edhe rrymë, edhe e ruen ambientin, edhe kursen pare. E mbasi jemi te pajisjet elektronike, ato të vjetrat mos shko me i gjujtë gjithkah. Edhe mundohu me i përdorë pajisjet sa ma gjatë që mundesh. Mos shko me e ble telefonin e ri menjiherë si të del, kur mundesh me e përdorë të vjetrin edhe ndoj ditë.

10. Mos e përkrah ndërtimin e termocentralit të ri. Në një kohë kur bota po investon në energji të ripërtrijshme, Kosova po futet në borxh me prodhue rrymë me qymyr, edha ata me çmim shumë të shtrenjtë. Këtë borxh ke me e pague ti, me faturat e rrymës e me tymnajë prej Obiliqit, të cilat edhe ashtu po na shashtrisin çdo ditë.

11. E fundit, por jo edhe nga rëndësia: aman, rueje gjelbrimin. Mos prej drunj, mos shkatërro copa të rralla të barit nëpër qytet, duke e parkue veturën mbi to. Mos prej drunj veç pse po ta zanë udhën, por bane udhën rreth drunit, e drunin rueje me xhelozi. Raporto njerëzit që dalin me pre drunj ilegalisht. Mos u kap me ta, se t'fshijnë sakicë, por gjithsesi thirrja policinë.

Bëji këto këshilla pjesë të jetës. Nuk të kushton kurrgja. Bile, veç ke me kursye. E nëse krejt na i bëjmë të paktën qeto, mujmë me e bë një ndryshim shumë të madh.

Shnet. Jo veç sot për Ditën e Tokës, por çdo ditë të lume.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat