Thaçi: Dialogu është i vështirë, por është rruga e vetme për të ecur përpara

Aktuale

Thaçi: Dialogu është i vështirë, por është rruga e vetme për të ecur përpara

Më: 25 prill 2018 Në ora: 10:30
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është i bindur se dekada e dytë e shtetit të Kosovës do të sjellë anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Këtë deklaratë Thaçi e ka thënë në konferencën “Dekada e ardhshme e Kosovës: Avancimi i Reformimit, Bashkëpunimi Rajonal dhe Integrimi në BE” organizuar nga Grupi për Dokumentime dhe Hulumtime.

Thaçi shpreson se edhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian  është i mundshëm.

“Ne ballafaqohemi me 5 vende të BE-së të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por aton janë vende mike të Kosovës sepse e kanë përshëndetur Pakon e Ahtisarit mbi të cilën edhe është shpallur pavarësia e Kosovës. Edhe në raport me Rusinë, do të ishte me interes jetik, por edhe për Serbinë, njohja e Rusisë për Kosovën. Një gjë e tillë do ta lironte nga barra e padrejtë e mitit të padrejtë për Kosovën”, ka thënë presidenti.

Në këtë konferencë Thaçi e ka përmendur edhe gazin lotsjellës të hedhur në Kuvend nga Lëvizja Vetëvendosje për të cilat tha se kanë qenë aspak të pëlqyeshme për vendin.

“Çështja e gazit lotsjellës tani është mbyllur fatmirësisht. Kosova ka dëshmuar pjekuri. Tani ka implementuar në tërësi marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, ka mbajtur fjalën. Tani pritet që Serbia të përmbyllë sa më shpejtë çështjen e urës dhe energjisë elektrike. Së pari vet koncepti i një mendimi shqyrtues dhe planifikues për një dekadë të plotë është diçka që na mungon neve në politikën kosovare”, tha presidenti.

Presidenti potencoi se BE-ja nuk i pranon as Kosovën e as Serbinë pa i zgjidhur çështjet mes vete.

“E di se dialogu do të jetë shumë i vështirë për Kosovën, por në të njëjtën kohë jam i bindur se është rruga e vetme për të ecur përpara. Po dua të potencoj se politika e Kosovës ka nevojë për reformë të thellë, por kjo varet nga partitë politike. Falënderoj edhe shoqërinë civile për kontributin që jep. Roli i mediave do të vazhdojë të jetë krucial. Është fat se në Kosovë mediat i kemi më mirë se në rajon”, tha Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat