Pjesëtari i SHIK-ut, Nazim Bllaca i dyshuari kryesor për vrasjen e Xhemail Mustafës, EULEX-i ka të dhëna për këtë vrasje

Aktuale

Pjesëtari i SHIK-ut, Nazim Bllaca i dyshuari kryesor për vrasjen e Xhemail Mustafës, EULEX-i ka të dhëna për këtë vrasje

Më: 29 prill 2018 Në ora: 15:46
Xhemail Mustafa u vra nga dy sulmues të panjohur para apartamentit të tij në Prishtinë, më 23 nëntor të vitit 2000.

Pjesëtarët e EULEX-it të cilët e kanë hetuar vrasjen e gazetarit Xhemail Mustafës, kanë konsideruar se pas kësaj vrasjeje qëndron Nazim Bllaca, vrasësi i paguar, e sot dëshmitari i mbrojtur i EULEX-it, mëson Asociacioni i Gazetarëve të Serbisë (UNS)

Xhemail Mustafën e vranë dy sulmues të panjohur para apartamentit të tij në Prishtinë, më 23 nëntor të vitit 2000. 

Për vrasjen e Mustafës deri në ditën e sotme nuk ka pasur hetim të detajuar, edhe pse burimi i UNS-it i cili sipas funksionit të tij është tepër kredibil, konsideron se EULEX-i ka shumë njohuri për këtë vrasje. 

Bllaca, dëshmitari i penduar, i ka shërbyer EULEX-it për ngritje të katër aktakuzave të mëdha për vrasje dhe krim të organizuar, duke e vënë në qendër Azem Sylën, shefin e dikurshëm të komandës së UÇK-së, por edhe zyrtarin e lartë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hashim Thaçin. 

-Bllaca ishte kryesi i cili qëndronte pas çdo vrasjeje të paguar mirë, qofshin porositësit nga vetë kreu i partive të krijuara nga fraksionet e UÇK-së, e të cilat i kanë udhëhequr Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, qofshin ata politikanët e lartë kosovarë siç janë Azem Syla, Gani Geci dhe Fatmir Limaj. Bllaca i ka kryer vrasjet e papara dhe më të tmerrshme që kanë ndodhur në Kosovë nga viti 1998 deri në vitin 2005 - tha për UNS burimi i rangut të lartë nga misionet ndërkombëtare. 

Për shkak të kontrollimit të këtyre thënieve, UNS-i iu drejtua avokatit të Nazim Bllacës dhe EULEX-it, duke kërkuar lejen për intervistë me dëshmitarin e mbrojtur. Avokati i Bllacës, Burhan Qosa iu është përgjigjur UNS-it që për leje t’i drejtohemi EULEX-it, kurse EULEX-i është përgjigjur që nuk mund ta lejojë një intervistë të tillë. 

EULEX-in gjithashtu e kemi pyetur a ka informata se Bllaca qëndron pas vrasjes së Xhemail Mustafës dhe a është ai përgjegjës për vrasjet e gazetarëve të tjerë? Kemi pyetur a do ta procedojë EULEX-i Bllacën për vrasje të  Mustafës dhe a pritet inicimi i hetimit në këtë rast? Nga EUËEX-i nuk morëm kurrfarë përgjigje. 

Marrja e hetimit – Nga Lumezi te Lumezi 

Xhemail Mustafën e kanë vrarë dy sulmues të panjohur para apartamentit të tij në Prishtinë, më 23 nëntor të vitit 2000. Menjëherë pas vrasjes, u arrestuan dy meshkuj, por sipas të dhënave të Policisë së UNMIK-ut, kundër tyre nuk u ngrit aktakuza. 

Suzan Manuel, portparollja e OKB-së, në atë kohë ka deklaruar se policia është duke i marrë në pyetje njerëzit, që “kanë disa dëshmitarë dhe disa të dyshuar të mundshëm dhe që janë duke i ekzaminuar gjetjet balistike”. Sipas informatave të UNS-it, Policia e ka zhvilluar rastin me kujdes, duke mos dhënë kurrfarë informatash nga hetimi, dhe siç na u cek, është ballafaquar me “konspiracionin e heshtjes, gjurmët e rremë dhe deklaratat e rrema”. 

Aleksandër Lumezi, sot Kryeprokurori i Kosovës, ishte zëvendës prokuroi dhe ushtrues detyre i kryeprokurorit në Prokurorinë Publike Komunale në Prishtinë, nga viti 2005 deri në vitin 2010, kryeprokuror i Prokurorisë së Qarkut deri në vitin 2012, e pastaj ishte kryeprokuror i Prokurorisë së Apelit të Kosovës nga viti 2013 deri në vitin 2015. Në periudhën kohore kur prokuroria ishte nën mbikëqyrjen e UNMIK-ut e ka marrë përsipër hetimin e vrasjes së Xhemajl Mustafës. Megjithatë, ai për UNS thotë se pak pasi filloi punën në hetimin e vrasjes së Xhemail Mustafës, Prokuroria Speciale e Kosovës, në atë kohë nën mbikëqyrjen e plotë të EULEX-it, kërkoi që t’ua lë hetimin atyre. 

-Po, kam kërkuar që të mblidhen informatat në lidhje me vrasjen e intelektualit, shkrimtarit Xhemail Mustafës. Pas marrjes së informatave që ishin në shkresat e Policisë së UNMIK-ut, por edhe në shkresat e Policisë së Kosovës, vendosa që t’i ndërmarr disa hapa. Por, shefi i Prokurorisë Speciale të Kosovës kërkoi që ky rast të transferohet në atë prokurori dhe t’u lihet prokurorëve ndërkombëtarë. Deri tani, nuk ka përfundime për këtë rast – thotë Aleksandër Lumezi për UNS. 

Mu në vitin 2012 u publikua se autoritetet janë afër arrestimit të vrasësve të Mustafës, që ishin të identifikuar si “pjesëtar i Parlamentit” dhe “zyrtari policor”. Por, mbeti me kaq. 

EULEX-i e ka shënuar vrasjen e Xhemail Mustafës me numër PPP 21/11 dhe tani është në zhvillim e sipër transferimi i dokumenteve hetimore në Prokurorinë Speciale të Kosovës, kryeprokurori i cilës në ndërkohë u bë Lumezi.  

Përndryshe, ai deklaroi për UNS-in që “do t’i konsiderojë të gjitha hetimet e vrasjeve të gazetarëve të hapura”. 

Vrasje politike 

Xhemail Mustafa lindi më 23 gusht në vitin 1953 në fshatin Gllamnik te Podujeva. U vra në moshën 47 vjeçare dhe pas vetës la bashkëshorten dhe fëmijët. Gjatë gjithë këtyre viteve, për kolegët dhe miqtë e tij, ka qenë e qartë se ku çojnë gjurmët e vrasjes. 

-Vrasja e Mustafë ka qenë vrasja e tretë e pandriçuar politike pas luftës në Kosovë, e cila e dërmoi skenën politike. Xhemail Mustafa, përveç që ishte gazetar, ishte edhe këshilltari politik i ish Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugovës dhe anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Para disa vitesh, është kumtuar se hetimi në lidhje me këtë vrasje është ne fazën fillestare. Gjithashtu u tha se në këtë vrasje është përfshirë edhe një deputet i Kuvendit të Kosovës, por kurrë nuk u përfundua hetimi dhe nuk u kumtua e vërteta në lidhje me këto pohime – thotë për UNS Mimoza Lakna, redaktorja e gazetës “Bota Sot”. 

Ajo rikujton se gazetarët e gazetës “Bota Sot” ishin objektivi më i zakonshëm i krimeve të pasluftës. 

Nga përfundimi i luftës janë vrarë tre gazetarë – bashkëpunues të gazetës “Bota Sot”, vrasjet e të cilëve nuk u ndriçuan. 

Rrethet e inteligjencës 

Xhemail Mustafa ishte njëri nga anëtarët e parë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe ishte këshilltari politik i Ibrahim Rugovës (presidentit të Kosovës), ishte njëri prej luftëtarëve të parë për pavarësinë e Kosovës. Pak para vrasjes ka shkruar kolumne në të cilat e gjykonte dhunën kriminele në Kosovë e cila u krijua pas përfundimit të luftës. 

U vra një muaj pasi që Lidhja Demokratike e Kosovës fitoi bindshëm në zgjedhjet lokale, në tetor të vitit 2000 duke i fituar 58% të mbështetjes së votuesve. Pasoi një sere vrasjesh të zyrtarëve të lartë të asaj partie. Nga fillimi u dyshua qe vrasjet i ka kryer dikush nga UÇK-ja, e sipas njohurive të UNS-it, këtë e konfirmojnë edhe informatat e shërbimeve të huaja ushtarake. 

Shërbimi i inteligjencës së Britanisë dhe Suedisë i kanë intervistuar ata që u kanë mbijetuar tentimeve të vrasjes dhe torturave. Policia e ka dëgjuar Fetah Rudin, i cili përfundoi në karrocë invalidore, pasi që u plagos në pritje, afër Malishevës dhe Ymer Ymerin i cili ka dëshmuar se e ka arrestuar UÇK-ja dhe i përmendi emrat e vrasësve të supozuar të vëllait të tij Haki Imerit.  

Mediatë relevante në Prishtinë dhe njësitë përkatëse të inteligjencës së KFOR-it kanë konfirmuar se gjatë dhe pas luftës më shumë se 100 pjesëtarë të LDK-së janë vrarë ose plagosur për shkak të përkatësisë së tyre politike. Në mesin e tyre është edhe gazetari Enver Maloku. 

Në raportin e EULEX-it nga viti 2010, qëndron se vrasjet e ish zyrtarëve të LDK-së, por edhe disa zyrtarëve të tjerë për motive politike dhe etnike, i ka kryer një organizatë e organizuar dhe e financuar mirë. Por, askush nga EULEX-i nuk deshi të zbuloi emrin e organizatës së supozuar për të cilën dyshohet se i ka kryer këto vrasje. 

Pendimi i Nazim Bllacës

Nazim Bllaca e ka shokuar publikun kur në vitin 2009 deklaroi se si ish pjesëtar i Shërbimit të Inteligjencës së Kosovës (SHIK) ishte edhe anëtari i grupit të ekzekutorëve të atij shërbimi, i cili, siç theksoi ai, bashkëpunoi ngushtë me PDK-në, e e cila, siç tha, në atë moment, ishte e udhëhequr nga Xhavit Haliti. 

Bllaca deklaroi se ai grup i ka vrarë personat për të cilët besohej se bashkëpunonin me Beogradin ose që u panë si armiq politikë. Në një intervistë për AFP-në ai tha se është kryes i njërës prej këtyre vrasjeve. Si shefin e grupit për ekzekutime e shënoi Azem Sylën, i cili i përgjigj që Bllaca “është psikopat dhe sipun i Serbisë”. 

Në vitin 2013, gazeta prishtinase “Express” shkruan se dy dëshmitarë kryesor të Prokurorisë së EULEX-it në rastet e vrasjeve politike pas vitit 1999 në Kosovë, Nazim Bllaca dhe Shkumbin Mehmeti ( i dënuar për vrasjen e dy policëve të UNMIK-ut në trazirat në mars të vitit 2004), kanë hequr dorë nga deklaratat e dhëna në Prokurori, pasi që mësuan se ai mision nuk do t’i hulumtojë vrasjet politike të pasluftës. 

Shkumbin Mehmeti, në fillim të këtij viti në një intervistë për TV Klan Kosova, i akuzoi vëllezërit Qerim dhe Ibrahim Kelmendin për organizimin e vrasjeve politike dhe shtoi “jam i sigurt që dikush nga ai grup ka pasur kontakt me vrasësin” e gazetarit Xhemail Mustafës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat