Thaçi flet për dekadën e ardhshme të Kosovës, kërkon unitet politik

Aktuale

Thaçi flet për dekadën e ardhshme të Kosovës, kërkon unitet politik

Më: 25 prill 2018 Në ora: 09:39
Pamje nga konferenca

(E plotësuar) - Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka potencuar se dialogu me Serbinë është rruga e vetme për të ecur përpara, derisa është shprehur i bindur se dekada e dytë e shtetit të Kosovës do të sjellë anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në OKB.

Kështu ka deklaruar Thaçi në konferencën “Dekada e ardhshme e Kosovës: Avancimi i Reformimit, Bashkëpunimi Rajonal dhe Integrimi në BE” organizuar nga Grupi për Dokumentime dhe Hulumtime.

Ai theksoi se Bashkimi Evropian nuk e pranon as Kosovën e as Serbinë pa i përmbyllur çështjet e hapura mes vete. Derisa tha se dialogu është i vështirë, porse i domosdoshëm për të dyja vendet.

Thaçi: Dialogu është i vështirë, por është rruga e vetme për të ecur përpara

“Edhe sot vazhdoj të jem i bindur se një marrëveshje obligative është e nevojshme dhe është  domosdoshme  për të dy vendet tona. Pse e them këtë? E them për arsye se ne nuk duhet të bëhemi pengesë për njëra tjetrën as Kosova as Serbia për të ardhmen evropiane. Një marrëveshje e tillë e lehtëson të ardhmen evropiane të të dy vendeve tona por e dërgon mesazhin më të mirë për fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor. Dikush mund të thotë se dialogu është i panevojshëm. Unë i respektoj edhe kritikët e këtij procesi por një gjë mund të them Bashkimi Evropian nuk e pranon as Kosovën, as Serbinë pa i përmbyllur çështjet e hapura mes vete. Dhe këto problematika askush nuk mund të na i zgjidh neve pa treguar ne vetë vullnet, përgjegjësi. E di se dialogu do jetë shumë i vështirë për Kosovën edhe përkushtimi për pajtim do të jetë shumë i vështirë në veçanti për Kosovën, por në të njëjtën kohë jam i bindur se është rruga e vetme për të ecur përpara. Gjithashtu dua të potencoj se politika kosovare ka nevojë për reformë të thellë, por kjo çështje iu takon partive politike”, tha ai.

Duke shprehur bindjen e tij se dekada e dytë e shtetit të Kosovës do të sjellë anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe OKB, Thaçi u shpreh optimist edhe për anëtarësimin në BE, duke përmendur edhe miqësinë me vendet të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën. 

Po ashtu, ai tha se njohja e Rusisë është jetike për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor

Thaçi: Dekada e dytë e shtetit të Kosovës do ta sjellë anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në OKB

“Jam i bindur se që dekada e dytë e shtetit të Kosovës do të sjell anëtarësimin e Kosovës në NATO por edhe në organizatën e Kombeve të Bashkuara. Gjithashtu shpresoj dhe besoj fuqishëm që edhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian është i mundshëm nëse ne punojmë. Ajo që desha të them gjithashtu është edhe në raport me  vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Ne ballafaqohemi me 5 vende të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur Kosovën por të gjitha ato vende e kanë përshëndetur e kanë mirëpritur dokumentin e presidentit Ahtisari mbi bazën të cilën ne e kemi shpallur pavarësinë. Prandaj ato vende janë mike të Kosovës.”, tha ai.

Ai ka deklaruar po ashtu se imazhi i Kosovës ka qenë i dëmtuar viteve të fundit, duke përmendur gazin lotsjellës në seancat e Kuvendit të Kosovës. Derisa ka mirëpritur platformat që po prezantohen nga liderët politik të Kosovës sa i përket aktualitetit dhe agjendës planifikuese për të ardhmen.

Edhe ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Per Strand Sjaastad, tha se progresi do të jetë më i shpejt përmes kompromisit dhe konsensusit mes partive politike, derisa theksoi se Kosova duhet të përmbyllë kapitullin e tranzicionit dhe të mobilizojë të gjitha kategoritë shoqërore për të arritur objektivat e veta.

Sipas tij, marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë dhe luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar janë çështjet më të rëndësishme për Kosovën.

Sjaastad: Marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë janë shumë të rëndësishme

“Në mesin e çështjeve më të rëndësishme janë marrëdhëniet me Serbinë dhe luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar. Adresimi i këtyre dy problematikave me sukses do të mundësojë progresin e gjithë sektorëve”, theksoi ai.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha se tashmë është një mundësi e hapur për shkak se janë përcaktuar hapa konkret se cfarë duhet të bëjnë vendet e rajonit për të ecur drejt integrimit evropian.

Apostolova theksoi se mbetet në përgjegjësinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor që të ecin përpara me reformat në mënyrë që të afrohen drejt anëtarësimit në BE.

Apostolova: Gjithçka është në duart e partnerëve tanë

"Tani kemi një dritare të hapur, një mundësi të hapur. E para për shkak se ky instrument përcakton kushte shumë konkrete e që mund ta bëjnë progresin shumë të qëndrueshëm nëse vendet e rajonit i zbatojnë reformat. Pra kjo është një çështje e rëndësishme. E kemi udhërrëfyesin, e kemi instrumentin dhe tani mbetet në duart e partnerëve të Ballkanit Perëndimor të ecin përpara në agjendën e reformave dhe të afron drejt anëtarësimit në Be. Pra gjithçka është në duart e partnerëve tanë”, theksoi Apostolova.

Për Kosovën edhe kjo është me rëndësi. Edhe njëherë dua të nënvizoj se Kosova është një prej 6 partnerëve që është përmendur aty dhe është trajtuar barabartë me vendet e tjera. Dhe duhet shfrytëzuar kjo që edhe vendet që nuk e kanë njohur Kosovën të mendojnë edhe njëherë qëndrimin e tyre", tha ajo.

Ndërlidhja e Kosovës me strukturat eoruatlantike, sipas tij do t’i ndihmojë Kosovës që të arrijë standardet perëndimore, por sipas tij, shtysa më e madhe për këtë proces duhet të burojë nga vet Kosova.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, theksoi se nëse vendet e rajonit e mbështesin njëri-tjetrin dhe zëvendësojnë konfliktin me bashkëpunim, mund të krijohet një momentum i ri.

Ai ka numëruar temat kyçe të cilat duhet të zgjidhen në mënyrë që të arrihet dialogu me Serbinë, ku në mesin e tyre ka përmendur edhe mosnjohja e Kosovës dhe mos anëtarësimi i Kosovës në OKB, për të cilat tha se e rëndojnë dialogun me Serbinë.

Ndërsa ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha është shprehur optimiste se këtë vit do të hiqen vizat.

Ndryshe, konferenca “Dekada e ardhshme e Kosovës: Avancimi i Reformimit, Bashkëpunimi Rajonal dhe Integrimi në BE” do të vazhdojë deri ën fund të ditës, ku pritet të marrin pjesë edhe kryeparlamentari Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj dhe udhëheqësit e partive politike.

***

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në konferencën “Dekada e ardhshme e Kosovës: Avancimi i Reformave, Bashkëpunimi Rajonal dhe Integrimi Evropian”.

Presidenti Thaçi ka thënë se kjo konferencë dhe nismat e ngjashme janë shumë të rëndësishme për të sotmen, por para së gjithash edhe për të ardhmen e Kosovës, me reflektime edhe për rajonin.

“Për bindjen time, në politikën kosovare ka një pjekuri politike, por në të njëjtën kohë, si në tërë rajonin, kjo politikë përcillet edhe me thashetheme,  edhe  me spekulime dhe me pak debate me argumente e kundërargumente dhe mendime e diskutime të mirëfillta se ku jemi si politikë, ku jemi si institucione, ku jemi si shoqëri civile dhe ku janë edhe mediat kosovare”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se duhet shtruar pyetjen se çka tash e tutje për të avancuar në mënyrë thelbësore agjendën e shtetit të Kosovës, reformimin e plotë të shoqërisë në vitet dhe dekadat e ardhshme.

Kreu i shtetit është shprehur besimplotë se javët dhe muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për shumë aspekte, përfshirë edhe konsolidimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës.

“Ajo çka neve na mungon është debati i mirëfilltë dhe të mos fokusohemi vetëm në politikën ditore apo në politikat e javës së ardhshme, por në një politikë sa më konsensuale, transparente, të agjendës së qartë institucionale edhe përbrenda, por edhe në raport me rajonin dhe botën perëndimore, por natyrisht edhe në raport me vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, u shpreh ai.

Presidenti ka thënë se Kosova është storie e suksesit të plotë, porse jemi dëshmitarë se viteve të fundit institucionet e vendit kanë funksionuar më një brishtësi më të madhe.

“Si rezultat i kësaj kemi pasur edhe zhvillimet në Kuvendin e Kosovës, zhvillimet e panevojshme që kanë dërguar një mesazh dhe pamje jo të realitetit kosovar, por një pamje vizuale aspak të pëlqyeshme për vendin tonë në botë. Ato kanë arritur që të dobësojnë edhe pozicionin e vendeve mbështetëse për Kosovën dhe të prodhojnë argumente për ata që ende kanë hezitime për njohjen e pavarësisë apo që janë kundër pavarësisë së Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.

I pari i vendit ka thënë se të gjitha këto janë tejkaluar me pjekuri politike dhe tani kemi të votuar me dy të tretat demarkacionin me Malin e Zi dhe kemi filluar punën për funksionalizimin e Ekipit Menaxherial për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Presidenti Thaçi ka thënë se vetë titulli i forumit të sotëm “Dekada e ardhshme e Kosovës: Avancimi i Reformave, Bashkëpunimi Rajonal dhe Integrimi Evropian”, është një titull shumë përmbajtjesor dhe thelbësor, i cili ka dy anë tepër të rëndësishme dhe njëkohësisht të domosdoshme dhe të pashmangshme për politikën në Kosovë.

“Vetë koncepti i një mendimi shqyrtues dhe planifikues, për rrjedhat e ardhshme në Kosovë, që ka si njësi matëse një dekadë të plotë, është diçka që gjithsesi na mungon neve, në politikën kosovare. Me gjasë, secili prej nesh, e dimë se çfarë do të duhej të dukej dhjetëvjetëshi i ardhshëm i Kosovës apo cilat do të duhet të jenë synimet tona. Por, neve ende na mungon një plan strategjik i këtij lloji, i cili duhet me të vërtetë të qartësoj agjendën shtetërore të institucioneve të Republikës së Kosovës, pavarësisht se kush është sot dhe kush do jetë nesër në krye të tyre. Sepse, njerëzit në krye të institucioneve dhe partitë që janë në krye të vendit apo që janë partnere të koalicionit, sot janë në pushtet e nesër mund të ndërrohen, por agjenda mbetet e njëjtë, flas për agjendën euroatlantike. Dhe kjo u pa edhe në të kaluarën, ne kishim dallime sa i përket demarkacionit dhe asociacionit, kurse sot kemi një pajtueshmëri se duhet të lëvizet përpara”, u shpreh ai.

Presidenti Thaçi theksoi se mirëpret platformat që po prezantohen nga liderët politikë të Kosovës për aktualitetin në vend dhe agjendën planifikuese për të ardhmen, si dhe në veçanti përpjekjet për arritjen e një konsensusi maksimal, sa më të gjerë të mundshëm, për etapën tjetër apo për fazën finale të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Edhe sot vazhdoj të jem i bindur se një marrëveshje ligjërisht obliguese është e nevojshme dhe është e domosdoshme për të dy vendet. Pse e them këtë? E them për arsye se ne nuk duhet të bëhemi pengesë për njëra-tjetrën, as Kosova, as Serbia, për të ardhmen evropiane. Një marrëveshje e tillë e lehtëson të ardhmen evropiane të dy vendeve, por edhe e dërgon mesazhin më të mirë për fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka thënë se i kupton dhe i respekton kritikët e dialogut, por Bashkimi Evropian nuk e pranon as Kosovën, as Serbinë, pa i përmbyllur çështjet e hapura në mes veti dhe këto problematika askush nuk vjen të na i zgjidhë neve, pa treguar vetë vullnet dhe përgjegjësi.

Ai ka thënë se dialogu do jetë i vështirë për Kosovën, porse është rruga e vetme për të ecur përpara.

Presidenti Thaçi e ka falënderuar shoqërinë civile për mbështetjen që po u jep proceseve të rëndësishme për vendin tonë.

Hoxhaj: Nëse vendet e rajonit mbështesin njëra-tjetrën krijohet një momentum i ri

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, theksoi se nëse vendet e rajonit e mbështesin njëri-tjetrin dhe zëvendësojnë konfliktin me bashkëpunim, mund të krijohet një momentum i ri.

Sipas tij, dialogu me Serbinë, formimi i ushtrisë, anëtarësimi në BE, reforma zgjedhore mbesin sfida të radhës për Kosovën.

Ai theksoi se në 10 vitet e fundit, pa e përmendur pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, viti 2013 ishte viti më i rëndësishëm për Ballkanin, kur Kroacia mori statutin e vendit anëtar dhe la të nënkuptohet se nëse bëhet reformat arrihet edhe integrimi.

Sipas tij, prej vitit 2014-2017, Ballkani Perëndimor ka ngecur, porse shtoi se këtë vit kanë filluar të ndryshojnë gjërat. Teksa çështjen e mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës dhe mos integrimin i renditi si probleme.

“Po prej vitit 2014-2017 ne kemi pasur një ngecje. Por 2018-tën e shoh krejt ndryshe. Këtë vit e kemi një kontekst shumë më pozitiv. Kur unë isha në Maqedoni para disa javësh, ishte një shtet tjetër. Nuk ishte shteti që e kisha takuar në këto 7-8 vite. Dua të them se në rajon ka një vullnet politik për të adresuar çështjet e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë. Edhe Shqipëria dhe Greqia janë të interesuara të mbyllin çështjet e hapura dhe Kosova e Serbia janë duke dialoguar për normalizimin e marrëdhënieve”, tha Hoxhaj.

Ai u shpreh më pak optimist për Bosnjën, ku theksoi se nëse vetëm një vend në rajon dështon, të gjitha vendet e tjera e paguajnë çmimin.

Image

***

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është i bindur se dekada e dytë e shtetit të Kosovës do të sjellë anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Këtë deklaratë Thaçi e ka thënë në konferencën “Dekada e ardhshme e Kosovës: Avancimi i Reformimit, Bashkëpunimi Rajonal dhe Integrimi në BE” organizuar nga Grupi për Dokumentime dhe Hulumtime.

Thaçi shpreson se edhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian  është i mundshëm.

“Ne ballafaqohemi me 5 vende të BE-së të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por aton janë vende mike të Kosovës sepse e kanë përshëndetur Pakon e Ahtisarit mbi të cilën edhe është shpallur pavarësia e Kosovës. Edhe në raport me Rusinë, do të ishte me interes jetik, por edhe për Serbinë, njohja e Rusisë për Kosovën. Një gjë e tillë do ta lironte nga barra e padrejtë e mitit të padrejtë për Kosovën”, ka thënë presidenti.

Në këtë konferencë Thaçi e ka përmendur edhe gazin lotsjellës të hedhur në Kuvend nga Lëvizja Vetëvendosje për të cilat tha se kanë qenë aspak të pëlqyeshme për vendin.

“Çështja e gazit lotsjellës tani është mbyllur fatmirësisht. Kosova ka dëshmuar pjekuri. Tani ka implementuar në tërësi marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, ka mbajtur fjalën. Tani pritet që Serbia të përmbyllë sa më shpejtë çështjen e urës dhe energjisë elektrike. Së pari vet koncepti i një mendimi shqyrtues dhe planifikues për një dekadë të plotë është diçka që na mungon neve në politikën kosovare”, tha presidenti.

Presidenti potencoi se BE-ja nuk i pranon as Kosovën e as Serbinë pa i zgjidhur çështjet mes vete.

“E di se dialogu do të jetë shumë i vështirë për Kosovën, por në të njëjtën kohë jam i bindur se është rruga e vetme për të ecur përpara. Po dua të potencoj se politika e Kosovës ka nevojë për reformë të thellë, por kjo varet nga partitë politike. Falënderoj edhe shoqërinë civile për kontributin që jep. Roli i mediave do të vazhdojë të jetë krucial. Është fat se në Kosovë mediat i kemi më mirë se në rajon”, tha Thaçi

***

Konferencë “Dekada e ardhshme e Kosovës”

Grupi për Hulumtimin e Politikave në Ballkan organizon konferencë me temën "Dekada e ardhshme e Kosovës: Avancimi i Reformave, Bashkëpunimi rajonal dhe Integrimi Evropian".

I pranishëm është edhe Presidenti Hashim Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat