Haradinaj nderon Kandiqin me “Hartën e Artë të Kosovës”

Aktuale

Haradinaj nderon Kandiqin me “Hartën e Artë të Kosovës”

Më: 23 prill 2018 Në ora: 13:42
Pamje nga takimi

Kryeministri Ramush Haradinaji ka nderuar me “Hartën e Artë të Kosovës”, drejtoreshën e fondit për të drejtën humanitare në Beograd, Natasha Kandiq.

Haradinaj ka vlerësuar punën e aktivistes serbe për të drejtat e njeriut, Kandiq, duke thënë se fondi i drejtuar nga ajo, deri më tani ka publikuar të dhënat më të sakta për të vrarët në luftën e Kosovës, përcjell KosovaPress.

“Të veprosh në një mjedis të pasigurt dhe të mos i ndash viktimat e dhunës sipas përkatësisë, por të kërkosh drejtësi për to, është jo vetëm humanizëm i pashoq, por edhe guxim qytetar e njerëzor”, ka shkruar Haradinaj.

Teksa në shenjë falënderimi Haradinaj bëri të ditur edhe dhënien e këtij nderi.

“Nataša Kandi? me Fondin për të Drejtën Humanitare ka publikuar të dhënat më të sakta deri më tani për të vrarët në luftën e Kosovës dhe në shenjë nderimi për kontributin e madh, sot ia dedikova "Hartën e Artë të Kosovës", duke e falënderuar për gjithçka që ka bërë për ta ndriçuar të vërtetën”, përfundoi Haradinaj, përmes një publikimi në rrjetin social Facebook, të cilit i ka bashkangjitur edhe një fotografi nga ky moment.

Kandiq është drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për të Drejtën Humanitare në Beograd, një organizatë për të drejtat e njeriut e cila vlerësohet për hetimet e saj sistematike dhe të paanshme për abuzimet e të drejtave të njeriut.

Që nga fillimi i luftërave jugosllave në fillim të viteve 1990, ajo ka dokumentuar dhe protestuar kundër krimeve të luftës të kryera midis viteve 1991 dhe 1999, duke përfshirë torturën, përdhunimin dhe vrasjen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat