‘Thaçi është humbës’, ‘ O mytë tu fitu zgjedhje’ – Vazhdon përplasja e PDK’së e Nismës

Aktuale

‘Thaçi është humbës’, ‘ O mytë tu fitu zgjedhje’ – Vazhdon përplasja e PDK’së e Nismës

Më: 27 prill 2018 Në ora: 00:19
Hashim Thaçi

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka thënë se presidenti Hashim Thaçi është njeriu që duhet të udhëheqë me dialogun në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.

Në Zona e Debatit, ai ka deklaruar se ky dialog duke mos qenë temë e lehtë nuk mund t’u besohet njerëzve që dalin vullnetarë për t’i prirë si proces.

Këtë koment ai e ka bërë duke replikuar në idenë e nënkryetarit të NISMA për Kosovën, Bilall Sherifi, që propozoi shefin e tij të partisë, njëherit zëvendëskryeministër, Fatmir Limaj, për ta marrë drejtimin e negociatave me Serbinë.

“Në dialog nuk mund të shkosh vullnetar. Dialogu tregon dinamikën në Europë. Nuk është kjo punë vullnetarizmi. Dialogu nuk është temë e lehtë. Është mirë të kihet përvojë e madhe kur hyhet në të. Ne në këtë rast i kemi thënë(LDK-së) që po ua mori mendja që për tema konkrete dialogun mund ta çojnë përpara, le ta udhëheqin”.

“Nuk ka të bëjë me besim ndaj Fatmir Limajt. Në PDK i kemi besuar. Por ai vendosi që ta formojë partinë e tij – udha e mbarë. Siç i ke besuar edhe ti dikur Hashim Thaçit(i drejtohet Bilall Sherifit). Hashim Thaçi e ka mandat kushtetues politikën e jashtme. Nëse të tjerët duan t’i bashkohen atij ekipi mirë, por nuk mund të dalin vullnetarisht për ta udhëhequr dialogun”.

“Nuk duhet që një kapiteni(e ka fjalën për Hashim Thaçin) që ka humbur të gjitha ndeshjet t’i lihet dialogu”, ka thënë Sherifi, por që për këtë gjë ka marrë përgjigje të shpejtë nga nënkryetari i PDK-së.

“Nëse nuk ka fituar ai nuk e di kush ka fituar. O mytë tu fitu zgjedhje”, ka replikuar Ismaili.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat